Në vitin 2014, në Prishtinë u botua një fjalor i rrallë- Fjalori Popullor me rreth 20000 fjalë, materiale leksikore nga treva të ndryshme të Kosovës, e përtej. Në parathënien e fjalorit, hartuesi i tij, profesori tashmë i ndjerë, Abdullah Zymberi, do të shprehej se në hartimin e këtij Fjalori Popullor është punuar për katërdhjetë vjetë me radhë.
Për përgatitjen e Fjalorit, për mbledhjen e fjalëve dhe shprehjeve, profesorit Abdullah, studiues i Leksikologjisë dhe Dialektologjisë shqipe, i kanë dalë në ndihmë hulumtimet në terren.
“Kemi dëgjuar dihamën e kasolleve, kemi parë dhe hetuar se si merr frymë fjala e shqipes, qoftë te fjala e bariut, e qoftë te zdrali i plisit të bujkut”, shprehet ai.
Sipas profesorit Abdullah, eufemizmat që ai i ka dëgjuar nëpër trevat e malësisë, emra të gjinisë asnjanëse, tingullimitime, e edhe disa shprehje eufemistike i duhen Fjalorit të Gjuhës Shqipe pa ndërdyzje.
Sipas tij ka fjalë shumë të bukura të shqipes që janë zhdukur, prandaj qëmtimi i tyre, do t’a plotësonte edhe më shumë leksikun e shqipes.
Prandaj ky fjalor është i rrallë, e i veçantë, sepse materiali leksikor që ky përmbanë, ka pasuruar sinoniminë leksikore me trajta gramatikore popullore ku edhe qëndron vlera e tij.
Disa nga këto trajta dëftore të Hasit dhe Vërmicës së Prizrenit, janë: kyne-kjone, ktane-ktone, ajne-ajone, atane-atone. Ose përemri vetor, unë në Kojë të Kuçit del me trajtën vet si: hajde te vet (për- hajde te unë).
Në Fjalor janë edhe emrat e katundeve dhe komunave përkatëse, nga ku e kanë prejardhjen këto fjalë, e këto trajta.
“Fjalët bazë janë shënuar sikur te Fjalori i Gjuhës Shqipe. Te sistemi foljor e kemi bërë një ndryshim, sepse foljet janë dhënë në paskajore, ndërsa buzë saj është dhënë edhe veta e parë njejës e kohës së tashme të dëftores.”
Në shpjegimin e tij, përpos rëndësisë që shumëkuptimësia leksikore i ka shtuar vlerë Fjalorit Popullor, profesori Abdullah shton :
“Gjatë punës në terren kemi hetuar se shumë fjalë janë risi për leksikun e shqipes, sepse ato s’janë botuar askund gjer më sot. Rrugën e studimeve tona gjuhësore dhe leksikore e kanë rrahur profesorët e mëdhenj: 1. Prof. Eqrem Çabej, 2. Akademik Idriz Ajeti, 3. Akademik Shaban Demiraj. Kështu qoftë! Kështu mbettë!”
ObserverKult
Lexo edhe:
SPIRO DINE, NJË PREJ MBLEDHËSVE MË TË SHQUAR TË FOLKLORIT SHQIPTAR