Leon Lekaj: Lulet e hidhuna të Shën Valentinit

Leon Lekaj
Leon Lekaj

Nga Leon Lekaj

Ja ku mbërrita pranë të vërtetës së madhe, i rrokun prej qiejve të tu dhe i shtrënguem prej pyetjes që vazhdon me më tronditë, si para shumë kohësh arsyen time të grryeme prej vallzimit tand të pashtershëm:

A mundesha mos me të dashtë?

Herën e fundit kur unë e ti jemi pa flokët e mi ishin krejt të zeza, me nji vijë të ndame anash, e të lyem me brilantinë, të kujtohet? Por që prej asaj kohe e deri më sot, kanë kalue 23 vite.

Për 14 vjet gjashtë muej e tetë ditë, nuk mora asnjë lajm prej teje. Thatsina, që ikja jote kishte shkaktue, po më shkumbonte fytin, e ishte gadi me më xanë frymën.

U shkapeta si nji qenie e pa shpresë nëpër njerëz që të kishin njoftë, nëpër angjensi, pagova shuma të mëdha detektivëve mashtrues, deri në çastin që dikush më tha se të kishte pa tek ky qytet gjigand. Vetëm kaq!

Vetëm kaq mjaftoi që unë të braktisja jetën time të qetë prej amfibi për me mbërritë këtu, në xhunglën e pamëshirshme, ku fshiheshin sytë e tu.

Qindra lagje, mijëra pallate, qindra mijëra dritare ishin kurthi me të cilin më duhej me u përballë, por ato nuk e penguen vullnetin tim me të kërkue.

Ma në fund, falë tre zambakëve, që ti mbaje gjithmonë në ballkon, të gjeta!

Çdo nade, kur këtë luks nuk ma pengonin ma vitet, merrja shkopin, simbol i moshës sime të thyeme dhe ecja për gadi një orë, me mbërritë poshtë ballkonit tand. Ulesha tek i njëjti stol, pa pyetë n’se ishte dimën apo verë pa pyetë a binte shi, apo dielli kërkonte me ndëshkue kokëfortësinë time prej plaku të marrë, për me kenë edhe një ditë afër teje.

Vija kufjet në vesh dhe mbushesha me kënaqësinë që më dhuronin tingujt. Ato tinguj, që të dy së bashku i dëgjuem për shtatë ditë me radhë, përpara 23 viteve, nëse të kujtohet?

At’herë kur s’bashku jetuam andrrën e bukur, ma parë se ti, krejt papritë, e pa dhanë asnjë shpjegim, më le vetëm aromën e buzëve të tua.

Nuk doja me ditë pse shikimi ishte ma i turbullt se ai i një dite ma parë, por qëndroja aty, ku shikimi yt, ashtu si edhe imi, mundej me më shque si një njollë të murrme, por të ambël, si nji të shkueme në duelin midis andrrës dhe realitetit.

Sot, kur mora atë vendimin fatkeq, i cili do të shpërbante gjithë masën e turbullt të ditëve poshtë ballkonit tand, ishte ditë shën Valentini. Ishin mbyllë të gjithë kufijtë e heshtjes dhe pritja qe zbardhë prej vargut të gjatë të ditëve pambarim. Porosita një buqetë me lule të freskëta tek luleshitësi dhe nënshkrova poshtë emrit tim, duke imagjinue çeljen e syve të tu, në praninë e njeriut, i cili do të priste deri sa ti ta lexoje atë. Ishte hera e parë që guxoja. Hera e parë mbas tetë vitesh heshtjeje.

Unë prita kthimin e tij, atë kthim, i cili i dha fund qëndrimeve të mia poshtë ballkonit tand. Në dorën time ai vuni një copë pusullë, e cila qe shkrue me ngutin e një mallëngjimi. “Tesi nuk jeton ma qysh prej tetë viteve. Vdiq nga një infarkt i shpejtë. Unë që shkruej jam motra e saj binjake dhe që prej ditës që ajo nuk asht ma, jetoj tek ky apartament.”

Buzëqesha hidhun. Ky qe i gjithë reagimi im përballë njeriut që më vuni në dorë copëzën e pusullës, që zhubrosej përherë e ma fort prej duerve të mia.

Gjatë udhëtimit tim për tek ti, e di, shpinës sime i janë shtue të tjera zhbirime, të tjera fole, mbi të cilat kanë fjetë dyshimet e njerëzve. Gjithë këto vite, shpirtit tim të butë, si në rastin e Prometeut, e kanë gërrye shprehjet e tyne.

Por kujtimi im për ty e ripërtërinte atë gjatë natës. Më duhej me buzëqeshë kur mbas shpinës sime dëgjoja fjalë që shprehnin keqardhje.

Sepse ata ndoshta nuk e dinë se gjatë këtyre tetë viteve, unë kisha një cak, kisha një masë të shdritshme, e cila ma ndizte ditën, më jepte fuqinë e mjaftueshme për me jetue, kënaqësinë e pafundme, tek mendoja se tek ai ballkon lëvizte hija jote. Kjo ide, më mbajti gjallë, e më bani me besue se lumturia do të përsëritej prapë të nesërmen dhe dita ime do të qe e mbushun me sytë e tu.

Ata, ndoshta nuk e dinë, se pirgu i andrrave që unë ndërtoja natën, shembej si në legjendën me themelet e një kalaje fatkeqe ditën, për tu rindërtue sërish në mbramjen që vinte. Prapë…prapë.

Tani kam një dhimbje në krahun e majtë. E di se çfarë po ndodh. Nëse drita që më bante të dukshëm nuk ekziston ma, atëherë nuk kam pse të jetoj si një hije…

Athinë, 2015

ObserverKult


Leon Lekaj

Lexo edhe:

LEON LEKAJ: HAKMARRJE

Nga Leon Lekaj

Isha dënue me hakmarrje primitive dhe një ushtri e tanë ishte turrë drejt meje. Shpata të unta prej ndenjes së gjatë formonin rrathë të zjarrtë në ajrin e mesditës. Sa e randësishme ishte me u mshehë?

Vendimi qe i fatit: mundesha me i shpëtue vdekjes, vetëm në kjoftë se e gjithë ushtria do të tregonte mëshirë për mue.

Por kalorësit gjithmonë kanë kenë njerëz të shquem dhe fisnikë. Për këtë arsye truni im i alarmuem rreshtonte argumente të buta, regëtinte shpresa të vagëta, me lutje drejt qiellit.

Reja e ndëshkuesve ishte tue mbërritë.

U ula në gjunjë për me pritë vdekjen. Me imitue përgjumjen në një çast të tillë, asht këshillë e vyeme. Kjo mbasi nuk ke me u ndie kurrë i qetë në botën tjetër, kur të shofësh se si drejt teje ngulet një shpatë e mprehtë apo një heshtë e gjatë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult