Jo rrallë kemi parë që libra të autorëve të njohur botërorë, që Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës ka dekada e dekada që i ka sjellë në shqip për lexuesit, po përkthehen sërish dhe po paraqiten si “përkthime për herë të parë në gjuhën shqipe” , nga shtëpi të ndryshme botuese në Tiranë.
Ç’është ky fenomen kur për hak marketingu e shitjeje ‘hudhet poshtë’ ajo punë kolosale e bërë për vite të tëra nga një dyzinë profesionistësh?
Pse një libër që ka ekzistuar i përkthyer në gjuhën shqipe, në vitet 1970-1980, vjen i përkthyer në vitin 2022 dhe thuhet që po i bëhet dhuratë lexuesit për herë të parë në gjuhën shqipe.
Ja çfarë thotë shkrimtari Bardh Frangu i pyetur nga ObserverKult për këtë çështje:
Edhe këtë fenomen duhet kundruar nga këndi i krizës së thellë kulturore, përkatësisht krizës në të cilën ndodhet edhe vetë letërsia, shkaku i botimeve pa kriter dhe mungesës së një kritike të njëmendët që do të mund të identifikonte këto vlera nëpër tezgat e mbushura me libra nga autorë të shpifur nga dominimi i një logjike mediokre, e cila ka pushtuar edhe majat e pushtetit.
Kjo ka bërë që autorë të prodhuar nga kjo mendësi të shfaqen edhe si më të përkthyerit në gjuhë të huaja. Në këtë mënyrë, në vend që të prezantonim vlerat e letërsisë sonë të vogël në gjuhët më të mëdha, ne shfaqim aso vlera që nuk plotësojnë asnjë kriter për të qenë edhe pjesë e prodhimit tonë letrar. Po kështu është kur rrjetet sociale prodhojnë autorë virtualë për ta dominuar realitetin tonë letrar.
Autorë mediokër (mbështetur edhe në mundësitë teknologjike) paraqiten edhe në fushën e përkthimit, përkatësisht aso që na sjellin në shqip autorët më cilësorë jo vetëm të klasikëve të letërsisë, por edhe aso bashkëkohorë, duke llogaritur në këtë mes edhe nobelistët. Libri vërtet është mall, por nuk mund të barazohet me patatet.
Shtëpitë botuese, që kryesisht si prioritet kanë përfitimin nga libri si mall, nuk e kanë hallin e nivelit të përkthimit, hallin e kanë që nga kjo ndërmarrje të nxjerrin përfitime sa më të mëdha, me kosto sa më të lirë. Në këtë kontekst mund të shpjegohet edhe pyetja juaj, përkatësisht fakti se përse botues nga Tirana përkthimet e veprave të ndryshme i cilësojnë si përkthime të para në gjuhën shqipe, ndërsa dihet se po këta tituj librash ishin përkthyer shumë më herët në Prishtinë.
Po tani kopertinat e librave, të atyre të përkthyera, më shumë shërbejnë si ambalazh për reklamë sesa si një prodhim artistik që duhet ta shoqërojë brendësinë e librit. Po mbase ka një problem që duhet shpjeguar këtu. Në kohën e sistemit komunist Prishtina bënte përpjekje që në gjuhën shqipe të sillte veprat e autorëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore, madje pa pasur ndonjë kufizim ideologjik për këtë, ndryshe nga Tirana, e cila përkthente autorë nga letërsitë, të cilat ishin në përputhje me kërkesat e skemës ideologjike komuniste. Po në mungesë të përkthyesve profesionalë në Prishtinë, shpesh autorët më të rëndësishëm të letërsisë botërore nuk përktheheshin nga origjinali, por nga një gjuhë e dytë, që në këtë rast ishte gjuha serbokroate.
Pak kohë përpara lexova për herë të dytë romanin “Zorba” të Nikos Kazantzakis, nga një botim i Tiranës mbështetur në origjinalin, ndërsa për herë të parë këtë roman e kisha lexuar nga një përkthim mbështetur në një gjuhë të dytë e të botuar shumë vite përpara në Prishtinë. Sigurisht që dallimi ishte shumë i madh dhe si i tillë shfaqte nevojën që të gjitha këto vepra të përkthyera nga një gjuhë e dytë të na vijnë të përkthyera nga origjinali. Por ama ka rëndësi shumë që për hir të kulturës së kujtesës, për hir të artefaktit, të ruhet data e përkthimit të parë dhe në asnjë rast të mos injorohet, sepse kjo gjë e pasuron fondin e një letërsie dhe ruan dëshmitë e një kohë të ndërveprimit kulturor me hapësirat dhe popujt e ndryshëm.
Po besoj se nga kjo pyetje e juaja do të duhej të lindte një pyetje edhe më e rëndësishme për fatin e kulturës sonë, përkatësisht letërsisë në këtë rast, e në mënyrë të veçantë të asaj të fushës së përkthimit. Nëse Noli dhe Konica ishin marrë vesh që të ndanin detyrat në përkthimin e veprave kapitale të letërsisë botërore, përse të mos merren vesh Prishtina me Tiranën për të bërë një gjë të tillë!? Sigurisht që për të ndërtuar një ndërmarrje të tillë, do të duhej të krijonim një asociacion përkthyesish nga këto dy qendra, i cili në bazë të projekteve do të mbështetej materialisht nga të dyja ministritë e kulturës dhe do të kujdesej për një punë profesionale, përkatësisht shumë cilësore edhe në përzgjedhjen e autorëve të huaj, por edhe të autorëve vendorë për t’i prezantuar ndër kulturat e popujve tjerë.
Ky asociacion përkthyesish mund të instalonte edhe kritikën e përkthimit, kaq të nevojshme për këtë kohë kur kemi një sasi kaq të madhe përkthimesh, kryesisht nëpërmjet metodës mekanike dhe jo të asaj të ndjeshmërisë, e cila tekstin nuk e sheh vetëm si përmbajtje, por edhe si refleksion të nuancave gjuhësore.
Përkthimi nuk mundëson vetëm njohjen me kulturat tjera, por para së gjithash nënkupton marrëdhëniet mes kulturave, gjë kjo me interes nacional dhe shtetëror. Prandaj një debat më i gjerë në këtë temë do të ishte shumë me interes, për më tepër që do të ndihmonte edhe në thyerjen e barrierave që aktualisht ekzistojnë ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.
ObserverKult
Lexo edhe:
ADEM GASHI: JO MARKETING TË PAJUSTIFIKUESHËM ME SIGLËN “PËR HERË TË PARË NË GJUHËN SHQIPE”
DAUT DAUTI: PSE TIRANA I “SHET” SI PËRKTHIME TË PARA, LIBRAT QË PRISHTINA I KA PËRKTHYER MOTI…