Çmimi kryesor i festivalit “Çmimi Teki Dervishi” që iu dha shkrimtarit Zija Çela për librin “Thika pa gjak”, botuar nga Onufri.
Më 9 maj, në qytetin e Gjakovës, nën organizimin e klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” u mbajt edicioni i 58-të i Festivalit Letrar.
Përpos çmimit “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë, që njëherësh iu nda dy shkrimtarëve Diellza Berishës dhe Anton Markut, çmimi për prozën më të mirë, iu nda shkrimtarit, Zija Çela.
“Çmimi Teki Dervishi” që iu dha shkrimtarit Zija Çela për librin “Thika pa gjak”, botuar nga Onufri, njëherit është edhe çmimi kryesor i këtij festivali.
Kryetari i klubit letrar, shkrimtari Muharrem Kurti, i cili e dorëzoi çmimin në emër të jurisë, ndër të tjera tha se ky vëllim vjen me nivelin letrar më përfaqësues të letersisë sonë bashkëkohore.
“Ashtu si në romanet e tij aq të mirëpritura, autori e ka ngritur fjalën shqipe në perfeksion; jo rastësisht Zija Çela quhet edhe magjiku i letersise sonë, sepse ai dëshmohet si shkrimtar i realizmit magjik me një nivel sipëror. “Thika pa gjak” dëshmon sërish forcën shprehëse dhe mrekullinë artistike të shqipes. Unë jam ende nën ndikimin dhe magjinë e këtij libri”, pohoi Kurti.
Festivali fillimisht ka qenë nismë e shkrimtarit Din Mehmeti, si miting i poezisë. Ndërsa klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, këtij mitingu, i ka dhënë statusin e festivalit veteran, më jetëgjatit nga të ngjashmit e tij midis organizimeve shqiptare.
Në vazhdim mund të lexoni të dy poezitë e autorëve që morën çmimin e parë “Ali Podrimja” në këtë festival.
POEZIA KËRKON POETIN
S’ka poetë, njerzimi mbeti ters,
i mori qielli apo i mbuloi dheu?
Nisem udhës të kërkoj por si për
dreq një glob qe mbushur me
poetë të rremë, që vardiseshin
kënd më kënd, e shisnin mend.
Më thonë poezia ec me kohën,
vallë kjo kohë është të aktrosh
poetin, jo po e kërkoj të vërtetin.
Fjala rrëmbehet e kërkon
atë por se gjen dot penën
që iu dhuroi ekzistencën.
Fëmija kërkon nënën!
Ç’ti them poezisë që s’ka më
ndjenjë por bartet dorë më
dorë ku secili mundohet t’a
autorizojë.
Ky fëmijë nuk bindet
keqtrajtohet, tkurret
e dhunohet, humbet jetën,
në gjethurinat e vjeshtës.
Fjalën e fërfëlliu era, e lagi
shiu, tek kalbej me gjethet
e tjera.
E mori njerka, e shkreta!
Më dhimbset poezia,
deri këtu e solli njerzia.
Nga Diellza Berisha
DITA E TETË
Rrugës nga djepi te varri
vetëtimat na ndjekin nga pas
deri në ditën kur të lodhet ecja.
Para se t’i shpërlajmë sytë me ujë qielli
kohën do e puthim në buzë
për të fundit herë.
Mes gjoksit
do të hapet një det
që do i mbulojë të gjitha prrojet
para këmbëve tona.
Trupat tanë do të nisen dikah
veç shpirtrat do të mbesin në peshojë.
Atëherë
të gjitha profecitë do të përmbushen.
Asgjë më nuk do të teprojë.
Vijave të shiut do të shtrihen
emrat e lagur bujtinave të mëkatit
Në të zeza do të vishen
murgjjt mjekërbardhë.
Nga Anton Marku
ObserverKult
Lexo edhe:
GJUHA SHQIPE PJESË E DEPARTAMENTIT TË LETËRSISË KRAHASUESE NË HARVARD