Nga Gazmend Bërlajolli
Portugezët jetuen prej anijeve, e kaptuen toka nji oqean ma larg: Afrikën, Amerikën Jugore. Malli për të shkuemit s’kish si mos me u ba kangë. E malli kangë u ba e kangëtoi, bile u kthye në energjinë kombëtare, u ba vetë fryma e shpirti i atij kombi.
Sa bahej malli kangë në atdhe, po aq mall e kangë ndërthurnin lundruesit për vendin e vet. Saudade, thanë portugezët, e quejmë na ndjenjën e këtij malli, e fjala përkthim s’ka. Ajo që Evropa e quen “nostalgji” nuk e mbulon. Unë në shqip e dhashë me ‘mall’, tue kenë shqiptarët kudo të njohun mirë me mallin e gurbetit, madje për shumë nesh, prej të dyja anëve të tij.
E me i kthye te fado-ja, kanga e fatit… Njana fado-sh që më hyni në zemër, asht kjo në në të cilën kangëtarja ua kushton poetëve të vendit të vet. “Loucura” quhet dhe thotë “Marri”, por meqë ua kushtoj poetëve të atdheut tem me këtë rast të shënuem pë poezinë, po e përshtas titullin në “Poetëve të vendit tem”, tue ia afrue më afër qëllimi tem, me jua kushtue juve.
Poetë të vendit tem
I fados jam
cok si tanë ju
nji vjershë të këndueme
edhe unë e rrnoj
Jam i nji fadoje qi e kam qitë,
goja nuk din me ta thanë
por, po e baj shpirtin me ta kangëtue
e shpirtnat kanë me ditë me e zanë
Vajtoj, qaj
o poetë të vendit tem
o trung prej të njejtave rranjë
në këso jete që bashkë na bajnë
zanet tueja
mos t’i kisha krah
nuk kish as fado
as fadista, vetë qysh jam
E njky za
kaq i mallnuem
krejt për faj tuejin
o, të jetës teme, ju poetë.
Marri, të ndiej
kah thue,
po kjo marri na kjoftë beku
me pasë me vuejtë
e me këndue
ObserverKult
Lexo edhe: