Esmeralda Shpata: Dhembja s’është vetëm grua

Esmeralda Shpata huaj

Në hutimin e tij të përgjithshëm nuk po davariteshin dot aspak njollat e gjurmët e së shkuarës. Kur e humbi atë, ishte ndier paburrë a gjysmëburrë, mashkull pamashkull, diçka e ndërmjetme e lënduar dhunshëm. Kishte lexuar për eunukët, por nuk ishte fizik gjymtimi. I ishte shpërbërë ajo pjesa shumë e shtrenjtë e vetes, ajo “gjëja” që s’e gjen fjalën e duhur t’i japësh trajtë ndonjëherë.
Për kërshëtarët pjesa më e paqartë është ajo më e proshkëta. Ajo e vendosura mes paradoksesh. Ajo më njerëzorja, e brishta, që mashkullit i duhet ta paraqesë si më të fuqishmen dhe të epërmen ndër lloje. Kishte marrë mjaft përvoja e porosi për erzin.
Si t’ia bënte tani?!
Nga t’ia fillonte që t’i mblidhte gjendjet e çoroditura mashkullore?!
Keqardhje për atë që iku nuk kishte fare, tek e fundit një femër e çfarëdoshme ishte. Dhe grua nuk ishte se përfaqësohej mirë. Si nënë i fshihej instinktit dhe harrohej në zbavitje të çastit, ngatërrohej si me thënë. Pra, çfarë nuk ishte më e tij, nuk ishte ndonjë humbje e madhe. Ajo i shkërmoqi burrin, atë që kishte filluar të ndërtohej që në ngjizje, që me shkopin edukues e deri te ky para të sotmit, të hutuarin.
Me njerëzit që e pyesnin për humbjen nuk e kishte shumë të vështirë. Kishte kalorësit mbrojtës; kur flitej për të ikurën shante me gulçe, kur flitej për atë vetë, mburrej për merak.
E vështira ishte kur fliste mashkulli me burrin, aty hutohej dhe nuk i sistemonte dot degët e dergjura në pyllin e tij të errët. Nuk ishte tradhti ikja e saj, po të ishte e tillë ai do të qante ose do të shpërthente nga valët e zemërimit. Ajo iku se ashtu mendoi ajo, ai u hutua se nuk kontrolloi dot ku u përplas burri. Hutimi atë e shndërroi në një gjë të mjerë, Circea që iku nuk ishte as shumë mizore, as shumë e bukur, ndaj tragjizmi tij ishte aq i padurueshëm. Po të kishte qenë e përkryer ajo, ai do ishte më i qartë në humbjen që e gjeti. Por ata të dy ishin të zakonshëm.
Ndodhi, sedra e tij u shpërfytyrua.
I hutuar është pak të themi, egoja i ishte zbrazur, kishte rrjedhur burri i traditës, ndaj nuk kishte më dëshirë të rrinte vetëm. Para njerëzve ngushëllohej dhe rrinte pa problem. Sa shumë kishte si veten, plot. Të keqen e kishte kur fillonte monologu, kur fliste së brendshmi, aty tortura ishte çnjerëzore, si dhembje dhëmballe. Aty ndiente keqardhje për burrin. Ç’edukim të prapambetur i kishin dhëne burrërisë së tij! Sa keq, sa vonë e kuptoi ç’burrë kishte qenë, vetëm kur humbi.
Pastaj filloi të merrej me gjueti shtrigash, si për të arnuar veten. Bota nuk mund t’ia shihte ndërhyrjet, dhe në ia shihte nuk ishte problem për të. E keqja ishte se arnat i dhimbnin bashkë me të qepurat e thella. Përfundimisht nuk pati më shpëtim për të grisurën e tij mashkullore.


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: UNË E DUA ATË…

ObserverKult