Charles Bukowski: Do të vij në varrimin tim…

Kjo femër më telefonon pareshtur
ndonëse i them jetoj me gruan
që dashuroj.

dëgjoj zhurma papushuar në mjedis,
ajo telefonon,
mendova që ishe ti.

unë? kam ditë me radhë
pa u pirë.

epo, ndoshta s’ke qenë ti por mua m’u bë
sikur qe dikush që rrekej të më vinte
në ndihmë.

ndoshta ishte Zoti. ta ha mendja është atje lart?

po, Ai është një grremç që varet tavanit.

kështu mendova dhe unë.

po rris domate në bodrum,
ajo më tha.

ndjeshmëri e paparë.

dua t’ia mbath. nga t’ia mbaj?

veriu është afërmendsh. në perëndim është oqeani. lindja i përket të shkaurës, jugu e vetmja rrugë.

jug?

po, por pa e kaptuar kufirin. për gringot
do të thotë vdekje.

me kë ngjan Salinasi? ajo më pyet.

nëse të është tekur për sallatë
shko te Salinasi.

befas ma mbyll telefonin. gjithmonë kështu ma bën. e përherë
më merr mbrapsht të nesërmen ose pas një jave ose pas një muaji. do të vij në varrimin tim tok me domatet dhe numëratorin telefonik rrasur në xhepat e
palltos ngjyrë mish i prishur që mban veshur në vapën e 39 gradëve,
di t’ua gjej anën zonjave.

Përktheu: Virgjil Muçi

*Titulli i origjinalit: “Karizma”