Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Erina Çoku, shkëputur nga trilogjia “Frymë” që përfshin veprat: “Fill”, “Rrëfime të vogla për shenja të mëdha” dhe “Jemi gjallë gjer në mbrëmje” .
AGU
Agu të pret,
si një varkë fatlume
në bregun shkëmbor.
Koha jep e merr dallgë,
por rëra ende s’ka mbërritur,
ushqehet me trupin tënd të lëngët.
Tempulli yt e ndien dritën,
valë që vijnë e shkojnë
lundrim i ngadaltë brenda teje.
Agu të pret,
thellë në shpirt
është udhëtimi yt.
(“Rrëfime të vogla për shenja të mëdha”)
DETI NUK U VJEN LUNDËRTARËVE
Fryn erë,
varkëza që presin udhëtimin nuk kam,
mesdita kaloi
asgjë lundruese që druan baticë-zbaticën,
fryn erë
kujtesa e lëkurës davaritet si re pa shi,
muzgu avitet
mollëzat e gishtave ndryhen në grusht,
fryn erë
dimri thellohet
vdekatarët janë të gjithë njësoj,
fryn erë
deti nuk u vjen lundërtarëve.
(“Fill”)
HARTA E NDIJOREVE PLOT ME UJË
Këtu ku nuk je ti
dhe atje ku nuk jam unë
bota njësoj rrotullohet,
apo jo?
Koha sa vjen e shtohet,
një baticë e madhe.
A di not shpirti yt?
Këtu ku jam unë
dhe atje ku je ti
bota shkon e vjen,
apo jo?
Udhët nuk bëzajnë
heshtja dëgjohet në çdo kryqëzim.
A kalon zemra jote me të kuqe, ndonjëherë?
Këtu ku je ti
dhe atje ku nuk jam unë
bota as shtyhet, as tërhiqet,
apo jo?
Fryma fjollë për fill,
mblidhet lëmsh i kuq mbi planet,
satelit me sy të ngulur në zbaticë.
Po trupi yt, si e ndjek largimin e ujit?
Këtu ku jam unë
dukesh dhe ti që je atje,
bota e ka në rrënjë dashurinë
po ato janë aq thellë në ujë,
apo jo?
Atëherë, kjo hartë ndijoresh
me tejzat e tua kapërthyer në të miat,
cilit lundrim i duhet, vallë?
Kur uji të më mbulojë do ta dish sekretin e baticave.
(“Fill”)
NATA E ZBATICËS
Ç’bie kjo natë kështu?
Natë si të gjitha netët, por tjetër, tjetër.
Ata lumenjtë që isha, bënë këtë det që jam,
por është natë, si të gjitha netët,
e gjitha fle aty thellë – e pazëshme
rryma që ishin, thellësi që u bënë,
dhe asgjëje nuk i gjej justifikim më të mirë
se këtë zemër që përplotet në trup.
Ç’bie kjo natë kështu?
Natë si të gjitha netët, por tjetër, tjetër.
Këto shenja fituar nga plagët,
flenë – fitore dhe humbje brenda
dhembja që ishin, fuqia që u bënë
dhe asgjëje nuk i gjej justifikim më të mirë
se harresën e ngadaltë – zbaticë e mençur shëruese.
Ç’bie kjo natë kështu?
Natë si të gjitha netët, por tjetër, tjetër.
Ndihet gjaku,
zemër e mbushur me shërim
zemër e mbushur me shërim
zemër e mbushur me shërim.
Ndihet.
(“Jemi gjallë gjer në mbrëmje”)
N’DETIN TJETËR
N’detin tjetër brenga e nji lumi
n’detin tjetër regjë m’kripë
tjetër koha, tjetër trupi
tjetër thellë, tjetër dritë.
Asht e largët, bahet afër
asht e huj, ty t’përket
mbruje bukën me një andërr
ndaje shpirtin fetë-fetë.
Mandej ngjyje kripën tande
mandej ndije ti at’ brengë
edhe shijen qiellzes tande
thuja ti me tjetër det.
Kripa njelmët gjaku tand
bashku-nda me dy pjesë
lumin amël, lumin tand
detit tjetër çojnë kujtesë.
(Poezia përmbyllëse e trilogjisë Frymë”)
ObserverKult
Kliko edhe:
ERINA ÇOKU: PARA SE DASHURIA TË NA VËRË PËRFUND
ERINA ÇOKU: LETËR PËR NJË MBRAMJE