Pedagogët nuk po kërkojnë të krahasohen me Italinë, Gjermaninë a Francën, por thjesht me Kosovën

pedagogët

Pedagogët bashkë me studentët në grevë për trajtim më dinjitoz.

Nga Agron Gjekmarkaj

Sot është dita e parë e mesimdhënies universitare. Do të donim të bënim urimet tradicionale por diçka na pengon. Pedagogë e studentë janë sot në grevë për një trajtim dinjitoz. Ata nuk po kerkojnë të krahasohen me Italinë,Gjermaninë a Francen! Joo! Thjesht me Kosovën e cila nuk i ka përmbushur ende dy dekada pavarësi.

Nuk ka shoqëri dinjitoze e shtet serioz pa një Universitet cilësor. Pa cilësi nuk ka elita dhe pa to nuk ka progres. Pas 32 vitesh liri ende ata kanë mbetur shtresa më e keqtrajtuar ekonomikisht dhe pa status. Ligji i arsimit të lartë kaq i kundërshtuar nga pedagogët nuk u bë kurrë zgjidhje për asgjë.

Në shumë vende europiane shteti asiston ekonomikisht Universitetet publike.

Sa herë protestojnë a kërkojnë diçka pedagoget, tentohet kundërvenja ndaj tyre e shtresave  të ndryshme sociale apo “lufta e klasave” me studentët dhe gjithmonë në horizont shfaqet një ” hall” apo “krizë”.

A ju ka borxh Partia Demokratike Universiteteve dhe pedagogëve? Sigurisht që ju ka dhe shumë, por prej gati 10 vitesh vendi qeveriset nga Partia Socialiste, e 10 vjet janë tepër  për ti lënë në harresë nëse objektivi nuk është dekulturimi i shoqërisë, si mënyra më e lehtë e sundimit dhe manipulimit. Protestat janë gjithmonë emancipuese.

Ato e ndihmojnë trupën akademike të formësojë sa më shumë pavarësi nga politika. Opozita e mbeshtet këtë përpjekje të drejtë të pedagogve pa marrë flamurin e kësaj lëvizje dhe pa tentuar ta përdorë atë për qëllimet e veta të ditës.

Si pedagog, i bëj thirrje kolegës Kushi, që të ngrejë zërin për të mbeshtetur shtresën e saj, e po kaq Kryeministrit Rama i cili nëse e ka seriozisht konfiskimin e pallateve pa leje të okigarkeve, i ka gjetur aty rrogat e pedagogëve për 10 vitet e ardhshme.

Dritë e diturisë përpara do të na shpjerë. Dija dhe kurajoja do ta bëjnë Shqiperinë më të mirë. Pedagogët sot janë shembulli./gazetatema

ObserverKult

Lexo edhe:

PROPOZIMI I BEN BLUSHIT: KULLA E SAHATIT DUHET TË ZHVENDOSET…