Këto gabime i bëjnë shumica/ Si duhet të shkruhen numërorët rreshtorë?

Numërorët rreshtorë janë fjalë që tregojnë radhën e sendeve dhe që kanë kategoritë gramatikore të mbiemrave. Duke qenë se ka disa mënyra për shkrimin e numërorëve rreshtorë, ndodh t’i shkruajmë gabim…

Shekulli XX apo Shekulli i XX-të?

Shekulli i 20-të apo Shekulli 20?

Numërorët rreshtorë janë fjalë që tregojnë radhën e sendeve dhe që kanë kategoritë gramatikore të mbiemrave. Kështu, numërorë rreshtorë janë: i parë, i dytë, i tretë,…. i njëqindtë etj.

Duke qenë se ka disa mënyra për shkrimin e numërorëve rreshtorë: a) me fjalë: i parë, i dytë, i tretë i pestë… i njëqindtë, i dyqindtë etj.), b) me shifra romake dhe c) me shifra arabe, ndaj ne ndonjëherë i ngatërrojmë dhe i shkruajmë gabim.

Edhe pse “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” ka rreth mbi 50 vjet jetë, ne sërish gabojmë shpesh me shkrimin e numërorëve rreshtorë në gjuhën shqipe. Ndodh që kur këta numërorë i shkruajmë me shifra arabe (shifra që përdorim edhe ne sot: 1, 2, 3, 4 etj.), këta numërorë i shkruajmë pa nyja dhe mbaresa. E kundërta ndodh kur i shkruajmë me shifra romake: I, II, III, IV, V etj. 

Mbani mend! 

a) Kur numërorët rreshtorë i shkruajmë me SHIFRA ARABE, do të përdorim edhe nyjat, edhe prapashtesat. Dhe kemi: klasa e 2-të, kongresi i 5-të, shekulli i 20-të, i 500-ti, i 10 000 000-ti etj.

b) Kur numërorët rreshtorë i shkruajmë me SHIFRA ROMAKE, NUK do të përdorim as nyjat, as prapashtesat. Dhe kemi: klasa II, Kongresi V, Lufta II Botërore, shekulli XX, Luigji XIV, Mehmeti IV, Gjergj Balsha II etj. 

KUJDES! Janë gabim dhe nuk duhet t’i shkruajmë kurrë kështu: shekulli 20 dhe shekulli i XX-të! 

Përgatiti: Sevi Lami Agolli


Lexo edhe:

A DUHET TË SHKRUHET “LINDI” APO “U LIND”?

Lindi apo u lind?
Kuptimi i foljes “lindi” me vështrimin semantik “dal në jetë nga barku i nënës” nuk mund të ngatërrohet me kuptimin tjetër të saj lindi “sjell në jetë dikë”, bëj fëmijë (për gratë): “Bija lindi një djalë”. “Ka lindur shumë fëmijë”…

TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU