Promovohen dy vepra të Kudusi Lames, njëra kushtuar Rexhep Qosjes

Rexhep Qosja

Në Universitetin e Tetovës u përuruan veprat: “Nëna ime Mihane Lama” dhe “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, të autorit të njohur, Prof. Dr. Kudusi Lames.

Botimi i këtyre veprave, sjell një kontribut të çmuar me interes për opinionin kulturor, studentët, kritikët e artit dhe studiuesit shkencorë.

Në veprën voluminoze “Rexhep Qosja – filozof, ideolog dhe politikan i çështjes kombëtare”, Prof. Dr. Kudusi Lama, përpos tjerash, në vlerësimin e mendimit kritik të profesor Qosjes, shprehet se ai luan dhe do të luajë një rol të madh për të vënë pikën mbi i, për të gjitha çështjet e filozofisë, ideologjisë dhe politikës kombëtare shqiptare e njëkohësisht duke i dhënë atij mendimi kritik edhe dimensionin ndërkombëtar. Pra, mendimi kritik i Rexhep Qosjes ka përfshirë gjithë spektrin e qëndrimeve, të veprimeve dhe të krijimeve kombëtare, si dhe të të gjithë të huajve, kryesisht të atyre të huajve që janë marrë me shqiptarët dhe çështjet e tyre.

Vepra e profesor Lames për akademik Qosjen, shtjellon në tërësi krijimtarinë unike dhe veprimtarinë intensive në shërbim të kombit tonë dhe këtë e argumenton në kapitullin: Qosja na jep modelin si duhet punuar për çështjen kombëtare.

Në këtë kapitull ai shton se ajo që e bën madhështor Qosjen është fakti se ai nuk është i dashuruar thjesht vetëm e vetëm pas kombit të vet e bashkëkombësve të tij. Ai i do të gjitha kombet me atë dashuri që e do kombin e tij dhe në këtë mënyrë afirmon idenë që i shërben afrimit të kombeve me njërin –tjetrin, sepse vizioni i tij shikon larg e thellë dhe ai nuk ndalet në kufijtë e Kosovës, apo të Shqipërisë.

Vepra tjetër po aq e rëndësishme që e promovojmë sot, “Nëna ime Mihane Lama” nga ekipi botues është vlerësuar si një rrëfim me një ndikim të veçantë pedagogjik, por edhe një histori njerëzore e shoqërore me përmasa të një romani shumëpalësh.

Kjo vepër monumentale për nënën dhe shenjtërinë e saj, për lexuesin pasqyron në detaje mjedisin dhe zakonet e tij, natyrën, mendimet, gjuhën dhe etikën e saj, por mbi të gjitha se ajo punoi pa u lodhur deri në çastet e fundit të jetës për të mbajtur dhe drejtuar një familje që të kishte dinjitet e vlerë, për të rritur breza të aftë, që të mos i nënshtroheshin së keqes e të kishin fuqi e aftësi për ta çuar jetën e familjes, përparimin e zhvillimin dhe për t’u bërë shembull edhe për të tjerët, dhe si shqiptare e vërtetë dhe e devotshme bëri të gjitha përpjekjet për të qenë një luftëtare e paepur për përparimin kombëtar.

Për të gjithë ne, leximi i kësaj monografie përbën një detyrim intelektual, sepse sikurse thoshte edhe Abraham Linkolni: “Libri më i mirë që e kam lexuar në jetën time, ka qenë Nëna”.

*Pjesë nga fjala Prof. Dr. Vullnet Ametit – prorektor për Arsim në Universitetin e Tetovë


Lexo edhe:

REXHEP QOSJA: HERONJTË E LUFTËS DHE HERONJTË E MENDJES

ObserverKult