“Jam për eutanazinë, njeriun nuk mund ta mbash gjallë me makineri”, Kongoli: Pa Lilin nuk do isha bërë shkrimtar

Fatos Kongoli ka zbuluar në emisionin “Pas Mesnate” se librin “Gënjeshtarët e vegjël” e ka shkruar gjatë kohës kur ishte i sëmurë dhe kur u bë më mirë e plotësoi.

Ai ka deklaruar se është pro eutanazisë, edhe pse shumë njerëz e konsiderojnë si skandaloze.

Kongoli ka theskuar se është e padrejtë që njeriun ta mbash gjallë me makineri.

“Unë atë libër në fakt e kam shkruar gjatë kohës që kam qenë shumë i sëmurë. E kam krijuar në vetvete dhe e kam plotësuar të gjithin. Unë e kisha të gatshëm kur fillova ta shkruaj sepse e kisha përtypur me vetveten, e kisha përtyp dhe ripërtyp aq shumë, sa që kur u shërova e kam shkruar me një frymë sepse e kisha të gatshëm.

Unë jam për eutanazinë, është njerëzore, e shpëton njeriun. Është e papranueshme kjo që them, sepse nuk di si ta shpjegoj tani.

Por unë jam, kur e sheh që është e padrejtë, jo njerëzore, ta mbash njeriun gjallë me makineri, kur nuk është më njeri, kur nuk komunikon. Vetëm zgjat agoninë, nuk bën asgjë tjetër.

Nuk janë dakord shumica e njerëzve me këtë mendim, e di që disa skandalizohen. Mirëpo, nuk kam çfarë bëj”, u shpreh shkrimtari.

Më tej, ai ka folur dhe për bashkëshorten pa të cilën nuk do të ishte bërë shkrimtar. Kongoli ka treguar se ajo i lexon librat e tij kur botohen, pasi është një kusht që ia ka vendosur që në fillim.

“Unë pa Lilin nuk do isha bërë shkrimtar. Lili i lexon librat e mi kur dalin libra, ajo nuk e di me se merrem, çfarë bëj sepse ja kam vënë kusht që në fillim.

I kam thënë, po tregove kureshtje, jo të më pyesi se ça po bën, më mirë e prishim këtu muhabetin. Vepra që tregohet nuk shkruhet. Jam supersticioz”, tha ai./abcnews.al

ObserverKult


Lexo edhe:

PAS ISMAIL KADARES, EDHE FATOS KONGOLI KA NJË MESAZH PËR ATA QË IKIN…

Shkrimtari është rikthyer sërish te lexuesi, me fjalët domethënëse:

“Kam një mesazh me gjithë zemër, për të rinjtë që braktisin vendin: Duajeni Shqipërinë, duajeni këtë vend! Të duash është të mundesh dhe nëse e do vendin mundesh ta bësh atë”.

Në një rrëfim të tij për jetën, kujtimet dhe romanin e sapobotuar në italisht “Gënjeshtarë të vegjël”, për ”News 24”, ai ka folur edhe për romanin e sapobotuar. Ky është libri i parë pas sëmundjes. Ai tha se “shkova deri te porta e Shën Pjetrit, por më thanë nuk ka ardhur koha”.

Në intervistën e gjatë, mes të tjerash, Kongoli thotë se folja në urdhërore, për shqiptarët është “të duash”. Duke iu referuar braktisjes së vendit nga të rinjtë, Kongoli pohon se, “të duash është të mundesh”. Kështu duke nënkuptuar se nëse e do vendin, mundesh ta bësh atë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult