Charles Bukowski kishte diçka për të thënë…

Charles Bukowski
Henry Charles Bukowski (16 gusht 1920 – 9 mars 1994)

Charles Bukowski është një nga shkrimtarët më origjinalë të shekullit të 20-të. Një prej atyre për të cilët mund të thuhet me plot gojën se të shkruarit dhe arti përkojnë ose janë plotësisht në përputhje me jetën.

Dimë në fakt, se rrugëtimi i jetës ishte njëlloj si të shkruarit e tij: i vrazhdë, këmbëngulës dhe abuzues. Gjithmonë jetonte në kufirin midis përhumbjes etilike, burgosjes dhe njohjes letrare. Koincidenca e jetës dhe e shkrimit, në rastin e tij është përçarëse: midis një fjalie të pistë dhe tjetrës. Lexuesi has perla urtësie të një filozofi ekzistencialist, por edhe një aftësi e madhe për të reflektuar mbi marrëdhëniet njerëzore dhe kuptimin e letërsisë.

Për Bukowskin, të shkruarit nënkuptonte hedhja në letër e jetës pa pretendime stilistike, madje jo rrallë i ngacmonte ashpër kolegët (edhe pse për një kohë të gjatë ai qe i njohur në botën letrare) që përdornin stilin ose historinë për të joshur lexuesin, duke treguar për gjëra që nuk i kishin përjetuar ose dinin fare pak, apo duke shkruar në një mënyrë të largët nga mënyra sesi realiteti mund të ndodhte ose të përjetohej nga një individ mesatar.

Mund të gjendet një përqendrim i këtyre aspekteve, përkatësisht konceptimit të artit dhe shkrimit në veçanti. Por edhe të mënyrës së të kuptuarit të marrëdhënieve në botën letrare. Si dhe të konceptimit të jetës siç mund të shihet dhe jetohet nga një artist në letrat që Bukowski u shkroi midis viteve 1940 dhe 1990 miqve. Shkrimtarëve, redaktorëve të revistave, agjentëve letrarë dhe botuesve. Me të cilët ai kishte të bënte në karrierën e tij dhe të cilat u mblodhën në “Mbi shkrimin”, transmeton ‘Konica.al’

Nga pikëpamja stilistike, libri tregon më së miri shkrimin ritmik të Bukowskit, talentin në përdorimin e fjalëve blasfemuese. Mospërfilljen në menaxhimin sintaksor të fjalisë, duke mos e humbur kurrë sensin e të folurit. Pavarësisht se kush është bashkëbiseduesi të cilit i drejtoheni.

Nga ana tjetër, nga një këndvështrim më përmbajtjesor, neveria për mjedisin letrar dhe mediokritetin e tij. Ndërgjegjësimi për peshën e miqësive dhe lidhjeve me njerëz “me rëndësi” për të arritur më lehtë botimin. Pasiguria e përzgjedhjeve të revistave se çfarë duhet botuar, natyrën qesharake të leximeve poetike. Konceptimin e artit si diçka që duhet të lidhet pazgjidhshmërisht me jetën dhe që humbet kuptimin nëse nuk ekziston. Siç ndodh shpesh te shumë shkrimtarë që janë tepër të vetëdijshëm (dhe që shpesh, autori i denigron në mënyrë shpërfillëse).

Bukowski tregon se është gjithmonë i vetëdijshëm për kufijtë dhe virtytet e tij si shkrimtar. Si dhe për mënyrën e guximshme dhe të egër (por, shpesh ironike) në të cilën, ai trajton tema të caktuara. Duke i diskutuar hapur këto aspekte me bashkëbiseduesit e vet dhe duke treguar qysh në fillim. Një pamje të jashtëzakonshme reflektimi ndërgjegjësimi dhe pjekurie artistike, pavarësisht nga ajo që shumëkush nxitet të mendojë. Duke u fokusuar vetëm në qëndrimet, mënyrën e paraqitjes dhe stilin e shthurur të jetesës së tij.

Mbi të gjitha, vërehet sesa nga vlerësimet për mjedisin letrar dhe gërshetimet e tij të brendshme, mund të ngjajnë me atë që shumë mendojnë dhe jetojnë ende në lidhje me atë mjedis nga brenda. Ashtu si të shkruarit e tij imagjinar, letrat e Bukowskit janë autentike dhe të guximshme. Në to stili i shkujdesur dhe vulgar, si në tregimet e tij, nuk është kurrë qëllim në vetvete. Por gjithmonë funksional për përmbajtjen që duhet përcjellë.

Pa lënë mënjanë atë të përmbajtjeve: jeta, marrëdhëniet njerëzore, arti, shoqëria, politika etj. Megjithëse ishte i përkushtuar për frekuentimin e lagjeve të varfra, tavernat dhe pistat e garave. Bukowski kishte diçka për të thënë dhe ajo çfarë ai thotë, shpesh është ndriçuese dhe argëtuese. Si për ata që merren me shkrime, ashtu edhe për ata, që, si një lexues i thjeshtë, reflektojnë mbi realitetin që e rrethon. 

Në fund të fundit, ky ishte mesazhi i tij si burrë dhe si shkrimtar: të përpiqet të bëjë atë që është i prirur të bëjë, edhe me çmimin e davaritjes së jetës. Për të thënë të vërtetën dhe për të lënë gjurmë, duke shpresuar gjithashtu, ta bëjë lexuesin që ndeshet me shkrimet e veta edhe të qeshë sadopak. Dhe ia doli!


Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: DO TË VIJ NË VARRIMIN TIM…

ObserverKult