Thuajse të gjithë jemi të vetëdijshëm, se legjenda e Romulit dhe Remusit është shumë propagandë, për të qenë e vërtetë. Por, për arkeologët ka diçka reale.
Sipas traditës, 21 prill 753 p.e.s. në shpatet e kodrës Palatino, Romulus përvijoi me parmendë kufijtë brenda të cilëve do të ngrihej një qytet i ri. Këtë na rrëfejnë historianët romakë Livio dhe Varrone, por misteri i origjinës së Romës ende nuk është zgjidhur plotësisht.
Gërmimet arkeologjike. Prej kohësh historianët modernë kanë vendosur një rregull: mos i besoni asnjë fjale legjendës së Romulit dhe Remusit, shumë propagandë për të qenë e vërtetë. Nga ana tjetër, arkeologët pasi kanë kryer gërmime të shumta, të paktën disi i besojnë. “Themelimi i Romës sigurisht nuk ndodhi nga hiçi, – thotë Paolo Carafa, arkeolog dhe profesor në universitetin “La Sapienza” të Romës, – dhe në legjendë ka një grimë të së vërtetës historike, të cilën e kemi rindërtuar. Para shekullit VIII p.e.s. ekzistonte tashmë një koloni e nëndarë në grupe kasollesh në një sipërfaqe prej rreth 200 hektarësh. Dikur, dikush, ndoshta me një investim madhështor, donte t’i jepte këtij vendbanimi një status të veçantë, duke hapur rrugë dhe duke e përligjur me një ceremoni fetare. Gjurmët e fortifikimit të gjetura janë të gjysmës së dytë të shekullit VIII p.e.s., pra e afërt me profetikun 753”. “Gërmimet arkeologjike, – shton Dunia Filippi, koordinatore e gërmimeve të shumta të kryera në kodrën Palatino, – tregojnë se faltorja e Vestas me strehën e perëndeshës, simbol i statusit urban të vendbanimit, u themelua pikërisht në atë kohë”. “Për ta përmbledhur, – thotë Carafa, – krijimi i një lagjeje mbretërore me shenjtëroren e Vestas, qyteti i parë për kuvendet e popullit (comitia) dhe faltorja e parë qytetase mbi Campidoglio. Më pas, në fund të shekullit VIII, u ndërtua asfaltimi i parë i Foro”.
Miti i Eneas. Sipas arkeologëve, pamja e këtyre vendeve të rëndësishme publike dhe datimi i tyre na jep një siguri: aty ka lindur një qytet, pikërisht në vendin dhe në periudhën e treguar nga legjenda. Jo vetëm kaq. Në Campidoglio, janë rishfaqur mbetjet e epokës së bronzit, gjashtë shekuj para themelimit tradicional të Romës. “Romulus, ose sido të quhej ai mbret, ndoshta e kishte prejardhjen nga një dinasti më e vjetër latine. Dhe pikërisht për të hequr qafe këta paraardhës jo shumë të prezantueshëm, u rrënjos miti i Eneas i njohur në Lazio qysh në shekullin VIII p.e.s., i shartuar mbi historinë e Romulit”, – saktëson arkeologu./Konica.al/ Madje, sjell edhe provat: “Një parzmore bronzi e asaj periudhe që përshkruan një qukapik që verbon Anchises, babanë e Eneas, duke e ndëshkuar atë për bashkimin me Venusin”. Paraardhësit e latinëve ishin popuj indoevropianë të ardhur nga Ballkani Verior në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Në kohën e lindjes së Romës, tradita thotë se kishte 30 fshatra latinë. Fillimisht grykat e Campidoglio dhe Quirinale ishin ndoshta të zaptuara nga Sabine, ndërsa romakët ishin në Palatino. Në këtë sfond historik paraqitet “Përdhunimi i grave sabine”. Romakët, të cilët mbërritën kryesisht nga Alba Longa, pa shoqëri femrash, i ftuan sabinët në një festë të madhe, por pasi dëbuan burrat, përdhunuan gratë.
Qytet shumetnik. Më pas, shpërtheu reagimi i sabinëve, të cilët sulmuan Romën për të liruar vajzat. Mirëpo, ndërhynë të rrëmbyerat, duke ofruar paqen dhe duke u bashkuar me romakët. E vërteta është se sabinët dhe latinët u bashkuan shumë herët (Numa Pompilius, mbreti i dytë i Romës, ishte sabin), siç do të tregonin disa fjalë latine – duke përfshirë bos (kau), scrofa, popina (kuzhinë) – me origjinë të mundshme sabine.
Rreth vitit 625 p.e.s. mbërritën në Romë edhe etruskët. Sipas historianit romak Tito Livio, pikërisht atëherë erdhi nga Tarquinia pasaniku Lukumo, me kulturë të rafinuar helene (etruskët dhe grekët kishin marrëdhënie të ngushta), i cili u bë mbreti i pestë i qytetit në Tevere, me emrin Tarquinio Prisco. “Ai dhe pasardhësit e tij e shndërruan Romën e parë në një qytet monumental, – thotë Carafa, – me shtëpi guri, fortifikime komplekse, rrugë të shtruara dhe tempuj guri me dekorime argjile. Pra, që në fillim Roma ishte një qytet shumetnik”. Po si shpjegohet zgjerimi i shpejtë romak në Lazio? “Të gjitha burimet vlerësojnë vendndodhjen strategjike në Tevere, pranë kalimit të ishullit Tiberina, si dhe klimën e favorshme”, – përgjigjet Carafa. Do të kishte qenë e lehtë, nga një pozicion i tillë, të kontrollohej trafiku midis dy rajoneve të pasura si Etruria (në veri) dhe Campania (në jug). Por rrugët, në atë epokë, më shumë se nga veriu në jug kalonin nga lindja në perëndim. Këto ishin “rrugët e transhumancës”, që përshkoheshin çdo vit nga barinjtë, që sillnin bagëtinë e tyre nga zemra e Apenineve për të grumbulluar kripë në bregdet. Një gjedh konsumonte 30 kg kripë në vit dhe kripërat kryesore ndodheshin në derdhjen e Tevere.
Pater familias. Pranë urës mbi lumë ishte zona Salinae, pikërisht pranë Foro Boario, tregu i bagëtive: kushdo që kontrollonte këtë kalim, kishte në dorë furnizimin me kripë drejt brendësisë. Dhe aty ishte Roma. Një tjetër e dhënë mund të gjendet në organizimin solid social, bazuar në familjen, brenda së cilës babai kishte fuqinë e jetës dhe vdekjes. Ndarja midis patricëve dhe plebenjve kishte rrënjë të lashta, si dhe Senati, këshilli i pleqve i formuar fillimisht nga përfaqësuesit e gjinive, familjet aristokrate që pritej të rridhnin nga themeluesit legjendarë (gens cornelia nga Cornelio, gens valeria nga Valerio etj.).
Këtyre klaneve u kërkonin mbrojtje klientët (zejtarë, tregtarë). Sa më shumë klientë të kishin, aq më shumë pasuroheshin. Teksa nuk mund të quheshe grek, nëse nuk kishe lindur në Greqi, të bëheshe romak ishte ndoshta më e lehtë se të merrje shtetësinë amerikane sot. Shoqëria romake ishte konservatore, por e hapur. Një veçori që doli e dobishme, edhe nëse romakët, sado praktikë, sigurisht nuk ua hapën dyert të huajve nga bujaria. “Me t’u konsoliduar pushtimet ushtarake, – shpjegon Carafa, – përfitimet e qytetarisë romake u zgjeruan për të lidhur popujt e tjerë me veten”. Në këtë mënyrë u aneksuan edhe territoret e Italisë Qendrore, duke u ofruar nënshtetësi fisnikëve vendas, me ose pa të drejtë vote. “Por rreth vitit 90 p.e.s. ishin popujt italianë që e pretenduan (duke e marrë) falë “ luftës shoqërore”.
Propaganda. Që nga ky moment, Italia ishte tërësisht romake. Kjo diplomaci e bazuar në privilegje ishte një mënyrë për të zgjeruar sferën e ndikimit të dikujt, nën kërcënimin e forcës ushtarake. Siç shkruante greku Polibio, ajo arriti në pikën ku ishte bërë “diçka e qartë për të gjithë dhe absolutisht e nevojshme t’u bindeshe romakëve dhe të zbatoje urdhrat e tyre”. Romakët natyrisht u trembën gjatë pushtimit të botës antike: 250 vjet pas themelimit të Romës, mbreti etrusk i Chiusit, Porsenna, rrethoi dhe pushtoi qytetin, duke vendosur një traktat. Kjo është e vërteta e zymtë historike. Pikërisht sepse disfata ishte përcëlluese, romakët shpikën një hero legjendar, Muzio Scevola: i zënë rob pasi tentoi të vriste Porsenna (kishte vrarë njeriun e gabuar), ai u dënua me djegie të dorës në thëngjij të nxehtë, pasi kishte humbur objektivin; kur ai deklaroi se 300 trima të tjerë si ai ishin gati të provonin sërish iniciativën, shefi i armiqve u mahnit dhe pranoi të nënshkruante një armëpushim.
Një tjetër goditje historike daton në vitin 390 p.e.s., kur Brenno, në krye të galëve senoni, mundi romakët, duke plaçkitur qytetin. Megjithatë, sipas studiuesve, armët e vërteta sekrete të Romës ishin toleranca ndaj popujve të zaptuar dhe një organizim, le ta quajmë, “zviceran”. Ndryshe nga grekët, për romakët, popujt e tjerë nuk ishin të pagdhendur. “Zgjerimi i tyre, – shpjegon Carafa, – bazohej në forcën ushtarake, por pa idenë e epërsisë kulturore”. Në të vërtetë, toleranca romake u shfaq para së gjithash në kulturë. Krenar për rrënjët e tyre, por në kërkim të promovimit social, elita romake, duke dashur pajiset me kulturë “të lartë”, zgjodhi momentin më prestigjioz, atë grek, duke pritur në rrethin e tyre intelektualë dhe artistë helenë, transmeton ‘konica.al’.
Qeverisjet dhe burokracitë. Për sa i përket aftësisë logjistike, kjo u shfaq sapo u zgjerua territori i kontrollit. “Sekreti i suksesit, – vazhdon Carafa, – ishte në organizimin dhe përsosjen e makinës shtetërore. Kështu lindi burokracia, me “ministri” dhe zyrtarë të veçantë për çdo sektor të administratës. Vetëm perandoritë e mëdha të Lindjes kishin diçka të tillë”. Përveç kësaj, shteti romak mund të mbështetej në një sistem ligjor të paprecedentë dhe në një ushtri të aftë, për t’iu përshtatur çdo kërkese të re të luftës. Merita e madhe e romakëve ishte se dinin të kuptonin të mirën e popujve të pushtuar, duke e ripunuar dhe ripërmirësuar atë. Më pas, me ta përvetësuar mësimin, trashëgimtarët e Romulit i likuidonin “mirëbërësit”. Me përjashtim të traditës së zbulimeve dhe shfrytëzimeve të tyre, të shndërruara ndërkohë romake në të gjitha aspektet.
ObserverKult
Lexo edhe: