Valltari i njohur shqiptar, Besim Jazexhiu, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.
Lajmin e hidhur e bëri të ditur Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, me anë të një postimi në Facebook teksa ka bërë edhe një jetëshkrim të shkurtër të karrierës së tij.
“Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me hidhërim të thellë mësoi për ndarjen nga jeta, në moshën 76-vjeçare, të një nga figurave më të spikatura si valltar dhe drejtues i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, koreografit Besim Jazexhiu”, shkruan ndër të tjera TKOB.
Zanafillën e parë në art, Jazexhiu e ka pasur në zhanrin e akrobacisë. Është një ndër akrobatët e parë shqiptar. Në vitin 1959, u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik. Nga viti 1961 filloi punë si balerin profesionist në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Ky ishte fillimi i karrierës së tij si balerin dhe valltar profesionist. Gjatë kësaj periudhe, krahas kërcimit në trupën e baletit ka realizuar personazhe në balete të ndryshme.U paraqit në “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Laurenca”, “Fadeta”, “Petja dhe Ujku” etj.
Në vitet 1965-1968, kryen shërbimin ushtarak në Ansamblin e Ushtrisë si solist i parë i grupit të valleve dhe më pas, nga viti 1968 solist në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku krahas punës si solist, ka kryer edhe detyrën e koreografit dhe Drejtorit Artistik.
Krahas interpretimeve me nivel, ku binte në sy individualiteti dhe vërtetësia, Besimi është dalluar dhe për përdorimin e lodrës gjatë valleve të ndryshme.
Gjatë gjithë karrierës së tij artistike në Ansambël ka interpretuar valle nga të gjitha trevat e Shqipërisë, ku ka shkuar ky ansambël si brenda vendit, ashtu edhe gjatë turneve jashtë shtetit.
Anëtar i Këshillit Artistik, i komisioneve në katër festivale folklorike me detyrë koreograf edhe në disa komisione të Dekadave të Majit.
Gjatë karrierës së tij si koreograf, Besim Jazexhiu realizoi rreth 20 krijime, valle të ndryshme me AKKVP ashtu edhe me shumë grupe amatore të ndërmarrjeve të ndryshme, si valle me motive dibrane, “Valle me motive të Tiranës”, “Valle e Lezhës” “Valle e Leskovikut”, “Nusja e Fajes”, “ Valle me motive të Veriut”, “Kurrë se ulëm kokën”, “Motive kosovare”, “Sarajet e Ali Pashait”, “Valle arbëreshe” e shumë të tjera.
Ka një jetë të gjatë artistike 40-vjeçare që nga 1954 e deri në vitin 1997. Pas viteve ’90, kontributi i tij shtrihet dhe në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi si dhe zonat ku banojnë arbëreshët në Itali.
Gjatë karrierës së tij artistike është nderuar me fletë nderi, medalje, çmime të para dhe Urdhrin “Naim Frashëri” klasit II””./shqiptarja.com
Lexo edhe:
PERIKA GJEZI, AKTORI QË NDËRROI JETË NË AKSIDENT AUTOMOBILISTIK
ObserverKult