Kushtuar nënës… vargjet e dhimbjes, shkruar në qelitë e burgut të Shkodrës

Foto ilustrim

Vargjet e dhimbjes, shkruar në qelitë e burgut të Shkodrës nga i dënuari Tomë Marku, kushtuar nënës së tij Shaqe Marku dhe një flamur i qëndisur si dhuratë për Mid’hat Frashërin. Kalvari i familjes së patriotit shqiptar Mark Kola, gjatë regjimit komunist

“Kur ty malli nanë, zemren ta mbulojë
Për djalë tandin që burgje a tue u shue
Me duert tueja ti flamurin shpalose
Puthë për mue se atdheut i jam kushtue”

Janë vargjet e Tomë Markut, kushtuar nanës së tij Shaqe Marku, kur Toma vuante torturat në burg pas arrestimit në fillimet e diktaturës komuniste.

Kur nanë Shaqja mori fletën e zhubrosur me vargjet e të birit, humbi ndjenjat prej dëshpërimit në dyert e burgut të Shkodrës. Gardianët e morën zvarrë dhe e përcollën ashtu pa ndjenja jashtë dyerve të burgut ndërsa i biri Toma, vuante brenda hekurave torturat fizike, por edhe shpirtërore për dhimbjen e nënës së tij.

Nëna e tij Shaqe Marku nuk e braktisi kurrë, por udhëtoi nëpër burgjet e Shqipërisë për të ndihmuar të birin me veshje e ushqime. Ajo shiti gjithçka pati për të mbajtur të birin gjallë në burg.

Ishte grua nga një familje atdhetare e rritur në Çetinë të Malit të Zi, bashkëshortja e të birit të heroit të luftës së Rrzhanicës e vitit 1880, Mark Kola.

Familja e patriotit u angazhua në radhët e nacionalistëve, Ballit Kombëtar. Të ushqyer me atdhedashuri, familja e Mark Kolës do të vazhdonte traditën duke u angazhuar gjatë luftës për çlirim në radhët e Ballit Kombëtar.

Këtë atdhedashuri e përcollën edhe tek Toma, i biri i Shaqe Markut. Vajzat e nanë Shaqes qëndisën një flamur të madh shqiptar për t’ia dhuruar kryetarit të Ballit Kombëtar, figurës së shquar të Shqipërisë, Mid’hat Frashëri.

Me ardhjen e diktaturës komuniste, familja e Lec Markut, do të ndeshej me të gjithë egërsinë që do të shfaqte regjimi prej vitit 1944 e në vazhdim.

Në fund të dhjetorit 1944, u arrestua i biri i Shaqes, Tomë Marku. Menjëherë pas arrestimit, nanë Shaqja i fshehu armët dhe të gjitha materialet kompromentuese, të konsideruara si të tilla nga regjimi komunist.

Toma do të vuante më shumë se 10 vite burg gjatë diktaturës dhe gjatë gjithë kësaj kohe, ajo nuk mungoi kurrë në takimet me të birin.

Nanë Shaqja ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare e varfër dhe e braktisur pasi edhe i biri ndërroi jetë më herët prej sëmundjeve që trashëgoi nga torturat në burgjet komuniste.

Shaqe Marku është një ndër mijëra nëna të cilat vuajtën dhimbjen e bijve të tyre të vrarë apo të burgosur nga regjimi komunist./kujto.al

Shënim: Materialet janë marrë nga libri: ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi


Lexo edhe:

JA SI ISHTE FËMIJËRIA NË SHQIPËRI NË VITET E ’90-TA (FOTO)