“Trashëgimia kulturore dhe jeta ndër breza” titullohet ekspozitë e çelur në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë.
Kjo ekspozitë përmban rreth 91 fotografi nga jeta e përditshme, nga trashëgimia kulturore, zejtaria dhe shumë fusha të tjera.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, theksoi: se “është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë. Dhe mbledhjes së pestë të përbashkët të dy qeverive, të hapim këtë ekspozitë”.
“Në mars të këtij viti, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, çelëm ekspozitën “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.
Kjo është ekspozita e dytë, e cila na sjell një pjesë të rëndësishme të memories urbane. Dhe pjesë që ndoshta mund të jenë harruar dhe që mund të kenë qenë rite ose doke të vjetra të cilat pritet të ripërtërihem. Përshëndes stafin, i cili me punën e bërë tregoi edhe njëherë që kultura nuk njeh kufij”, tha Koçi.
I pranishëm në aktivitet Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, ndër të tjera tha se “pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me rastin e festave, kjo është ekspozita e parë e çelur në Shqipëri nga Sektori i Etnologjisë së Muzeut Kombëtar të Kosovës”.
“Kjo ekspozitë flet më tepër sesa ne mund të flasim”, shtoi Leci.
Vizitorit, përmes kësaj ekspozite, i ofrohet mundësia e krijimit të imazhit për mjedisin kulturor kosovar në aspektin diakronik dhe sinkronik. Me përmbajtje dhe vlera të mirëfillta të trashëgimisë kulturore.
Përmbajtja e këtyre fotografive, vizitorëve iu ofron mundësi të shumta informimi, si për: mjedisin kulturor, arkitekturën tradicionale. Pastaj për veglat dhe mjetet e punës të sektorit primar dhe të zejtarisë. Për disa zeje në shuarje ose tashmë të shuara.
Për veshje tradicionale dhe të kohës në proces, për forma tradicionale të punës në bujqësi, për poçarinë tradicionale. Mënyrën e të kënduarit me gisht në fyt, nga vajza drenicake, tash e sa vite i harruar në traditën e kësaj krahine. Si dhe për lojëra tradicionale të fëmijëve, për tregjet e organizuara në qendra të ndryshme, etj.
Ekspozita është kuruar me mjaft profesionalizëm nga kuratorët Besarda Reçica, Fahri Sheqiri, Arberina Mataj dhe mirëpret të gjithë të interesuarit për ta vizituar./ATSH
Lexo edhe:
ÇELET EKSPOZITA “NDËRTIMI I TELEVIZIONIT SHQIPTAR NË VITET 1959-1981”
“Ndërtimi i Televizionit Shqiptar në vitet 1959-1981”, është ekspozita e çelur në ambientet e jashtme të Radio Televizionit Shqiptar. Organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Radio Televizioni Shqiptar.