Teodor Keko: Kur e di se do të vdesësh

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.
Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!
Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim

ObserverKult


LEXO EDHE:

TEODOR KEKO: TI, MUND TË MË DUASH- POR NGA UNË MOS PRIT ASGJË…

Ti, mund të më duash sa të duash, por nga unë mos prit asgjë!…
Kështu m’u përgjigj ajo femër e bukur dhjetë vjet më parë, ajo femër me kaçurrela të zeza e sy jeshilë të thellë. E ndërkallur në një xhup të madh atë acar janari, teksa prisnim në radhën e gjatë, si zakonisht, të blinim dy shishe me qumësht për fëmijët tanë të vegjël.

Pata bërë çmos t’ia fitoja zemrën dhe kohën e kisha pasur me bollëk, sepse çdo dy ditë, nga ora tre e mëngjesit deri në orën shtatë ne këtë punë kishim: hy në radhë e prit me shpresë të marrësh ndonjë shishe qumësht, mirëpo Xhina nuk ishte tunduar. Unë sillesha mirë me të.

Sa herë nuk arrinte të blinte qumësht, vezë, apo gjalpë dhe mbulohej nga trishtimi e zhgënjimi bashkë. Unë do t’i jepja diçka nga racioni i vajzës sime dhe ajo gjithmonë do të më falënderonte butësisht.

Por vetëm kaq! Me të zgjatur unë kthetrat e fjalëve propozuese për t’u takuar qoftë edhe një herë të vetme, ajo mblidhej si iriqi, duke më kujtuar atë frazën, se, kur flet, shumë-shumë, shtrembërohet buza, kurse kur e jep shtrembërohet bytha!…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU