Ilnisa Agolli: Kush kujdeset për bagëtinë tënde?

ilnisa agolli

Nga Ilnisa Agolli

“MOS MBAJ INAT Adrien” është një poezi franceze e Prevert që çdo korrik më kujtohet. Kam njohur shumë Adrien në jetë dhe kam parë shumë pak filma këto kohë. Me luftë thuajse fare. Por Adrieni, që është një tip, që nuk m’u lidhën kurrë urat e komunikimit, më përshëndeti idenë se duhet ta kaloja mbrëmjen para ekranit. Ky është një tip që kur ha rri në këmbë. Jam shumë kurioze se si fle. Një ditë do e pyes.

– Kush kujdeset për bagëtinë tënde?, më tha sot.
– Një shoqe e ngushtë partie.
– Mos u bë cinike, tha.
– Nuk jam aq e gjatë, i thashë.

Kur u ktheva në shtëpi, hëngra bukë me reçel. Hapa televizorin dhe lexova këtë frazë “Zogjtë lëshohen në front, për t’u kthyer në atdhe. Kështu përcjellin mesazhet. Por kjo ndodh në kohë lufte”.
Ngjarjet ishin ato të vitit 1918.

Të nesërmen kur po shkoja në punë, pashë njē tjetër Adrien. Ky është një tip, që i pëlqen të kollitet kur ecën. Hapat i hedh ngadalë dhe këpucët me majë i ka shumë qejf. E mban trupin drejt dhe fryhet si gjel, thoshte dikush sa herë e shihte.
Natyrisht, ngjarjet do I coja në vitin e filmit që pashë mbrëmë. E pashë që po vinte drejt meje dhe doja të thyeja heshtjen mes nesh.
Mu duk si një tip rreshter. Rreshter i ri në detyrë.

– Kam dëgjuar se do të shesësh lopën?, i thashë duke qeshur.
– Je bërë me kalë të ri, pyeti duke ndërruar temë.
– Po, ia ktheva, ma dhuruan.
– Pse e ndryshove ngjyrën?
– Sepse të bardhin ma vranë në luftë.
– Kush?, pyeti.
– Katundarët, padashje. Ngatërruan pozicionin.
– Ça bëhet me ty?
– Rri, tha.
– Mirë bën, i thashë. Të duhet një pushkë.
– Nuk jam aq budalla
– Nga e di që nuk je?
– Sepse me lekët e lopës do blej një flamur.

Iku si një burrë që do hipte për herë të parë në tren dhe këpucët i vareshin në dorë. Iku si një burrë që shkon në luftë si në dasëm. Me kostum, këngë popullore në kokë dhe një gazetë në xhep.
Për të luajtur një lojë, duhet një kalë, një lopë, një poezi, një flamur dhe tre vetë. Për të shkuar në luftë e di çfarë duhet, i thashë Klarës.
Jo tha. Çfarë?
Ta them nesër Klara sepse dua të fle herët sot.

Sot që nuk do e lexoj Prevert dhe nuk do shoh as film. Dua të kujtoj vetëm fundin e filmit që pashë mbrëmë.
Këmbanën qe bie. Luftën që mbaroi dhe tre vetë duke ecur. Të binin menjëherë në sy dy të plagosur. Njëri mbante një flamur në dorë, tjetri dukej sikur një ide, në fytyrën që nuk dukej më kurioze. Kurse i fundit, kalin dhe në dorë një letër.

-Çfarë shkruhej aty?, pyeti Klara.
-Se si shkohet në luftë, i thashë.

ObserverKult

Lexo edhe:

ILNISA AGOLLI: MË FOLËN PËR TY MBRËMË…

ILNISA AGOLLI: LE TË BËJMË SIKUR U DESHËM