Pas Ismail Kadares, edhe Fatos Kongoli ka një mesazh për ata që ikin…

Shkrimtari është rikthyer sërish te lexuesi, me fjalët domethënëse:

“Kam një mesazh me gjithë zemër, për të rinjtë që braktisin vendin: Duajeni Shqipërinë, duajeni këtë vend! Të duash është të mundesh dhe nëse e do vendin mundesh ta bësh atë”

Në një rrëfim të tij për jetën, kujtimet dhe romanin e sapobotuar në italisht “Gënjeshtarë të vegjël”, për ”News 24”, ai ka folur edhe për romanin e sapobotuar. Ky është libri i parë pas sëmundjes. Ai tha se “shkova deri te porta e Shën Pjetrit, por më thanë nuk ka ardhur koha”.

Në intervistën e gjatë, mes të tjerash, Kongoli thotë se folja në urdhërore, për shqiptarët është “të duash”. Duke iu referuar braktisjes së vendit nga të rinjtë, Kongoli pohon se, “të duash është të mundesh”. Kështu duke nënkuptuar se nëse e do vendin, mundesh ta bësh atë.

Kujtimet e largëta të Kinës, ndikimi që pati Kina në botëkuptimin e të riut që deri atëherë besonte pa kuptuar çfarë po ndodhte, përbëjnë fillesën e një udhëtimi ndryshe. Duke u ndalur te mëkatet e falshme dhe të pafalshme, ai flet sërish për “mea culpan” e vet. Flet edhe për nevojën që ka shoqëria për kujtesën. Raporti me bashkëshorten mbetet kyç, raporti me letërsinë gjithaq, por në intervistë ai zbulon detaje të jetës së tij, mes nostalgjisë dhe dëshirës për ta parë veten në pasqyrë.

“Kam kaluar një mbrëmje të Vitit të Ri në teatër. Festa ishte organizuar nga Lidhja e shkrimtarëve në aneksin e Teatrit Kombëtar. Në mos gaboj, ka qenë viti 1964 dhe sapo isha kthyer nga Kina. Kam kërcyer gjithë natën dhe kam pasur kënaqësinë që më ka mbetur në mendje, të takoja për herë të parë Ismail Kadarenë. Sapo kishte botuar librin “Shekulli im” dhe për mua, ai ishte një libër jastëku, e mbaja dhe e lexoja vazhdimisht”, – tha ai. /konica.al

ObserverKult

__________________

Lexo edhe:

“FATOS KONGOLI, MOS T’U VENITTË KURRË FANTAZIA DHE DËSHIRA PËR TË KRIJUAR”