Edith Durham: sikurse e dini mirë edhe ju vetë historia e Shqipërisë nuk është veçse një luftë e vazhdueshme. Jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e gjithë vendeve të tjera ballkanike. Me ankth e gjeta veten të përfshirë midis rrotave të politikës.
Shkrimtare, antropologe, dashuronjëse e traditës, zakoneve e historisë shqiptare. Mbi të gjitha avokate kundër padrejtësive ndaj shqiptarëve, Edith Durham ( emri i plotë Mary Edith Durham) me të drejtë u quajt Mbretëresha e Malësorëve.
Shkrimtarja britanike u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shekullit të XIX dhe fillim të shekullit të XX.
Në vazhdim ObserverKult ju sjell një letër që Durham ia dërgoi Midhat Frashërit, duke shfaqur brengat e saj për fatin historik të popullit shqiptar dhe të punës së saj profesionale.
Durham i kërkon Midhatit të mos publikojë foton e saj, por edhe në këto shënime “nuk ka ndonjë gjë interesante”…
Durham në vetën e parë
Jam lindur në vitin 1863 dhe më e madhja e fëmijëve të Arthur E.Durham, kryekirurg i spitalit Guy në Londër. Në moshën 11 vjeç hyra si nxënëse e jashtme në një shkollë të vogël që e mbanin dy gjermanë, Zoti dhe Zonja Pretorius. Zonjës Pretourius dhe nënës sime i detyrohem shumë për kujdesin e vazhdueshëm që tregonin për mbarëvajtjen në mësime të fëmijëve, sepse ata më futën edhe dëshirën për të nxënë, thotë Durham në një letër drejtuar Midhat Frashërit.
Po ashtu u detyrohem shumë edhe mësuesve, sidomos mësuesit të latinishtes e atij të anglishtes. Në moshën 14 vjeç më dërguan në kolegjin Bredford të Londrës ku ndenja deri në moshën 19 vjeç. Gjithnjë kam dashur të bëhem piktore dhe kështu në moshën 19 vjeç shkova në Shkollën e Arteve të Bukura të St. Johan’s Ëood-it.
Kur isha 21 vjeç mora një bursë për në Akademinë mbretërore të Arteve të Bukura në Londër, ku punova tre vjet. Fillova të bëj ilustrime, ekspozova disa tablo dhe kur shpresoja të arrija suksesin, vdekja e papritur e vëllait të madh dhe e tim ati m’i shkatërruan të gjitha shpresat.
Shëndeti i së shkretës nënës sime u trondit. U shtrëngova të heq dorë nga studimet e mia. Të mbaja një atelie ishte e pamundur, sepse nuk mund ta lija vetëm nënën time të sëmurë. Pesë vjet punë e përkujdesje më lodhën aq sa mjeku më konsideroi aq të sëmurë sa tha se kisha nevojë absolute për dy muaj pushim çdo vit, për të shpëtuar shëndetin tim.
Të rrija gjithmonë mbyllur brenda ishte e pamundur. Dëshira ime e zjarrtë ishte të kthehesha tek arti im. Në këto rrethana bëra një udhëtim për arsye shëndetësore, një udhëtim në Adriatik dhe shkova, rastësisht, në Mal të Zi.
Atje mbajta shumë shënime dhe bëra shumë skica. Dhe, meqenëse rrethanat në shtëpi nuk më linin të merresha me pikturë, si një mjet për të ndryshuar sadopak shërbimin monoton të atij që kujdeset për një të sëmurë, fillova të merrem me studime antropologjike duke shpresuar që çdo vit gjatë pushimeve të mia të hyja sa më thellë në Ballkan, të vizitoja secilin vend dhe të bëja studime krahasuese midis popujve të ndryshëm.
Pasi më vdiq nëna vendosa t’u kushtohesha krejtësisht këtyre gjurmimeve si dhe pikturës dhe të kapja kështu 11 vitet e humbura. Më zgjodhën anëtare të Institutit Mbretëror të Antropologjisë të Londrës. Dhe nëpër malësitë e Shqipërisë së Epërme fillova studimet e mia, me shumë shpresë dhe mund të them, edhe me shumë sukses. Kështu, për të dytën herë po e rifilloja jetën dhe nuk parashikoja më pengesa.
Për fat të keq, po atë vit plasi kryengritja e turqve të rinj, e pasuar pothuaj menjëherë nga kryengritjet e malësorëve. Meqenëse ndodhesha në vend dhe nuk kishte njerëz që t’i ndihmonin refugjatët e shkretë, fillova të mbledh nga pak të holla dhe t’u njoftoj gazetave situatën e krijuar.
Dhe ja që për të dytën herë, të gjitha planet dhe shpresat e mia u shkatërruan. Që prej këtij momenti të hidhur, sikurse e dini mire edhe ju vetë historia e Shqipërisë nuk është veçse një luftë e vazhdueshme. Jo vetëm e Shqipërisë, por edhe e gjithë vendeve të tjera ballkanike. Me ankth e gjeta veten të përfshirë midis rrotave të politikës.
S’kishte më studime e as pikturë. Kur përfundoi Lufta Ballkanike, besoja se njohja e pavarësisë së Shqipërisë do të më shpëtonte edhe mua. Në mars të 1914 u nisa nga Londra me shpresa të përtërira, me bojërat e ujit dhe gjithë mjetet e tjera për pikturë, me qëllim që të rifilloja jetën dhe me shpresë që të bëja gërmime për të gjetur objekte prehistorike.
Kur arrita në Trieste mora vesh se gjendja në Shqipëri ishte tashmë shumë e rëndë dhe kur të arrinim në Durrës lufta mund të kishte filluar.
Zoti Harry Lamb më dërgoi në Vlorë që t’i çoja prej atje disa njoftime mbi sulmin e grekëve dhe gjendjen e refugjatëve. Lufta e madhe kishte shpërthyer dhe të shkretat plane e aspiratat e mia, ashtu si ato të miliona njerëzve të tjerë qenë shkatërruar.
Nuk kam më forcë për të rifilluar për të tretën herë kërkime e gjurmime që duan energjinë e viteve të rinisë. Por, shpresoj gjithnjë të shpëtoj nga ky skllavërim i politikës dhe të gjej kohën e lirë të paktën për të redaktuar shënimet e mia.
Kur i premtova zonjës Dako në Korçë dhe imzot Preng Doçit në Orosh se do të bëja ç’të kisha mundësi për të ndihmuar Shqipërinë, nuk kisha asnjë ide ku do të më çonin këto premtime. Ja zotëri, historia e një zhgënjimi të gjatë. Por, ndoshta si thonë malësorët, kështu ishte e shkruar, apo jo? Të bëhet ç’të bëhet!, thuhet në letrën e Edit Durham drejtuar Midhat Frashërit.
Nuk jap kurrë leje të botojnë fotografinë time dhe meqenëse ua kam refuzuar këtë leje shumë gazetave, nuk mund t’jua jap as juve.
Tani i uroj Shqipërisë të ketë paqe.
A do të mund të redaktoni një artikull nga këto shënime? Në të vërtetë nuk ka ndonjë gjë shumë interesante.
T’u ngjatë jeta (këto fjalë janë shkruar në shqip)
*Edith Durham, AQSH, Fondi 35, viti 1921, dos.36/5, fl.101.
Përgatiti: R.Ç/ ObserverKult
Lexo edhe:
VLORA E VITIT 1914, FOTOGRAFIA E BËRË NGA EDITH DURHAM: JA ÇKA SHKRUAN PËR TË
Lexo edhe:
NDRE MJEDA: I MBETUNI
Edhè shtâza po gazmohet,
Edhè bari mungullon ;
N’ shênd natyra gjith po çohet,
Veç ti, i mjeri, po gjimon.
Kâng’ e valle tui bashkue
Shênd prei gojet gjithkush qet ;
Veç i vorfni tui dertue
Porsi i huej â n’ gjiní t’ vet.
Tui ankue per t’ zeza t’ veta
Per gjith derë tui lyp’ kerset ;
Per ‘tê t’ dhimtun kerkund s gjeta:
Porsi i huej â n’ katund t’ vet.
Lodh’ e ûnshem, kúr vjen nata,
N’ prêhen t’ nanës me shkue kujton ;
Edhè nana i diq e ngrata,
E kush t’ vorfnin se ngushllon.
Bab’, oh! babë! sa herë ndo ‘j trimit
Do me i thanë tui derdhun lot ;
Po per têne â fjalë trishtimit,
 nji fjalë qi permêndë kot.
Per dhé t’vet tui dalë n’ushtrí
Rrebtë qindroj i jati e diq ;
Sot i vorfni askund nji shpí,
Nji copë buk s e gjên nder miq.
Ah! ti njome, o njome e mjera,
Dit’ e natë qi po vajton ;
Kund nder miq nuk t’ çilet dera,
Kerkush vajin s ta pajton.
Dit’ e natë pá buk e shpí
Shkote i vorfni andej e këndej,
E prei t’ pasunish zotní
Nji fjalë t’mirë kerkush s ja kthej.
Kû ké baben me t’ ndimue ?
Kû ké nanen me derdhë lot?
Tý gjith robi t’ ká harrue,
Kerkush s’do me t’ dalun zot.
Tui rá bórë, tui frye murlani,
Mjet dý vorreve si ‘j lis,
Afer gropës qi vet’ e bâni,
Djali i vorfen u molis.
Afer nanes u shtrue me fjetun,
Afer babës kerkoj pushim ;
Kurrgjâ t’ ngritin s ká me e gjetun,
T’ xét e t’ ftoftë skan me pasë ndrrim.