Poezi nga Ragip Sylaj
Shqiptari primitiv vdes për fjalën
Për nderin e fjalës
E për fjalën e nderit
Se fjala e nderi për të janë jetë e amshueshme
Shqiptari primitiv ta hap zemrën dhe derën
Se është i vetes sa i të tjerëve
Se është i të tjerëve aq sa i vetes
Shqiptari primitiv e merr në mbrojtje të dobëtin
Të drejtin
I do kafshët e bimët si vetveten
Betohet në tokë e në qiell
Në bukë e në fjalë
Shqiptari primitiv s’di të bëjë kurthe si njeriu modern
T’i ndërrojë fytyrat e gëzofin sipas motit
S’mund ta lëpijë atë që e pështyn
As ta hajë atë që e vjell
Shqiptari primitiv
S’e ka mësuar artin e mashtrimit
Andaj ka mbetur i papërmirësueshëm
Specie në zhdukje si çdo specie e rrallë
Hyjni e llojit të vet
ObserverKult
Lexo edhe:
TREGIM NGA RAGIP SYLAJ: S’KAM KOHË TË JETOJ ME VDEKJEN!
Mjeshtrit e talentuar ma vjedhin kohën dhe m’i ngulin plagët në shpirt. Përditë më vrasin ata që më duan, më vrasin me dashurinë e tyre që nuk e kanë. Ma vrasin këngën ata, që e kanë përjashtuar atë nga vetja. Djalli shpeshherë zë në thua në mua dhe nuk di kah e thyen qafën. Atë e ndjek një mallkim i moçëm sa vetë koha dhe vjen e më ankohet pse e ka bërë Zoti të djalltë. Nuk di pse kërkon shpagim nga unë? Do ta shpëtoja po ta meritonte, por nuk mund ta shpëtojë ai që nuk e ka në dorë ta shpëtojë veten. I vetmi shteg i tij mbetet humnera e terrtë: të mos e shohë askush.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU