E tmerrshme: “Gjuhës shqipe po i hapen përditë e më shumë plagë të pashërueshme…”

Nga Sejdin Cekani

Shqipes po i hapen përditë e më shumë plagë të pashërueshme. Kushdo prej nesh, nëse ndjek me vëmendje në orët e një pasditeje apo të një mbrëmjeje emisionet televizive të stacioneve të ndryshme, do të vërë re se gazetarët, folësit televizivë dhe drejtuesit e emisioneve po e çnatyrojnë shqipen përditë e më shumë.

Nga një vëzhgim i shpejtë gjatë dy ditëve të fundit kam renditur vetëm fare pak shembuj tipikë për të theksuar edhe një herë se ata që merren përditë me gjuhën e folur dhe të shkruar.

Përveçse zotërojnë një numër tejet të kufizuar të pasurisë së fjalësit të shqipes, bëjnë gabime nga më elementaret: përdorin vend e pa vend fjalë të huaja të panevojshme, nuk dinë të lakojnë emrat (sidomos emrat e përveçëm) dhe të zgjedhojnë foljet, ndërtojnë fjali që nuk i përshtaten sintaksës së shqipes, etj. 

Harrohet, ndoshta, se leksiku i shqipes dhe rregullat gramatikore të gjuhës nuk mëkohen me qumështin e nënës, por mësohen në shkollë dhe gjatë gjithës jetës.

Ndërsa mësuesit, pedagogët, gazetarët, përkthyesit dhe punonjësit e administratës shtetërore medoemos duhet t’i kenë si mjete pune e këshillimi fjalorët e shqipes (pa harruar drejtshkrimin dhe pikësimin), si dhe librat e gramatikës.

– “Jemi në fazën e implementimit të plotë të projektit. Studimi i fizibilitetit ka mbaruar dhe bëhemi gati për lotin e parë, që do të impaktojë dukshëm edhe benefite të tjera…”

(Nga intervista e një ministreje të kabinetit qeveritar.)

– “Përveç këtyre që dimë, ne kemi edhe presuposte të tjera dhe ato mund t’i bëjmë të njohura në një kohë tjetër. SPAK duheshte ta kishte konsideruar më parë si indicie.”

(Nga një bisedë në një studio televizioni.)

– “Nuk po plotësohen vetëm vakancat, por po shtohet artificialisht numri i nëpunësve në prag të fushatës zgjedhore.”

(Nga shtypi i shkruar.)

– “Atëherë edhe unë po të uroj me gjithë zemër nga ana ime: ishalla e realizon klipin e këngës deri në pranverë!”

(Këto janë fjalët e njërës prej drejtueseve të atyre emisioneve bajate të pasditeve.)

– “Sot kemi ftuar edhe dy gjimnazistët e olimpiadës së kaluar, Aleks dhe Indrit.”

(Edhe kjo fjali është shkëputur po nga emisionet e pasdites.)

– “Ai do të vuan nga tringëllimë në veshët dhe mund të ketë humbje të dëgjimit.”

(Nga një gazetë në internet.)

– “Qëllimi ynë është që t’i ngrisim edhe pensionet… por të kujdesemi dhe për ata që nuk po kan mundsi as me punua…”

(Citimi i fjalëve të një zyrtari në një gazetë në internet.)/Flasshqip.ca

*Titulli i origjinalit: “Shqipja rënkon e rrëgjohet përditë”

ObserverKult


Edmon Tupja biri im oh një grua

Lexo edhe:

TUPJA: GJUHA SHQIPE PO SHKËRMOQET, PO ZHDUKEN FJALËT, SHENJAT E PIKËSIMIT, DËSHIRORJA DHE HABITORJA…

Në “Ora e Betit” në RTV Ora, nga Beti Njuma, profesori Edmond Tupja u shpreh se gjuha shqipe po vritet dhe po shkërmoqet. 

Ai theksoi se shumë fjalë përdoren në gjuhë të huaj, ndërsa po zhduken fjalët shqipe në vend të tyre.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult