Vasil Mema prej vitin 2015 është anëtar i Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ të bashkisë së Durrësit. Gëzon edhe titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.
Nga Bashkim Koçi
Është një realitet i padiskutueshëm që të gjithë ne, përfshirë edhe brezat e sotëm, jemi rritur me këngët partizane. Këto këngë gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ngrinin peshë moralin e luftëtarëve. I frymëzonin ata të ndesheshin dhëmb për dhëmb me armikun pushtues.
Këngët e famshme: “Rini, rini”, “Malet me blerim mbuluar”, “Dalëngadalë po vjen behari”, “Ato maja rripa-rripa”, “Që nga gjokset djaloshare” etj. etj., na gjëmojnë ende në vesh. Pa dashje, ato na kthejnë në ato vite të lavdishme të luftës çlirimtare, kur populli u ngit i tëri në këmbë, për të fituar lirinë. Për fat të mirë, këto këngë këndohen edhe sot po me aq zjarr, pasion e dashuri.
I dëgjojmë shpesh e më shpesh kur mblidhemi për të përkujtuar ngjarje nga Lufta Nacionalçlirimtare. Kur kujtojmë Heronjtë dhe Dëshmorët që ranë në atë luftë. Shpesh edhe në mjedise festive mes veteranësh e pasardhësish, të cilët këto këngë i bëjnë të ndjehen krenarë për atë histori tonën të lavdishme.
Vasil Mema- kompozitori që preku hapësira të reja në krijimtari
Për çka ndjej obligim moral për të shkruar, jo vetëm për ata kompozitorë, të cilët na dhanë këngë të jashtëzakonshme të frymëzuar nga ai mjedis luftarak që krijoi rinia atje, në zjarrin e luftës partizane, por edhe për ata që janë dhe mbeten të jenë “luftëtarë” të kohërave të sotme. Mbështetës të betuar të mbrojtjes së vlerave të LANÇ-it, siç është kompozitori durrsak, Vasil Mema.
Ai, veç krijimtarisë si artist, duke shkruar disa tablo muzikore për fëmijë, kantata, opereta, apo në gjininë instrumentale për fizarmonikë, piano, violinë, sonet e Koncert për Violonçel e Orkestër Sinfonike, suita vallesh popullore e koreografike etj., ka guxuar të kapë edhe disa hapësira të reja, pak të pashkelura nga kompozitorë të tjerë, siç janë këngët që rrahin tema të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ky kompozitor pasionant, të cilin dëshiroj ta quaj “Kompozitor të LANÇ-it”, së fundmi na ka dhuruar dy krijime nga më të arrirat, siç është “Gëzuar Ditën e Veteranit” dhe “Heronjve dhe Dëshmorëve të LANÇ-it”. E para me tekst të shokut Odhise Porodini dhe e dyta nxjerrë nga krijimtaria e poetit të papërsëritshëm Arben Duka.
Ky intelektual i krijimtarisë në fushën e muzikës nuk vjen rastësisht të jetë dashurues dhe pasionant i këngës të luftës partizane. Jo! Vasil Mema bëhet të jetë i tillë sepse është pinjoll i familjes së vjetër durrsake me rrënjë të thella të veprimtarisë patriotike dhe me kontribute të mëdha në luftën Çlirimtare. Vasili është biri i luftëtarit Andrea Mema. Andrea ishte burri që iu bashkua Çetës së Babë Myslimit për të luftuar krah për krah me atentatorin e famshëm Kajo Karafilin. Më pas u radhit në Brigadën e 22 Sulmuese si kuadër i rëndësishëm i saj.
Nëna e Vasilit- veteranja më të respektuara të qytetit të Durrësit
Pra mbetet të jetë “biri i babait”, i atij njeriu që nuk e njohu kurrë pozicionin e njeriut kokulur, i të turpëruarit. Andrea u nda nga jeta fare i ri, 38 vjeç. Po Vasili Mema është edhe biri i nënës Mellani Hebës. Durrsakes së bukur, e cila kur mbeti “kallogre” iu desh të zbatonte atë që i kish mësuar jeta, se një grua e bukur, mbetur e ve, të ngutej të thyente pasqyrën e saj. Dhe kjo nënë që i rriti, i edukoi e i shkolloi të tre fëmijët e saj, Vasilin dhe dy vajzat, Tanjën dhe Lidën, mbeti të ishte deri në fund të jetës së saj një nga veteranet më të respektuara të qytetit të Durrësit.
Pra Vasil Mema nuk mund të ishte ndryshe, veç trashëgimtar i denjë i dy prindërve që e mbyllën jetën në mënyrën më të bukur dhe të jenë bërë pjesë e historisë më të lavdishme të qytetit bregdetar.
Dhe meqë jemi tek ky personazh me vlera të çmuara, tek i cili nuk ka munguar kurrë dëshira për të dhënë ndihmesën e tij modeste edhe si drejtues e organizator pranë Organizatës së LANÇ-it të bashkisë së Durrësit, të mund të japim paksa “të shtrydhur” punën dhe veprimtarinë e tij në vite.
Shkolla e Muzikës e Durrësit i shpëtoi mbylljes falë Vasil Memës
Vasil Mema i rritur pa baba, por me genin e tij në gjak e në zemër, ka bërë një jetë që ja ka vlejtur të jetohet. Ai pasi mbaroi shkëlqyeshëm Liceun Artistik në Tiranë, vijoi studimet në Akademi për Kompozicion. Në vitin 1975 u emërua në shkollën e muzikës të qytetit të Durrësit, ku punoi 41 vjet pa shkëputje. Për rezultate të larta në procesin mësimor-edukativ, është vlerësuar disa herë si mësues që dashurinë për profesionin e shikonte tek rezultatet me nxënësit. Madje ishte aftësia e tij që t’i besohej pozicioni i Kryetarit të Komisionit në konkurse të ndryshme të fushës së muzikës apo që t’i besonin të ishte edhe drejtuesi i Grupit Artistik të shkollës.
Në këtë rrugëtim ngjitjeje të Vasil Memës gjejmë edhe një moment, i cili e bën të veçohet nga të tjerët. Aty del jo vetëm aftësia për të dalë në krye të një pune ku të tjerët tërhiqen e bëjnë të shikojnë punët e tyre brenda vetes, por edhe për aftësitë e tij profesionale. Si mësues shumë i përgatitur e me përvojë, në vitin 2003, pikërisht kur shkolla rrezikohej të mbyllej për të mos u hapur kurrë, vendosi të marrte detyrën e drejtorit. Edhe sot e kësaj dite, pra pas rreth 20 vjetësh, mbahet mend se Shkolla e Muzikës e Durrësit, nga ato më me emër në shkallë vendi, i shpëtoi mbylljes falë përkushtimit, organizimit në detaje të punës të kompozitorit Vasil Mema dhe stafit pedagogjik.
Pra ajo shkollë, e cila mban emrin e dëshmorit të atdheut “Jan Kukuzeli” e cila përjetoi agoninë fatale e që do ta çonte drejtë vdekjes, u ringrit, u ringjall dhe sot radhitet ndër shkollat me rezultate të mira në shkallë vendi. Dhe për kuriozitet, atë shkollë e drejton i biri i tij, dirigjenti plot talent, Orges Mema.
Kompozitori Vasil Mema, falë talentit dhe përpjekjeve të tij për të bërë punë të mira e të arrira artistikisht, ka merituar shumë vlerësime e çmime si pjesëmarrës në disa Festivale të Këngës në RTSH në Tirane e Durrës. Në Festivalet e Q.K.F. në Durrës e në rrethe; në Festivalet Popullore; në Anketat Muzikore; në Ansamblet Artistike, etj. Falë kësaj krijimtarie të frytshme e të suksesshme, ai ka qenë për shumë vite edhe Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.
Por ajo çka e dallon kompozitorin Vasil Mema nga krijuesit e tjerë, është preokupimi i tij serioz për të dhënë kontribut në Organizatën e LANÇ-it. Në atë Organizatë që është e vetme që ka marrë përsipër të mbrojë vlerat dhe simbolet e Luftës Nacionalçlirimtare.
Dy këngët e tij të fundit, e sidomos ajo “Gëzuar Ditën e Veteranit”, e cila iu bë dhuratë Veteranëve e Psardhësve me rastin e 65 vjetorit të themelimit të kësaj Organizate famëmadhe. Kjo këngë, kënduar nga dy vajza, Ariola Hoxhallari, studente në Akademinë e Arteve dhe Klea Jusufi, maturante në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” të Durrësit, tashmë është bërë Hymni i Organizatës së LANÇ dhe është shpërndarë anë e mbanë vendit. Aty ku ende militojnë veteranët e pasardhësit.
Vasil Mema prej vitin 2015 është anëtar i Organizatës së Veteranëve e Pasardhësve të LANÇ të bashkisë së Durrësit. Qysh nga fillimi ai u zgjodh të kryente detyrën e N/kryetarit të Komitetit, ndërsa sot militon shumë i përkushtuar në detyrën e Sekretarit. Sigurisht që për të gjitha këto kontribute ai është nderuar e vlerësuar ashtu si e ka merituar. Vasil Mema gëzon edhe titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”./gazetadita.al
ObserverKult
Lexo edhe:
ZEF MALA/ E VERBUAN DHE E TORTURUAN PËR VDEKJE, SI “DHURATË”…