Tregim nga Albana Beqiri
Nuk ishte një kohë e gjatë që kur kishte ndjerë dhembje për së fundmi, ndoshta ishin vetëm disa minuta të pakta, por që në vetëdijen e saj zgjatën pafund. Dhembja kishte qenë gjatë gjithë kohës aty, therëse, drithëruese pothuaj në çmendi, deri në momentin e tanishëm, kur befas sikur një dorë e padukshme të kishte tundur shkopin magjik, të gjitha dhembjet iu zhdukën ashtu çuditshëm e përmenjëherë.
-Ndoshta kam vdekur, i tha vetes, po po kam vdekur se ndryshe si mund të shpjegohet gjithë ky çlirim i menjëhershëm, ky moment i stërzgjatur pa dhembje, këto të fundit kishte kohë që i ishin pjesë e jetës dhe përditshmërisë. Madje madje kishte harruar se kur kishte jetuar ndonjëherë pa to, ngaqë viteve të fundit jeta i ishte mbështjellë e kishte ecur koordinatave që e kishin kryefjalë dhembjen. Nuk mundej më ta përfytyronte veten në një situatë të tillë qetësie, në paqe me mendimet, zemrën dhe trupin e saj. Ishte në të vërtetë një situatë e çuditshme nga e cila as donte të dilte, por as të shkonte më tej.
Në mur vizatohej një siluetë e errët, të cilën ishte e prirur ta besonte se ishte e veta ose e asaj që ajo kishte qenë dikur, para se të vdiste.
Nëse deri para një sekondi kishte pasur dyshime për vdekjen e vet, tani ishte e bindur se kishte vdekur me të vërtetë.
Ndjeu trupin tek i lehtësohej, e sikur të mos kishte fare peshë, prej një këndi të përmbysur shihte siluetën e vetvetes tek ngjitej lart, shumë lart, ishte sikur të fluturonte për diku pa iu bindur instiktit të mbijetesës, ishte një ngjitje marramendëse që mund të kishte fare mirë pasoja fatale.
Nga lartësia dalloi dy sy të gjelbër që e shihnin me ngulm, e vërteta është se më shumë se i pa, e ndjeu vështrimin e tyre ngulmues, e dinte se ishin sytë e saj apo sytë e asaj që kishte qenë para se të vdiste, po aq të gjelbër, në mos edhe më shumé.
-Pse më shihni me kaq ngulm, pyeti sytë që e shihnin nga lartësia e që e dinte se ishin të sajët, nuk keni parë kurrë një të vdekur?
-E ku po sheh ndonjë të vdekur këtu rrotull ti?, pyetja vinte si prej një humnere të thellë e të largët, ajo e njohu zërin e saj dhe u drithërua edhe më nga ideja e vdekjes së mundshme.
-Unë jam e vdekura e ti reflektimi i vetes sime të dikurshme, ose i asaj që jam tani.
E kuptoi se nuk po dridhej vetëm ajo, ndjeu edhe të dridhurat e siluetës që jo vetëm ishte afishuar në mur, por edhe ishte përhapur ngado.
-Mos u tremb, iu drejtua siluetës, nuk qenka dhe aq keq me vdekë. As vështirë.
Gjithë jeta paketohet vetëm në 21 gramë…
-Ti flet sikur të kesh vdekur vërtet, sikur e beson këtë…, zëri i njohur iu ngatërrua nëpër vesh dhe gati ia shpoi timpanin.
-Nëse unë nuk kam vdekur, atëherë kush je ti?, pyeti siluetën e vetvetes që tashmë ishte shpërndarë ngado.
-Po sikur të të them se jam nënvetëdija jote që të mbron nga frika e vdekjes, a do ta besoje këtë?
-Po sikur të të them që je vetëm pasqyrimi i dhembjes sime, pasqyrimi i frikës sime, a do ta besoje ti këtë?
Mes tyre u nder një fashë e terruar heshtjeje, asnjëra prej tyre, as ajo e as silueta e saj nuk po e merrnin guximin e mundimin ta thyenin heshtjen e marrë.
-Unë megjithatë nuk e di sesi ti mundesh të më shohësh, zëri i thellë që vinte nga nënvetëdija apo edhe nga pasqyrimi i dhembjes apo i frikës së saj u duk sikur po zbehej, njësoj si nata që ishte duke ia lëshuar vendin agut.
-Nëse nuk kam vdekur, atëherë duhet të jem në ëndërr?, nuk kuptoi nëse iu drejtua vetes apo syve të gjelbër lart mbi kokën e saj, të cilët pak më herët e kishin parë ngultas.
Heshtje, terri jashtë dritares ishte davaritur i tëri dhe bashkë me të ishin zhdukur silueta e saj e shtrembëruar nëpër mure dhe sytë e gjelbër e ngulmues.
Heshtja sikur po mbushte një boshllëk të madh që kishte filluar t’i futej edhe në shpirt.
Nuk ndjente asnjë dhembje, e vetmja gjë që mund ta “vriste” pak ishte boshi.
-E si mund të jetohet pa dhembje?, pyetja që i bëri vetes jehoi fort brenda boshllëkut që kishte filluar të përpinte gjithçka, madje edhe mëngjesin që ishte derdhur hareshëm e hijshëm mbi çdo gjë, duke rënë në boshllëk jehona vetëm po shumëfishohej duke i bërë konkurencë vetvetes.
-Nuk qenka kaq e frikshme vdekja, e pse njerëzit i friksohen kaq shumë?, edhe kjo pyetje ra në boshllëk, jehona e saj u shumëfishua mijëra herë derisa humbi e u shter diku boshit të paskaj.
-Si ta shtyj përjetësinë kështu pa dhembje?, pyetja tjetër iu end boshit të mendimeve të veta, ndërsa ndjeu se sytë po i rëndoheshin.
-Edhe të vdekurit flikan njësoj si të gjallët, i tha vetes, ndërsa po rrëshqiste në gjumë. Dikur i kishin thënë se edhe gjumi është një minivdekje. Edhe po të mos ishte, ç’punë do t’i prishte, e çfarë rëndësie kishte kjo tani në fund të fundit?
Ndjeu sesi po rrëshqiste ëmbël në terrin e minivdekjes, e bindur se tashmë ishte e vdekur mbylli sytë dhe iu dha pa asnjë rezistencë boshit që e priste përtej.
*Titulli i origjinalit, “Vdekja”
ObserverKult
Lexo edhe:
INTERVISTA E FUNDIT E ARDIAN KLOSIT: S’KAM FRIKË NGA VDEKJA, DO DOJA TË MOS ISHTE E DHUNSHME…
Intervista e fundit që publicisti Ardian Klosi ka dhënë në media është për gazetarin Mustafa Nano në gazetën “Mapo”, botuar më 27 janarit 2012.
Klosi rrëfen konceptet e tij për mjedisin, lidhjen e tij me historinë dhe Atdheun.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult