Shqiptarët, populli që mahniti Edith Durhamin

Udhëtarja angleze nëpër Shqipëri, në fillim të shekullit XX, Edith Durham, erdhi në këto vise ‘të egra’ si artiste, etnografe, antropologe, si shkrimtare dhe si humaniste, duke lënë si trashëgimi thesare nga bota shqiptare që e mrekulloi.

Për afro gjysmë shekulli, ajo lidhi fatet e jetës saj me fatet e Ballkanit e veçanërisht, Shqipërisë. Veç veprimtarive të tjera të karakterit politik, social e shkencor, ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, prej të cilëve “Shqipëria e Epërme”, shkruar në vitin 1909, është më i njohuri.

Nga shënimet shumta dhe vlerësimet të Edith Durham për Shqipërinë dhe shqiptarët do të veçonim këtë paragraf nga libri i saj “Shqipëria, brenga e Ballkanit”.

“Unë kisha besuar tek shqiptarët, ata e meritonin fatin europian që po ndërtojnë me kaq vrull sot. Ju që më dhatë bukë dhe shtroje, konak dhe besë, nuk më zhgënjyet. Zotat e kishin bekuar atë truall ku konservimi i ca vlerave humane është sekreti. Ai vend dhe ata njerëz të befasojnë. Ekzotizmi i tyre gati, gati natyror, tejkalon herë herë modernitetin sipërfaqësor. Atje ajri maleve e deteve është tjetër ajër. Gjuha shqipe ka një muzikë ndryshe. Fjala mirë se erdhe del drejt e nga shpirti i atyre njerëzve. Europa pa Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte e paplotësuar në identitetin e saj të historisë së lashtë dhe asaj moderne. Ballkani pa konsideruar e mirëkuptuar shqiptarët është pa identitet dhe pa të ardhme! Edhe në universin e frymës ndjehem e respektuar nga shqiptarët e tokës dhe të qiellit, jam mes tyre si ata, shqiptare që vijon të eci atyre hapësirave epike dhe humane pa u lodhur, jam në besë të tyre”.

Në veprën e saj, gjeti pasqyrim mbarë kultura shqiptare, nga veshjet karakteristike te zakonet e forta dhe fanatike të popullit, që ajo i kushtoi shumë punë, vëmendje dhe dashuri, transmeton ‘konica.al’.


Muzeu Historik Kombëtar për 75-vjetorin e ndarjes nga jeta të Edith Durhamit, organizoi së fundi një konferencë, me pjesëmarrjen studiuesve të ndryshëm, ku u promovua botimi “Miss Mary Edith Durham dhe shqiptarët” –  një përmbledhje dygjuhëshe, shqip dhe anglisht, me kumtesat e konferencës shkencore, organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar në nëntor 2019, me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së “Mbretëreshës së Maleve”, Mary Edith Durham (1863-1944).

Udhëtarja, artistja dhe shkrimtarja angleze që njohu Shqipërinë e fillimviteve 1900, dokumentoi kulturën, trashëgiminë dhe antropologjinë vendëse në zonat shqiptare që vizitoi, si edhe personazhet që e magjepsën.

Ishte Edit Durham, që në fillim të shekullit të njëzetë, ndezi alarmin mbi zhdukjen e simboleve dhe trashëgimisë jomateriale shqiptare. Gjatë rrethimit të Shkodrës i shpëtoi shqiptarët nga uria, duke iu shitur anglezëve prodhimet e grave malësore shqiptare, që e kishin për turp të lypnin.

“Shqipëria e epërme”, “Brenga e Ballkanit”, “Lufta e Shkodrës”, dëshmojnë udhëtimin e saj dhe Shqipërinë e shekullit të shkuar.

LEXO EDHE: Kur Midhat Frashëri kërkonte para për t’i bërë dhuratë Edith Durham