557-vjetori i betejës së parë të Vajkalit sjell arbëreshë në Bulqizë

557-vjetori i betejës së parë të Vajkalit solli në Bulqizë një grup arbëreshësh nga Italia, të cilët u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh të organizuara në kuadër të kësaj dite.

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i shoqëruar nga deputetët e qarkut Dibër Aurora Mara, Lavdrim Krrashi, kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti, dhe drejtues të tjerë vendorë, mirëpritën në mjediset e Bashkisë, kryetaren e komunës San Benedetto Ullano, Rosaria Capparelli, zv/kryetarin e komunës Casalvecchio di Puglia, Antonio Andreola dhe Loris Castriota Skanderbegh, pasardhës i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Aktivitetet vijuan më tej në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku kryebashkiaku Alla, ndër të tjera e vlerësoi këtë event si një ndër më të rëndësishmit të organizuar në bashkinë e Bulqizës.

“Nga njëra anë përkujtojmë aktet historike të betejës së Vajkalit, nga ana tjetër,  na nderojnë me praninë e tyre në Bashkinë tonë përfaqësues të njërës prej diasporave më të veçanta në botë, e cila, edhe pas shumë shekujsh, ka mundur të ruajë me fanatizëm origjinën e saj, duke i dalë për zot përpjekjes shumë shekullore të trimave shqiptarë dhe gjakut të tyre, të derdhur për kauzën më të shtrenjtë, mbrojtjen e lirisë së atdheut”, tha ai.

Alla theksoi se arbëreshët kanë ditur se si gjatë periudhës tashmë 5-shekullore në Itali, të formojnë një fizionomi të tyren në lëmin e kulturës, të artit dhe të letërsisë.

“Prej tyre kanë dalë poetë e studiues  të shquar  të përmasave evropiane, si Jeronim De Rada, Vinçenc Dorsa, Zef (Giuseppe) Skiro Senior, të cilët mbeten figura të mëdha mendimtare, politike e kulturore të rilindjes shqiptare në shek. XIX.

Ky komunitet në tërësi, këta burra të shquar arbëreshë, veprat e tyre, jeta e puna që kanë bërë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën arbëreshe, meritojnë respekt dhe mirënjohje të pakufishme nga vendi mëmë”, tha ai ndër të tjera.

Aktiviteti vijoi edhe me një program artistik të organizuar nga bashkia Bulqizë dhe disa pjesë të luajtura nga arbëreshët./ATSH


Lexo edhe:

RRËFIMI I PRIFTIT: SI SHPËTOI NGA GREMINA NDRIÇIM XHEPA?

ObserverKult