Dy poezi nga Arif Molliqi: Dikush ka frikë nga dashuria…

Nga Arif Molliqi

NË MOTELIN BREG RRUGE

në moshën që ka sot
ai përpiqet të gjej ilaçin të mos turpërohej
mbase e ka njohur një prostitutë
që s’kishte dy-tri ditë
mund me qenë edhe një javë
e kishin sjellë në motelin breg rruge
në botën e kësaj aventure
e kishin thirr politikanin plak
t’i rikthej ëndrrat, dashurinë e lënë peng
mbase nuk kishte mundësi
të hyj në një ëndërr tjetër

e në luftën e pa qenë pastaj
iu desh një natë e tërë
dashurisë t’ia prekte qiejt
megjithëse i ndodhi e kundërta
nuk mundte ta puthte
se nga goja i binin protezat
dhëmbët prej plastike
e në mes atij ofendimi
i ra ndërmend se s’ishte më i gjallë
se po digjej në ferrin e vetë.

VARRËT E HAPURA

Kjo lufta e fundit
s’ishte as e para as krejt e fundit

as krejt ndryshe nga luftërat tjera

ajo ka kohë që ka përfunduar
e unë kam kohë që thur poezi dashurie
edhe pse dikush ka frikë nga dashuria
që është kryevepra e njerëzimit

më kujtohet krejt çka ka mbet nga lufta
e futen nëpër katalogun e dhimbjeve
duke i numëruar varret
ose gropat që kanë mbetur të hapura

nëpër ato stine plotë mjegull
vrasësit kishin frikë nga vdekja
të vdekurit gëzoheshin pse po vdisnin

që i bie:
se po gëzoheshin
për kryeveprën e njerëzimit

(28. 01. 23)

ObserverKult


arif molliqi

Lexo edhe:

ARIF MOLLIQI: TË VDEKURIT KTHEHEN SËRISH TË ZOTI I TYRE

ARIF MOLLIQI: KUJTIMI PËR ADELEN…