Nga Agim Baçi
“Si është e mundur që ti qesh, je i gëzuar, kur nuk ke paratë që kam unë?”.
Kështu më pyeti shumë vite më parë një njeri i pasur, me të cilin isha bashkuar në ëndrrën e tij për të ndërtuar një televizion.
Pyetja e tij ishte sa për të qeshur, aq edhe për t’u menduar gjatë. Megjithatë, në atë kohë, isha i ri, dhe pyetja e tij vetëm më bënte të qeshja. Mbaj mend se i thashë, “Në Tiranë ka shumë njerëz që nuk duan as t’i kenë paratë e tua, e jo më të shqetësohen që nuk i kanë.
Ka shumë nga ata që janë të lumtur duke pasur një familje të mirë, miq të mirë, të jenë të qetë dhe të kenë kënaqësi në atë që bëjnë në përditshmërinë e tyre.
Ideja se nëse nuk ke paratë e tua, nuk ke jetë, është e gabuar, edhe pse të jesh i pasur është shumë mirë”.
Tashmë, vite më vonë, edhe pse e ndjej që nuk kam ndryshuar në këtë drejtim, për të qeshurën dhe për paratë, sërish ka disa gjëra që më frenojnë buzëqeshjen e dikurshme.
Jo se jam kundër të pasurit para e as kam ndryshuar mendim për faktin se nuk mjaftojnë vetëm paratë që të jetosh ditët e tua me kuptim.
Njëkohësisht, nuk kam pse ta fsheh se ndjej një respekt të thellë për ata që shtojnë pasurinë e tyre përmes punës, përmes talentit, apo duke arritur të shtojnë të menaxhojnë me maturi pronat e tyre.
Fundja, ne nuk duhet të jemi hipokritë, që nga njëra anë u themi fëmijëve që të mësojnë, të bëhen të zotët e vetes, që të kenë gjërat që u duhen në jetë, e nga ana tjetër të urrejmë ata që kanë.
Për mua ata që urrejnë ata që kanë pasuri, që i kanë vënë nga puna dhe talenti, për shkak të trashëgimisë apo edhe fatit të tyre në jetë, janë gënjeshtarë, janë njerëz që jetojnë në marrëzinë e tyre, pasi jetojnë në shtratin e urrejtjes, pa shijuar kurrë asgjë.
Por buzëqeshjen e dikurshme teksa i ktheja përgjigje një njeriu të pasuruar përmes punës së tij, sot duket se ma kanë vënë në pikëpyetje njerëz të tjerë, të cilët, kur i takon numërojnë vetëm se kush ka para, kush ka vila, kush bën jetë luksoze, pavarësisht se si i kanë fituar ato para.
Është trishtim se si rrëfejnë plot entuziazëm për njerëz që, përmes pushtetit, kanë mundur të kenë pasuri të jashtëzakonshme.
Çuditesh me lehtësinë e tyre për të konsideruar të suksesesh dikë që vjedh, dikë që mashtron, dikë që përmes korrupsionit dhe mashtrimit ndërton vila, blen makina e bën pushime luksoze.
Të tillë njerëz të trishtojnë, sidomos nëse janë për ne persona me të cilët ke bashkëndarë dikur një kuptim për jetën, që ke besuar se nuk duhet kurrsesi të adhurosh vjedhjen, që kurrsesi të mos i rrëmbesh tjetrit pasurinë.
Çuditesh se si aq lehtësisht disa justifikojnë ata që janë pasuruar përmes trafikut të qenieve njerëzore.
Janë po këta njerëz që më pas e pranojnë me lehtësinë më të madhe se nuk është problem të devijosh vullnetin e zgjedhësve, se mund t’ia blesh votën dikujt, pasi, sipas tyre, e vetmja gjë që vlen është pushteti dhe fuqia që buron nga pushteti.
Në fakt, ata që miratojnë një mënyrë të tillë të pushtetit dhe parasë janë ata që më pas miratojnë çdo veprim, sado fyes dhe poshtërues të jetë për ta, mjafton që t’i hapë rrugën pasurimit të tyre. Sepse kështu ata besojnë se nesër do jenë dikush në jetë.
Shumë nga ata e thonë tashmë hapur, me zë të lartë, se duhet të shfrytëzojnë rastin që i është dhënë.
Madje krenohen që kanë qenë të zotët që në pak kohë kanë rrëmbyer e vjedhur, me idenë se janë nga buxheti i shtetit apo se u takon ajo pjesë e parave që u kanë dhënë ata që kanë përfituar nga pushteti i tyre.
Fatkeqësisht, nga korruptimi moral i shumë njerëzve, sot ky model është i adhurueshëm dhe ti, që ke nuk e mbështet këtë model, kthehesh në një njeri që ata e shprehin hapur keqardhjen, që të quajnë të prapambetur, naiv, budalla.
Këta janë, në fakt, edhe mbështetësit e hapur të së keqes që na ka kapluar prej kohësh. Të tillë njerëz nesër nuk e kanë aspak problem të justifikojnë të keqen, të shesin dinjitetin e gjithçka tjetër, të justifikojnë një kryeministër që i tall, të mbështesin dikë që në mes të ditës mund t’u thotë qoftë edhe se është Mbreti i Spanjës, mjafton t’i japë shpresë se përmes tij do bëhen të pasur.
Sepse adhurimi ndaj të keqes ka vetëm një fund- të jetosh si ai që imitojnë dhe duartrokasin, duke adhuruar vetëm një jetë plot dreka dhe darka, ku pihet e hahet pa pushim, e ku gjithkush shihet vetëm si pjesë e dëfrimit.
Me të tillë njerëz, të cilët më pas mund të shesin gjithçka,- pasi një jetë e tillë ka në thelbin e vet çmimin, ofertën më të mirë-, nuk ke pse të bashkudhëtosh e as të besosh se ata ndryshojnë.
Të tillë njerëz do tërheqin dorën ndaj teje sapo një dorë tjetër t’i propozojë një hap drejt vjedhjes, drejt talljes së tjetrit dhe do të jenë të parët që do të të kthehen ty.
Fatkeqësisht, këta janë ata që do pengojnë çdo ditë pjesën tjetër të shoqërisë të flasë për ato vlera që na veçojnë nga çdo qenie tjetër, nga ato vlera që na mbajnë njerëz.
Janë këta persona që i detyrojnë mijëra të rinj që ose të pranojnë këtë korruptim moral ose të ikin nga ky vend.
… “I varfër nuk është ai që ka pak, por ai që nuk ngopet kurrë”!- thotë një shprehje fetare!
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM BAÇI: NË VEND TË DEBATIMIT PËR MORAL E KULTURË DEBATOJMË PËR BLERJE E SHITJE
Nga Agim Baçi
Filozofi francez, Zhylien Benda, shkroi gati njëqind vite më parë atë që njihet si “Tradhtia e intelektualëve”.
Ai parashikoi se e keqja e shoqërive të sotme do të kulmonte me shkatërrimin moral të atyre që paguhen për të edukuar breza.
Dhe sot, në vend të debatimit për nevojat morale e kulturore të shoqërisë, debatohet për treg, për blerje dhe shitje, duke kaluar në plan të parë argëtimin. Kjo “tradhti intelektuale” ka sjellë më pas edhe djerrinën e madhe të autoritetit të tyre.
Shoqëria shqiptare të paktën ka kohë që nuk i referohet ndonjë kënaqësie të debatit intelektual e as nuk i drejtohet më atyre për zgjidhje. Aq më pak duket e i merr në konsideratë politika. Kjo pasi që autoriteti i tyre për të përballur jetën me dinjitet ka rënë, duke i dhënë fuqinë botës së spektaklit.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult