“Je i frikshëm, ti s’duhesh futur në shtëpi”- Bujar Asqeriu: Si më akuzoi shoku i fëmijërisë se i kisha ngacmuar gruan

Një rol filmi apo teatri mund të të ngrejë si hero në sytë e njerëzve, por mund të të shndërrojë edhe në një figurë “të rrezikshme apo të frikshme”.

Aq e madhe është forca sugjestionuese e kinemasë, saqë mund të lërë pasoja në jetët e njerëzve. Kështu ka ndodhur edhe me Bujar Asqeriun, që nga “Njeriu i mirë” u shndërrua në një figurë të frikshme edhe për vetë miqtë e tij.

Aktori Bujar Asqeriu ka zbuluar, kohë më parë, detaje nga jeta personale, traumat familjare dhe karriera e tij si artist.

Ai ndalet te filmi “Jeta në duart e tjetrit”. Sipas Bujar Asqeriut, një mik i fëmijërisë, pasi ka parë filmin, e ka akuzuar se i ka ngacmuar bashkëshorten.

Jeta në duart e tjetrit

“Ky skenar kishte kohë që rrinte në sirtarët e Kinostudios, sepse e kishte shkruar një burrë zotëri, një mësues i Përmetit, Lliko Nano. Por ai s’kishte emër si skenarist, sepse këta niseshin nga emrat dhe Albert Zholi, një djalë modest, e mori për ta bërë film. U nis si një film pa pretendime, por koha bën vlerësimet, me kalimin e viteve dhe sot e kësaj dite ka një vlerësim shumë të madh.

Filmi ka arritur ato qëllimet e tij, sepse ka treguar jo vetëm për ato vite, por edhe sot për sot gjëra të tilla ndodhin dhe do të ndodhin. Njerëzit e pushtetshëm kanë fuqi të tillë dhe i lejojnë vetes duke prishur çdolloj rregulli, çdolloj ligji, çdolloj marrëdhënieje.

Efektet e këtij filmi i mora në mënyrë të menjëhershme dhe këtu në Kinostudio. Pati pëshpërima, por edhe miqtë e mi intelektualë, me universitet, me punëra të mira, më thoshin: “Ti je i frikshëm. Ti s’duhesh futur në shtëpi!”. Po pse, u thosha unë? “Në asnjë mënyrë! “Unë s’të fus në shtëpi”. Kaq impakt goditës kishte roli te miqtë e mi. Me një shokun tim të fëmijërisë qe e tmerrshme. Unë isha me time shoqe, m’u turr duke më thënë fjalë të lemerishme.

“Më ke ardhur në shtëpi, më ke parë gruan nga këmbët”. I thashë: Po unë të kam shok, ne jemi rritur bashkë! Si m’i thua këto fjalë. “Po, po, më tha, të zhdukeni me gjithë familje, të mos rrini më këtu! Të zhdukeni nga Vlora”. Kaq traumatik ishte bërë ai film dhe ajo figurë për të”, tregon aktori i njohur./vjosa.net

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇAPALIKU, VELIAJ, LLOSHI, JACAJ, MEKSI DHE GOGO- FITUESIT E ÇMIMEVE KOMBËTARE TË LETËRSISË

ObserverKult