Ekspozitë solidariteti në Galerinë e Artit në Tiranë

ekspozitë solidariteti

Në Galerinë e Artit të Tiranës u çel ekspozita e artistit të ri Dario Toska, një ekspozitë solidariteti, me kurator artistin dhe piktorin e mirënjohur, Helidon Haliti.

Dario Toska

Të ardhurat e mbledhura nga shitja e veprave të ekspozuara do të dhurohen në ndihmë të Shtëpisë Rosalba në Gjadër, Lezhë. Kjo shtëpi ndihmon rreth 500 familje në nevojë nga e gjithë Shqipëria.

Kjo ekspozitë e veçantë, u mbajt në hapësirat e artit në Tiranë. Në përurimin e saj, mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai vlerësoi artistin e ri për idenë e bukur. Ndër të tjera, ai tha se ka edhe të rinj të tjerë, artistë, që kontribuojnë për njerëzit në nevojë, por duhen promovuar.

Kemi nevojë të promovojmë të rinjtë, si shembuj të së mirës

“Na duhet që artistët e rinj si Dario t’i gjejmë edhe t’i promovojmë. Dua të bëj një pakt të promovimit të së mirës, të bukurës, të estetikës dhe të shijes. Në qoftë se të gjithë ju këtu bëheni pjesë e këtij pakti, është vetëm qështje kohe, që në lajme do të dëgjojmë më shumë për Dariot. Duhet t’i largohemi banalitetit dhe ky është ilaçi që i duhet shoqërisë sonë”, tha Veliaj.

Helidon Haliti, Erion Veliaj dhe Dario Toska

Artisti dhe piktori Helidon Haliti tha: “Kur u përurua kjo galeri më kujtohet kur kryetari tha se kjo sallë do të zbulojë talente. Është qëllimi i saj, t’i japim patjetër vend të rinjve. Unë e pata shumë të lehtë ta pranoja ftesën e Darios. Me Darion kemi bërë bisedime që kur ishte i vogël, prandaj e përgëzoj jashtëzakonisht shumë. I falenderoj të zotët e shtëpisë, që kanë krijuar një fole vërtet kaq të ngrohtë. Po e shikoni se ka fluks kërkesash dhe për këtë më vjen mirë. Është viti i rinisë për Tiranën dhe jam i bindur se përveç atyre një mijë e disa aktiviteteve që janë bërë deri tani, pas kësaj do të vijnë edhe më shumë”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 22 korrik në Galerinë e Artit të Tiranës./gazetatema

ObserverKult

Lexo edhe:

AMARILDO RUÇI, ARTISTI I PARË SHQIPTAR QË EKSPOZON VEPRAT E TIJ NË MUZEUN E…