“Mezi kam pritur ditën që të abuzoj me postin”, Rama në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit

Sot, më 10 nëntor u mbajt në Tiranë Konferenca Jubilare me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Gjatë ceremonisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori fjalën duke e quajtur Kongresin e Drejtshkrimit një arritje të paçmuar, më të madhen kombëtare.

Ai shprehu minjohjen ndaj intelektualëve e firmëtarëve të Kongresit, të cilët iu futën punës me bindjen se kombi ynë ishte një, prandaj edhe gjuha jonë duhej kodifikuar në një standard. Puna e delegatëve të Kongresit, në fjalët e kryeministrit, tejkalon të gjithë doktorët e shkencave të Shqipërisë në tranzicion.

Kryeministri citoi Kadarenë (në një intervistë për Gazetën “Zëri” në Kosovë) dhe tha se “gjuha është më i vështiri pakt që njerëzit kanë lidhur mes tyre”, për të treguar rrugën e gjatë që flamujt e Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kryen për të ndenjur krah njëri-tjetrit në këtë konferencë, duke përmbushur simbolikisht këtë pakt.

Rama iu referua vendeve të tjera evropiane dhe procesit rraskapitës të ecurisë së gjuhëve të tyre drejt njësimit.

Ndërsa Shqipëria, pavarësisht se i mungonin mjetet, në fjalët e kryeministrit “kishte mendjen e ndritur e talentin e mahnitshëm të njerëzve të dalluar, me vizion shumë më të madh se gjeografia”, transmeton ‘javanews’.

Kryeministri shprehu se “nuk duhet të harrojmë sa e pamundur dukej disa vite më parë që gjuha shqipe të flitej, të shkruhej e të pranohej lirisht si e drejta themelore e shqiptarëve në trevat ky ky komb shtrihet”.

Ai lexoi përfundimin e Rezolutës së Kongresit, ku parashikohej nevoja që mund të parashtronte e ardhmja për ta përshtatur gjuhën letrare me plotësimet e domosdoshme që sjell koha.

“Si dashnor i paepur i gjuhës shqipe” tha kryeministri, “mezi kam pritur ditën të them disa gjëra duke abuzuar postin, se nuk kam gradë shkencore sot që kush nuk ka gradë shkencore i bie të jetë akademiku i vërtetë. Nuk mund të hidhet poshtë puna kolosale që i dha gjuhës aq shumë, sa nëse s’do bëhej, sot s’do kishim as abetare, por tekstet alternative të demokracisë”.

Rama e mbylli fjalën e tij me rrezikun që i kanoset gjuhës shqipe nga shtrembërimi.

“Më në fund Akademia e Shkencave ka shkelur siparin e rishkrimit të fjalorit, u desh një komunist në krye të Akademisë së Shkencave që të fillonte puna për shkrimin e fjalorit të ri”, tha kryeministri.

Në ceremoni ishin të pranishëm një sërë akademikësh e zyrtarësh të lartë. Fjalën e morën disa prej tyre, ndër të tjerë Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, kreu i Akademisë së Kosovës, Mehmet Kraja, zv.Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Z. Skënder Durmishi dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe u mbajt gjatë datave 20 – 25 nëntor të vitit 1972 në Tiranë. Në të morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Italia, për të dakordësuar Rezolutën që standardizoi rregullat drejtshkrimore të gjuhës shqipe.


Lexo edhe:

EDI RAMA: TEATRI KOMBËTAR DO TË NDËRTOHET SIÇ ËSHTË PROJEKTUAR DHE SIÇ JEMI ZOTUAR

ObserverKult