Në 10 qershor 1967, Spencer Tracy, një yll i kinemasë së kohës që ishte nominuar për nëntë Oscar si aktori më i mirë gjatë karrierës së tij të spikatur, dy prej të cilëve i fitoi, ndërroi jetë pas një ataku në zemër në shtëpinë që ndante me partneren e tij, aktoren fituese të disa Oscarëve, Katharine Hepburn.
Historia e tyre 26-vjeçare e dashurisë ishte shumë e ndërlikuar, më e pakta prej faktit që Tracy ishte i martuar me një tjetër grua gjatë gjithë kohës – një fakt i sikletshëm, i cili i detyroi ta mbanin të fshehtë këtë fakt përgjatë gjithë jetës së tyre. Pothuaj 18 vjet pas vdekjes së Tracyt, Hepburn i shkruajti këtë letër:
I dashur Spencer,
E kush do ta mendonte që unë do të të shkruaja ty një letër. Ti vdiqe në 10 qershor 1967. O Zot, Spencer, plot 18 vjet më parë. Është një kohë e gjatë. A je i lumtur, më në fund? A është një pushim i gjatë dhe i këndshëm, ky që ke patur? Një kompensim për jetën tënde gjithë mundime e trazira? E di, nuk të besoja asnjëherë kur më thoje se nuk flije dot gjumë. Lëri këto, Spence, nëse nuk flije, do të ishe i vdekur. Do të ishe i rraskapitur. E mban mend atë natë kur ishe shumë i shqetësuar. Dhe unë të thashë: Epo vazhdo, shko në shtrat. Dhe unë do të shtrihem në dysheme, e do të të flas, deri sa të të zërë gjumi. Unë do të flas e do të flas, e ti do të mërzitesh aq shumë, saqë do të të zërë gjumi.
E mban mend, unë shkova mora një jastëk të vjetër dhe qenushin Lobo. Nisa të flas për ty dhe filmin që sapo kishim përfunduar – “Gjeje kush do të vijë për darkë” – dhe për studion tonë, për pallton tënde të re prej leshi, për kopshtin, për gatimin, për thashethemet, dhe për të gjithë temat e tjera që të vënë në gjumë. Por ti nuk pushove asnjëherë së kthyeri sa andej-këndej në shtrat, majtas, djathtas, hidhje jastëkët, tërhiqje jorganin, pa pushim. Në fund – vërtetë, më në fund – u qetësove. Unë prita pak, dhe u largova zvarrë.
Më the të vërtetën, apo jo? Ti vërtetë nuk mund të flije.
Unë atëherë vrisja mendjen – përse? Ende vazhdoj të pyes. Ti i pije hapjet. Ishin shumë të forta. Ma merr mendja që do të duhet të thuash se, përrndryshe, nuk do të mund të flije fare. Të jetuarit nuk ishte gjë e lehtë për ty, apo jo?, transmeton ‘bota.al’
Çfarë të pëlqente të bëje? Dashuroje lundrimin, sidomos në mot me stuhi. Të pëlqente polo. Por pastaj, Uill Rogersi gjeti vdekjen në atë aksidentin me avion. Dhe ti nuk luajte më kurrë polo – kurrë më.
Tenis, golf? Jo tamam. Mund të godisje nja dy-tre topa. Nuk mendoj se e vërvite ndonjëherë një shkop golfi. Not? Jo, nuk të pëlqente uji i ftohtë. Dhe shëtitjet? Jo, nuk të pëlqente të ecje në këmbë. Jo, sepse ishte një prej atyre gjërave që të bënte të mendoje në të njëjtën kohë – për këtë, për atë, për çfarë, Spence?
Çfarë ishte ajo që mendoje? A ishte ndonjë gjë e veçantë për jetën, si fakti që Johnny ishte i shurdhër, apo katolik, dhe ti ndiheshe një katolik i keq? Nuk gjeje rehat ti, asnjëherë. Më kujtohet Atë Ciklici që të thoshte se ti përqëndroheshe tek gjithë të këqiat, dhe tek asnjë prej të mirave që të ofronte feja jote. Duhet të ketë qenë diçka shumë themelore, dhe e gjithëpranishme.
Dhe fakti i pabesueshëm. Ja tek ishe ti – aktori më i madh i kinemasë. E them këtë sepse e besoj, dhe kam dëgjuar shumë njerëz në këtë botën e kinemasë që e thonë. Që nga Olivieri, tek Lee Strasbergu dhe David Leani. Mund të bëje gjithçka ti.
Dhe mund ta bëje me atë thjeshtësinë e lavdishme: thjeshtë e bëje dhe kaq. Ti nuk mund të hyje brenda jetës tënde, por mund të bëheshe dikush tjetër. Ti ishe vrasës, prift, peshkatar, sportist, gjykatës, gazetashitës. Bëheshe në çast.
Rrallëherë të duhej të studioje. I mësoje skenarët sa hap e mbyll sytë. Çfarë çlirimi! Për pak momente, mund të ishe dikush tjetër. Nuk ishe ti – dhe si pasojë, ishe i sigurtë. Të pëlqente të qeshje, apo jo?
Nuk lije asnjëherë të të shpëtonin komikët: Jimmy Durante, Phil Silvers, Fanny Brice, Frank McHugh, Mickey Rooney, Jack Benny, Burns dhe Allen, Smith and Dale, dhe i preferuari yt, Bert Uilliams. Histori dëfryese: mund t’i riprodhoje, dhe në mënyrë brilante. Mund të qeshje me veten tënde.
Të pëlqente shumë shoqëria dhe admirimi i njerëzve si Kaninët, Frank Sinatra, Bogie dhe Betty, George Cukor, Vic Flemming, Stanley Kramer, Kennedyt, Harry Trumani, Leu Douglasi. Argëtoheshe me ta, ndiheshe i sigurtë me ta.
Për të rikthehemi në gjyqet e jetës. Ah, në djall, merr një pije – po-jo-ndoshta. Pastaj mos pi më. Ishe i mrekullueshëm për këtë, Spencer. Ishe në gjendje që thjeshtë të ndaleshe e të mos pije më. Sa shumë të respektoja për këtë. Shumë e pazakontë.
Për këtë temë, ti thoshe: nuk je kurrë i sigurtë, deri kur je shtatë pashë nën dhe. Po përse kapanxha ishte gjithmonë e hapur – për t’u larguar gjithmonë nga vetja jote?
Çfarë ishte, Spencer? Kam dashur të të pyes gjithmonë. A e di se çfarë ishte? Çfarë the? Nuk të dëgjoj…
Lexo edhe:
NJË GRUSHT ME POEZI NGA STEFAN ÇAPALIKU
ObserverKult