Shkenca kundër artit, ndizet debati për pikturat e Turner dhe Monet

Dy shkencëtarë të klimës kanë tronditur botën e artit pasi analizuan 100 piktura të William Turner dhe Claude Monet.

Në bazë të studimit të tyre të realizuar mbi një model matematikor, ata arritën në përfundimin se ngjyrat gjithnjë e më të zbehta dhe skicat e paqarta të pranishme në evolucionin stilistik të dy artistëve të mëdhenj, pasqyronin ndotjen e ajrit që përfshiu Londrën dhe Parisin në shekullin e 18-të dhe të 19-të.

Pra peizazhet e mrekullueshme urbane të zhytura në mjegull nga artisti britanik i lëvizjes romantike dhe mjeshtri francez i impresionizmit, do të ishin fotografi të dy metropoleve të mbytura nga smogu i Revolucionit Industrial. Por a është vërtet kështu?

Studimi u botua në revistën shkencore PNAS nga shkencëtarët Anna Lea Albright nga Sorbonne dhe Peter Huybers nga Harvard.

Ata analizuan 60 piktura të realizuara nga Turner midis viteve 1796 dhe 1850 dhe 38 të tjera nga Monet midis viteve 1864 dhe 1901.

Nga të dhënat e mbledhura doli se rreth 61% e ndryshimeve të kontrastit, skica gjithnjë e më të paqarta dhe një gamë ngjyrash më e bardhë në piktura “pasojnë kryesisht përqendrimet në rritje të dioksidit të squfurit gjatë asaj periudhe kohore”.

Sipas studiuesve, veprat “fotografojnë një realitet specifik, duke kapur pasojat e transformimit mjedisor dhe atmosferik në peizazhet urbane të kohës.

Në veçanti, dy piktorët duket se kanë treguar realisht se si drita e diellit filtron përmes tymit dhe reve”.

Kjo tezë ka ngritur disa paqartësi. Kritiku i artit Sebastian Smee, në Washington Post fton qartë që të mos i kushtohet shumë rëndësi këtij studimi pasi, në thelb, ai do të përfundonte duke nënçmuar evolucionin artistik të Monet dhe Turner.

“Korrelacioni nuk është e njëjta gjë me shkak-pasojë. Vetëm për shkak se dy fenomene duken të lidhura nuk do të thotë se njëri shkaktoi tjetrin”, thotë ai.

Sipas tij një lidhje midis ndotjes dhe punës së impresionistëve është diskutuar nga ekspertët e artit gjatë një ekspozite të vitit 2005 në Tate Britain në Londër, gjatë së cilës ata folën për “estetikën e ndotjes”, d.m.th. ideja se artistët mund të jenë shtyrë nga smogu që të braktisin realizmin dhe të kërkojnë të bukurën në mjedisin urban modern.

“Është e zakonshme, në pikturën e Turner-it dhe Monet-it të lidhin vizionet e tyre me aspekte të modernitetit, përfshirë ndotjen e shkaktuar nga njeriu.

Pra, lidhja është atje dhe është e vlefshme. Por të sugjerosh se radikalizmi i tyre në rritje, gatishmëria e tyre për të braktisur konturet e qarta dhe mënyrat e vjetra të pikturës, është rezultat i rritjes së niveleve të dioksidit të squfurit në atmosferë është të ngatërroni zgjedhjet e brendshme krijuese me stimujt e jashtëm”, shprehet kritiku i artit.

Dhe duke cituar Monet, ai shpjegon: “Çfarë duhet të mendojmë atëherë për zambakët e ujit të turbullt, edhe nëse ai i pikturoi 50 milje në veriperëndim të Parisit?

A kishte më shumë ndotje të ajrit në Giverny sesa në Londër? Jo.

Ajo që ndodhi, është se piktura e Monet u bë gjithnjë e më poetike dhe më afër abstraksionit.

Diçka ndjellëse dhe abstrakte, me një lidhje direkte me emocionet”.

Debati mes shkencëtarëve dhe ekspertëve të artit mbetet i hapur. Nga ana tjetër, Albright dhe Huybers pranojnë gjithashtu se me studimin e tyre sigurisht që nuk synojnë të rishkruajnë estetikën e impresionizmit, por të shpjegojnë, të paktën pjesërisht, evolucionin stilistik në karrierën e dy piktorëve.

“Studimi se si ndotja dhe ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në punën e artistëve mund të jetë ende interesant, duke vëzhguar se si ata e përshkruajnë mjedisin e tyre dhe se si mjedisi ndikon në atë që ata zgjedhin të shikojnë”, përfundojnë studiuesit./gazetatema

ObserverKult


Lexo edhe:

PIKTURAT E FAMSHME QË U VODHËN, E DISA EDHE U ZHDUKËN PËRGJITHMONË

Për aq kohë sa ka pasur art, ka pasur edhe hajdutë arti. Ndonjëherë grupet e hajdutëve kanë qenë në gjendje të vjedhin një numër të madh pikturash në të njëjtën kohë, me vlerë qindra miliona dollarëve, ndërsa herë të tjera janë mjaftuar me më pak dhe me çmime shumë më të lira.

Disa prej tyre janë të suksesshëm, ndërsa shumë të tjerë kapen dhe kësisoj, në të tilla kushte veprat e artit shkatërrohen. Më poshtë, shohim disa nga pikturat më të famshme të artit që janë grabitur.

Duke përfshirë pikturat më të famshme nga autorë të mëdhenj, si: Leonardo da Vinçi, Gustav Klimt dhe Edvard Munch – disa prej pikturave prej të cilëve, nuk u gjetën më.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult