Nëna e një djali për vajzën e një nëne tjetër
Ty që djali im një ditë do të të bëj nuse,
Po të premtoj se nuk do të të marrë pa fustan të bardhë. Ti ndoshta nuk do i preferosh këto gjëra, ama edhe po të mos të ta shoh unë veshur, e di se djali im do ta ketë ëndërr të të shoh në të. Dhe unë do ia plotësoj atë.
Unë e di se nëna jote që nga dita e parë që të ka lindur, e kur ke qenë ende në barkun e saj, të ka ëndërruar me atë fustan dhe unë nuk do ia vyshki ëndrrat.
Si një zanë e bukur e bardhë.
Nuk po të tregoj sa e dua djalin tim. Se sa mirë e kam rritur e edukuar, mirëmbajtur e përkujdesur… Se sa herë kam qarë nga gëzimi, e sa herë nga trishtimi kur ai sëmurej.
Nuk po të tregoj me sa mund jam zgjuar shpesh natën për ta ushqyer e ndërruar. E as për dhimbjet e lindjes, e ato të paslindjes. As nuk dua të të tregoj ndonjëherë, sepse të njëjtat gjëra po bën edhe nëna jote për ty. Të njëjtat do t’i bësh edhe ti për fëmijën tënd. Andaj nuk dua të tregohem superiore para teje, sepse nuk jam.
Unë dua të të tregoj se sa do të të dua ty. Edhe pse nuk të njoh. Por kushdo që do të jesh, çfarëdo që do të jesh, të premtoj se nuk do të dua as më shumë e as më pak se djalin tim. Sepse ti do të jesh bota e tij, dhe unë gjithë jetën jam kujdesur që ai të jetojë në një botë sa më të mirë.
Kur të gjithë do të jenë kundër teje, ndoshta edhe do të jesh ti gabim, unë do të të mbroj. E kam lutur Zotin shumë që të më fali një vajzë dhe jam shumë e sigurt se edhe nëna jote të do ty fort. Se do të të mbronte pakusht. Andaj dua që ti të jesh në duar të sigurta.
Nëse jetojmë bashkë, të premtoj se do i përgatis ushqimet e tua të preferuara çdo ditë. Mjafton që ti të ndjehesh si në shtëpinë tënde, kur gatuante nëna jote për ty, dhe ti je në shtëpinë tënde. Ti do të krijosh familjen tënde, ashtu siç krijova unë.
Unë e di se nëna jote po të rrit me rrobat më të bukura, si një princeshë.
Të premtoj se do të të pres me fustane floriri.
Unë e di se nëna jote dëshiron të të shoh si doktoreshë, apo si mësuese dhe çkado që ti do të dëshirosh të bëhesh dhe ta bësh krenare atë. Të premtoj se unë do të bëhem përkrahja jote.
Unë e di se nëna jote lutet që ti ta kesh jetën veç me lule, e të premtoj se unë do të bëhem kopshtarja që do mbjelli lulet më të bukura për ty.
… Një nënë e vërtetë, që mendon vetëm lumturinë e vajzës së vet, që vlerëson atë në gradën më të lartë, ajo nënë di të kujdeset për të gjitha vajzat e huaja të botës. Sepse në çdo hap, në çdo ditë, i pasqyrohet vajza e saj.
Po mendoj si do ta rris princeshën time dhe sa e bukur do të jetë dita kur në shtëpi të më hyjë një princeshë tjetër e gatshme e rritur nga nëna e saj.
Jam rritur vet si një princeshë, do rris vajzën time si princeshë, do të trajtoj nusen e djalit tim, vajzën e dikujt tjetër si princeshë.
Endrina Shutrak Lokaj
ObserverKult
————
Lexo edhe:
ERDHE VONË, MIKJA IME E MIRË, ERDHE AQ VONË…
Nga Mihallaq Qilleri
Erdhe aq vonë, mikja ime e mirë, erdhe vonë,
Vjeshta po ikën dhe, dhe dimri drithërues po vjen,
Fundvitet gëlltitin njëri-tjetrin dhunshëm pa frikë,
Ndërsa ti troket në një derë të mbuluar nga dëbora,
Mbërthyer pas jetës nuk dua, nuk dua të ik.
Erdhe vonë mikja ime për të kërkuar një dashuri,
Një dashuri të flaktë atje ku zjarret janë shuar tani,
Erdhe vonë mikja ime për të takuar bukuri,
Ndër venat e ftohta tashmë nuk ka më asnjë mëshirë,
Ca më pak për drithërima, ëndrra, lule, dëshirë…
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult