Shkrim prekës i babait të aktorit të ndjerë: Nëna jote rri në dritare e të pret të kthehesh…

xhabir ahmeti - për luraninn
Luran Ahmeti

Përkujtim për birin tonë të mirë, Luranin

Nga: Xhabir Ahmeti

Biri im, kaluan tetëmbëdhjetë muaj që kur mbetëm pa Ty, një vjet e gjysmë një det me dhembje, një amshim zije. Këto ditë na kanë kaluar me stuhi, diell s’kemi parë. Ka rënë shi si me shoshë, kurse unë në shumësinë e pikave që binin i dalloja qartë lotët e tu për ne.

Në bubullima veçohej zëri yt i protestës kundër zjarrit që e ndezin tinëz anëtarët e korit të korbave me gishtat e gjatë. Ai zë që e mbushte skenën e teatrit dhe shndërrohej në gjurmë amshimi në çdo film që luajte, ai zë që e dekoronte vatrën tonë dhe mbarë hapësirën ku ecin njerëzit me arkat përplot me fjalë të buta e të bardha, ai zë që i jepte kuptim jetës sime vazhdon të dëgjohet nëpër hapësirat e shpirtit tim të plagosur.

Tash dhembja ime i evokon çastet kur thoshe: “Babi, më dukesh i lodhur… Shko babi e pusho pak”!… Tash e ka hapur gojën pasiguria, kurse unë mbahem për energjinë e dashurisë që na e fale, për mrekullinë që bëre për të na bërë krenarë me punën tënde artistike. Ngado që shkoj, gjithkund, të shoh të buzëqeshur, kurse sintagma që unë e them me mijëra herë është dhe do të mbetet përgjithmonë është: “Biri im”!

Në horizontin që mori ngjyrë të përhime pas teje tash bën dritë vetëm Arba, bija jote, e cila po shkel në gjurmët e shtegut të njëjtë të krenarisë që e hape ti. Arba e ka humorin identik me humorin tënd, po atë buzëqeshje që kishte ti, e ka dhe ajo. Ajo e vazhdon udhëtimin drejt majave të dritës dhe që tash, ani se shtatë vjeç e disa muajsh, di ta shprehë shumë krenarinë që është bija jote.

Shkuan gjithë këto muaj që nëna jote rri në dritare e të pret të kthehesh. Në vajet e saj del i qartë ti në rrugë, duke iu afruar shtëpisë. A e dëgjon bir si të thërret ajo? A e dëgjon si buçet qielli prej vajeve të saj? Ajo është Ajkuna e vërtetë që e kjan Omerin e Ri.

Jemi strukur në vetminë e ftohtë tri kërcuna të pambrojtura. Tash që s’je ti pranë nesh kanë nisur të bien maskat dhe në sinorin tonë duken shpatat e kralevinës që u ngritën nga gjurmët Gjorgjes së zi e që vringëllojnë nga duart e njerëzve të fshatit të cilët dalin nga prapaskena.

I shohim ne si i vërsulen kujtimit dhe duan ta zhbëjnë dritën që ke lënë në këtë hapësirë të lodhur. Tash që s’e kemi dorën Tënde të zgjatur të ndihmës dhe të sigurisë, veç sulmit tinëzar nga pabesia, hija e sëmundjes zgjatet me gishtin tregues lart në shenjë kërcënimi.

E prek ajo pragun tonë dhe na e bën me dije se ajo e ka ngritur një mur të lartë për të na e pamundësuar ta përjetësojmë veprën tënde. Pas saj dëgjohen troket e nxituara të kuajve të apokalipsit.

Motra jote e ka vënë perin e zi rreth qafe. Vazhdimisht rri në dërrasë të vekut dhe i thur fjalët më të dhembshme të cilat do t’i gdhendë në vargjet që nuk njohin harresë.
Të duam biri im, të duam pa fund!

*Titulli i origjinalit: “Tetëmbëdhjetë muaj pas teje kaluan me stuhi, diell s’kemi parë”

Luran Ahmeti

Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: LURAN BIR, PO E PRESIM ZËRIN TËND TË NA NXJERRË NGA VETMIA QË DJEG…


XHABIR AHMETI: E MBANTE NË MEND MIRË PAMJEN E BURRIT QË TASH U TRET THUAJSE NUK KISHTE QENË FARE ATY…