Mjafton të bësh një test fluturimthi dhe do të bindesh se gati në çdo familje shqiptare – programi i telenovelave turke ka dëbuar nga vëmendja leximin dhe nëse provon të bëhesh avokat i librit, në fund përfundon si një prokuror urryer i “kohës së lirë të njerëzve”. Te ne, “kohë e lirë” llogaritet qëndrimi si debil disa orë para televizorit
Nga Emin Azemi
Shkupi ka fare pak librari me libra shqip, por kur ndalesh në semaforë për të pritur të portokalltën, ndesh në vetura të shtrenjta e tepër luksoze. Nga kureshtja e gazetarit, rastësisht të bie të kuptosh se gjithë këto “bisha” me katër rrotë, lëvizin në drejtim të lagjeve të banuara me shqiptarë. Brenda këtyre makinave ndodhen njerëz që sefaja i ka bërë të distancohen nga trivialiteti i jetës. Ata, sigurisht ka kohë që nuk kanë lexuar ndonjë libër, pra ata janë distancuar edhe nga kënaqësia që të jep leximi i librit. Por, faji nuk është i tyre pse në Shkup nuk ka librari me libra shqip. Faji qëndron sigurisht te sallonet automobilistike, të cilët janë shumë më të fuqishëm në reklamimin e produkteve të tyre. Ke spote disa sekondëshe që përshkruajnë cilësitë motorike-mekanike e stilistike të markave të fundit të automobilave, kurse klientët e këtyre salloneve (shumica prej tyre) zakonisht vinë nga zonat gri të sub-kulturës, ku libri është trajtuar gjithmonë si “armik”, kurse ata që lexojnë libra si “njerëz të dyshimtë”.
Dikush mund të thotë po çfarë faji ka industria e makinave dhe efektet vizlluese të reklamimeve, ndërkohë që kujdesi për librin është reduktuar në një grup të vogël entuziastësh, të cilët bëhen të gjallë vetëm gjatë panaireve ose gjatë ndonjë manifestimi ad hoc letrar. Sot, pak kush dhuron libër për ditëlindje, por edhe më pak mund të gjesh ndonjë restorant ose kafene ku krahas kafes dhe ushqimit, mund të shoqërohesh për pak çaste edhe me ndonjë libër të vendosur diku në qoshen e lokalit.
Kontakti me librin ka humbur, ngjashëm me ndonjë person të padëshiruar të cilit nuk duam t’ia shohim sytë. Ky kontakt është bërë edhe më i shkëputshëm pas futjes në shtëpitë tona të turli personazhi anadollak që etjen për lexim na e shuan me trushpërlarje. Mjafton të bësh një test fluturimthi dhe do të bindesh se gati në çdo familje shqiptare – programi i telenovelave turke ka dëbuar nga vëmendja leximin dhe nëse provon të bëhesh avokat i librit, në fund përfundon si një prokuror urryer i “kohës së lirë të njerëzve”.
Te ne, “kohë e lirë” llogaritet qëndrimi si debil disa orë para televizorit. Ndodhë që edhe në prani të mysafirit, televizori vazhdon të bëjë punën e tij. Ai bën zëvendësimin e mikpritësit dhe i dhuron mysafirit një dry në gojë, kurse personazhi anadollak ta zë frymën me uljen e tij këmbëkryq në mes mysafirit dhe të zotit (zonjës) të shtëpisë. Varësisht nga kohëzgjatja e telenovelës, ndodhë edhe drynosja e gojës, e cila mund të hapet vetëm nëse ke mbet pa gjumë, por jo edhe për të shkëmbyer ndonjë fjalë me njeriun që se ke pa një kohë të gjatë.
Teknologjia për bluarjen e afërsisë midis njerëzve, si zëvendësim i një kohe të munguar që do t’ia falnim njëri-tjetrit, sot mund të duket edhe si smartfon, edhe si laptop, edhe si Ipad, edhe si televizor, por jo edhe si një libër që mund t’ia dhurojmë dikujt. Bile shumë lehtë mund të shpallesh anakronik e njeri i demoduar nëse gabon dhe fut në xhep apo çantë ndonjë libër, me mend që të tejkalosh mërzinë që të jep pritja e autobusit, taksisë, apo mikut të vonuar në takim.
Edhe sa kohë nëpër semaforë do të shohim vetëm makina të shtrenjta me ngasës që vijnë nga betejat e mundura të injorancës që prodhon anti-heronj të librit? Ose, deri kur në shtëpitë tona mysafirin do ta zëvendësojnë personazhet anadollak që pinë çaj rusi për vete e ty ta dhurojnë një dry sa për seri. Kurse për librin nuk po mbetet vend, pos ta dëbojmë në zonat e padukshme të kohës së harxhuar për gjëra të kota.
Lexo edhe:
Emin Azemi: PERIFERIA DHE PERIFERIKËT, DASHURINË NJERËZORE MUND TA BARTIN NË QENDËR TË BOTËS
ObserverKult