Arkitektura e një terrori pa fytyrë

Në kufirin e hirtë mes absurdit dhe realitetit post sovjetik në Ukrainë, romani “Vdekja dhe pinguini” i Andrej Kurkovit krijon një alegori të mprehtë të shpirtit të humbur në një botë të çorientuar. Kievi gri, i pllakosur nga pasiguria dhe marrëdhëniet e zbrazëta ndërnjerëzore, bëhet skena e një drame personale ku protagonisti, Viktor Aleksejeviç Zolotarev, një shkrimtar aspirant shkruan nekrologji për njerëz që janë ende gjallë, akt ky që ngjizet mes dëshirës së tij për të bërë letërsi dhe përfshirjes padashje në përgatitjen e vdekjeve të orkestruara

albana beqiri

Nga Albana Beqiri

Romani është botuar për herë të parë në vitin 1996 dhe ndërton një univers të zymtë dhe grotesk, ku realiteti dhe absurdi bashkëjetojnë në mënyrë të patrazuar, duke përfaqësuar kështu një formë të kritikës shoqërore, e cila materializohet artistikisht përmes një stili minimalist dhe ironik. Kurkovi ndërton një narrativë që përkundet midis groteskut dhe qetësisë e ku absurdi i cili përgjon nga qoshet e jetës së zakonshme, nuk është vetëm pjesë e stilit, por vetë mishi dhe gjaku i rrëfimit. Ai na sjell një protagonist i cili, ndonëse i gjallë, i ka të vdekura ndjesitë, një vetmitar që jeton bashkë me pinguinin e tij, Mishën, një kafshë e shpëtuar nga një kopsht zoologjik i falimentuar, por që simbolizon më shumë se një shoqërues të pazakontë: ai është refleksi i vetmisë dhe i heshtjes.

Në të vërtetë, pinguini vjen si metaforë ekzistenciale. Ai nuk është thjesht një element i çuditshëm që i shton romanit nuanca egzistencialiste, por është figurë thellësisht metaforike. Misha mishëron alienimin, të jetuarit jashtë habitatit, mungesën e fjalës dhe pafuqinë për të reaguar ndaj një realiteti shkatërrues. Në një botë të zhytur në korrupsion para së gjithash moral, pinguini bëhet më shumë sesa kafshë shtëpiake: ai është vetë absurdi që merr frymë. Viktori, nga ana tjetër, është njeriu i zakonshëm i cili nuk është hero, nuk ka kurrfarë vullneti apo qëllimi që shkon përtej mbijetesës dhe pranon çdo ndodhi si të ishte pjesë e një rregulli natyror, përfshirë edhe faktin që punon për një gazetë që boton nekrologji për të gjallët, që më pas zhduken në mënyrë misterioze. Ky pranim pasiv, gati autist i situatave absurde, na kujton jo vetëm stilin e Kamysë te “I huaji,” por edhe shpërbërjen etike të individit në një shoqëri të zbrazët nga vlerat.

Te “Vdekja dhe pinguini” qyteti i Kievit nuk është vetëm sfond; por edhe karakter më vete. I përshkruar përmes ngjyrave të zbehta, motit të ftohtë dhe një atmosfere pa kohë, qyteti përçon frikë, pasiguri dhe izolim. Ai është po aq i mbyllur sa vetë personazhet, një hapësirë ku askush nuk pyet, askush nuk reagon dhe gjithçka kalon në heshtje. Kështu, Kurkovi ndjek linjën e një realizmi magjik ta quajmë të zbehtë, ku absurdi ngjizet brenda një strukture të ftohtë, por të njohur e ku lexuesi nuk fluturon fantazisë, por rrëzohet në vetë realitetin e zhveshur. Në roman as vdekja nuk është thjesht një ngjarje, por është atmosferë dhe mënyrë të qenuri. Ajo vjen pa paralajmërim e në mënyrë të ftohtë dhe të shpejtë. Pothuajse të gjithë personazhet që lidhen me Viktorin, zhduken një nga një. Por në vend që kjo të çojë në një rebelim të mundshëm, përkundrazi, kjo e bën Viktorin më pasiv, më të mbyllur, më të ngjashëm me pinguinin e tij: një lloj përthithjeje të plotë të absurditetit.

Kurkovi nuk proteston me zë të lartë; ai sugjeron artistikisht përmes detajeve të vogla. Pushteti nuk ka emër. Vdekja nuk ka fytyrë. Përndjekja ndodh pa dhunë të dukshme. Dhe megjithatë, terrori ekziston. Ai është në njoftimin e heshtur, në humbjen e papritur të një kolegu, në mungesën e arsyeve apo në qetësinë që i paraprin zhdukjes. Në këtë sens, romani mbart ngarkesën politike pa qenë politik në dukje, një ekuilibër i vështirë ky për t’u realizuar artistikisht, por që Kurkovi e realizon me mjeshtëri. Personazhet që rrethojnë Viktorin janë figura të paqarta, të përkohshme, që zhduken papritmas ose dalin në skenë si zëdhënës të një strukture të fshehur pushteti. Viktori nuk përballet kurrë me një pushtet të mishëruar, por vetëm me përfaqësues të errët, telefonata të pashpjegueshme, porosi të fshehta  një rrjet i tërë ky kontrolli pa qendër e pa identitet. Përmes mungesës së një “fajtori të madh”, romani reflekton një qasje postmoderne ndaj krizës morale dhe politike, ku përgjegjësia është e mjegullt dhe e paqartë dhe pushteti i padukshëm.

Një nga elementet më të veçantë të romanit është toni i tij i vakët e thuajse indiferent në trajtimin e ngjarjeve dramatike. Vrasjet, zhdukjet, frika dhe manipulimi përshkruhen me një qetësi aq të ftohtë e që rrënqeth, çka e shton efektin tronditës të realitetit që përshkruhet artistikisht. Por, na duhet të pranojmë se, megjithatë ky ton i ftohtë nuk është mungesë ndjenjash, por një teknikë narrative që thellon karakterin absurd dhe nihilist të botës së romanit. Në këtë mënyrë, Kurkovi ndërton një atmosferë ku realiteti nuk trondit më askënd dhe ku përditshmëria është një cikël i pakuptimtë ndodhish të pashpjegueshme.

Stili i Kurkovit është i qetë, gati klinik, por i ngarkuar me tensionin e ftohtësisë emocionale, ku çdo fjali mund të ishte fare mirë titull nekrologjie, nga ato që shkruan protogonisti. Një stil ky që ndonjëherë të kujton Çehovin, por pa asnjë iluzion mbi ngrohtësinë njerëzore.

Fakti që Viktori shkruan për vdekjen përpara se ajo të ndodhë është një metaforë e fuqishme për kontrollin politik, censurën, por edhe për pasivitetin moral në një sistem të korruptuar. Shkrimi bëhet vepër që nuk ka karakter çlirues e as shpëtues, ai vret dhe Viktori përballet me këtë fakt me një ndjesi të turbullt faji dhe frike. Kurkovi shkruan me një gjuhë të qetë e të thatë, por që bart një tension të brendshëm të fortë. Tonaliteti që ashtu si stili është shpesh i ftohtë dhe klinik bie në kontrast me absurditetin e ngjarjeve. Kjo krijon humor të zi dhe një ndjesi tjetërsimi të thellë. Ai nuk ofron shpjegime morale, por i lë lexuesit në një gjendje pezulli, ku kuptimi është gjithmonë i rrëshqitshëm. Kurkovi, në mënyrë të heshtur i fut lexuesit në labirinthe ku ndjesia e ftohtësisë nuk vjen nga moti i Kievit, por nga strukturat e shpërbëra të realitetit: gazetat që botojnë vdekje të shkruara paraprakisht, shtëpitë ku heshtja fle në divane bosh, makinat që vijnë natën pa zhurmë dhe njerëzit që zhduken si të mos kishin qenë kurrë. Në këtë kuptim, Kurkov nuk është larg frymës së Kafkës, por ndryshe nga Kafka, që i jep botës një ngarkesë metafizike, Kurkovi i qëndron pranë një absurdi tokësor, ku frika është e zakonshme dhe vdekja është thjesht një procedurë burokratike. Viktori nuk e kërkon domethënien, ai thjesht përpiqet të mos ndëshkohet për mungesën e saj.

Kurkovi është i vetëdijshëm për fuqinë groteske të realitetit politik, kjo e përafron me Bulgakovin, por ndryshe nga ai, Kurkovi nuk shpërthen përmes fabulës fantastike: e pabesueshmja ndodh me tonin e të zakonshmes dhe pikërisht këtu qëndron forca e romanit. Viktori shkruan nekrologji për të gjallët dhe vetvetiu ato shndërrohen në paralajmërime vdekjeje. Ai nuk është vrasës, por pjesë e një zinxhiri që askush s’e shpjegon, si shumë qytetarë të sistemit që u gjendën në anën e gabuar të moralit pa e kuptuar as vetë sesi.

“Vdekja dhe pinguini” është një roman që mund të lexohet në disa nivele. Padyshim që ai mund të lexohet para së gjithash si trillim satirik, që kritikon shoqërinë post totalitare dhe mënyrën sesi individi gjendet i papërgatitur për “lirinë”. Por njëkohësisht ai mund të lexohet edhe si histori ekzistenciale mbi vetminë, zbrazëtinë dhe kërkimin e kuptimit në një botë të pakuptimtë. E po ashtu “Vdekja dhe pinguini” fare mirë mund të lexohet edhe si një aluzion politik, ku fati i individit është një grackë në sistemin e dhunshëm të kontrollit dhe indiferencës.

“Vdekja dhe pinguini” futet tek ato romane që të ndjekin edhe pasi e mbaron. Ai nuk të rrëmben me trille stilistike apo emocione të mëdha, por me një të vërtetë të heshtur që zgjat. Është një roman për ata që duan të kuptojnë jo vetëm çfarë ndodh kur një sistem bie, por edhe çfarë ndodh me njeriun kur nuk ka më asgjë për t’i dhënë kuptim sistemit të ri. Kurkovi nuk i shpjegon realitetet e njëmendta dhe imagjinare, as nuk denoncon, ai shkruan si ai që e di se absurdi nuk kërkon narrativë të madhe: mjafton një pinguin dhe një nekrologji.

“Vdekja dhe pinguini” është Botim i shtëpisë botuese ONUFRI.

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBANA BEQIRI: GRUAJA SI SUBJEKT MITIK DHE POETIKA E EROTIZMIT