Përfundon digjitalizimi i regjistrave të vjetër në “Marubi”

dixhitalizimi i regjistrave - marubi


Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, ka përfunduar procesin e plotë të digjitalizimit të 75 regjistrave të vjetër tejet voluminozë, dhe 171 dokumenteve që ruajnë gjurmët e fotografëve të koleksionit.

Kjo punë me vlera dhe voluminoze, ka ardhur falë një programi veror praktikash mësimore, e nisur që nga viti 2018.

Në programin “Summer at Marubi” kanë marrë pjesë nxënës të shkollës austriake “Peter Mahringer”, të cilët kanë zhvilluar praktikat në muze duke dhënë një kontribut të çmuar në digjitalizimin e dokumenteve arkivorë.

Të rinjtë kanë punuar me seriozitet e përkushtim për digjitalizimin e regjistrave të vjetër, thuhet në njoftimin e dhënë nga Muzeu Marubi, në rrjetet sociale.

Verës që vjen, programi do të zëvendësohet me Marubi Open Archive, një ftesë e hapur për artistë, kuratorë e kritikë arti në hulumtimin e arkivit Marubi./ATSH

ObserverKult

Lexo edhe:

ARKIVI I MUZEUT TË FOTOGRAFISË “MARUBI”, DIGJITALIZOHEN 15.260 FAQE

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti bëri të ditur se deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15.260 faqe. Kjo falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer”.

“Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është krenari kombëtare, ndaj edhe ruajtja e tij është detyrë parësore. Me digjitalizimin e tij i zgjasim jetën koleksioneve origjinale. I bëjmë ato më të aksesueshme për publikun e në veçanti studiuesit e fotografisë. Deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15.260 faqe falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër. Si dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer””, bëri të ditur Margariti.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi”. Në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ky muze sot konsiderohet si një nga muzetë unik në Evropë.

Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika. Formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë.