Ilnisa Agolli: Më folën për ty mbrëmë…

Më folën për ty mbrëmë
Nuk ndjeva asgjë
Kur po thaja flokët në darkë,
kjo asgjë
më lëshoi në hundë një erë fjalësh të lëna përgjysmë.
Ca vargje të vjetra të mësuara përmendësh,
një aromë të largët të librave që s’mi dhe kurrë,
dhe çaste fotografish të mbetura diku
mes lobeve të trurit.
Ishte e gjitha betejë
një tjetër e humbur imja.
Ishte e gjitha fitore
një tjetër tëndja pa ty ngadhnjimtar.
Ishte e gjitha lutje
një tjetër latine
pa kurrfarë kishe.
Si ai Psalm i Davidit që lexuam atë natë të errët
kur të volla makinës
ndërsa rrëmoja për qiri kroskotit.
Ishte e gjitha memorje
E gjitha harresë,
Vargje të Elyar
nga ato që shmang kur rritesh.
Nga ato që rritesh dhe shmang
dhe të hesht syve trishtimi
e qerpikëve të kolovitet e njëjta pendesë…

Natyrisht, diçka nuk shkonte me tharësen
E fika!