Silvana Kola-Loka: Disa fjalë për Big Brother dhe ata që e shikojnë

përputhen silvana heshtja

Një opinion modest për kotësinë dhe mbrapshtësinë e Big Brother dhe emisioneve të tjera si ai

Nga Silvana Kola-Loka

Dikur, me dëshirën për të studiuar gazetari, lexova në një tekst prestigjoz të formimit të gazetarëve, atë çfarë u kthye në filtrin përmes të cilit do të shikoja lajmet dhe median përgjatë gjithë viteve që vijuan:

“Nuk përbën lajm kur një qen kafshon një njeri. Lajm është kur një njeri kafshon një qen!!!”.

Një njeri që kafshon një qen nuk është diçka që ndodh rëndom, nuk është një sjellje me të cilën shumica e njerëzve mund të identifikohen, madje nuk është as një informacion për një sjellje që mund të shërbejë për të jetuar më mirë.

Por, njeriu që kafshon një qen shet lajmin, duke i gllabëruar teleshikuesit kohë nga jeta e tij; kohë e cila nuk i kthehet më mbrapsht dhe, për më tepër, kohë që e ka ngarkuar me ca tensione krejt artificiale që lidhen me jetën e tjetrit duke e alienuar plotësisht nga jeta e tij…

Sigurisht që autorët e tekstit që përmenda më sipër bënin thirrje që gazetarët e rinj të mos binin në kurthin e kësaj recete aprioristike të suksesit të lajmit dhe përfitimit financiar të bosëve të medias, por sa pare bën kur konstaton që mediat janë të gjitha në kërkim të kafshimit të njeriut në të pasmet e qenit…

Kur shikoj emisione si BB nuk mund të mos shikoj njeriun që kafshon një qen.

Ato që ndodhin në BB dhe emisione si ai, nuk janë gjëra që ndodhin rëndom, nuk janë gjëra me të cilat mund të identifikohen pjesa më e madhe e popullsisë dhe, ca më shumë, shikimi i tyre i gllabëron teleshikuesit kohë nga jeta e tij; kohë e cila nuk i kthehet më mbrapsht dhe, për më tepër, kohë që e ngarkon me ca tensione krejt artificiale që lidhen me jetën e tjetrit duke e alienuar plotësisht nga jeta e tij…

Të mos biem në kurthin se rinia shqiptare është katandisur si mos më keq!

Të mos biem në kurthin se shoqëria shqiptare është molepsur e gjitha dhe ajo çfarë shikojmë në TV është pasqyrë e asaj që jemi!

Në të përditshmen tonë ne jemi njeriu që e kafshon qeni. Dhe qeni ka fytyrën e nënpunësit të korruptuar, ligjvënësit të panginjur nga padrejtësia, mësuesit të çoroditur që përplaset mbi supet e brishta të fëmijëve tanë, faturës se dritave dhe ujit që nuk paguhet dot nga varfëria, çmimit të shëllirtë të karburantit, spitaleve pa shtretër dhe paracetamol, etj, etj, etj…

Dhe për aq kohë sa ne nuk do të revoltohemi mjaftueshëm për t’u kthyer e për të kafshuar lukuninë e qenërve që na i kanë nguluar dhëmbët deri në palcë, do vazhdojmë ta shikojmë Big Brother-in si shqetësimin tonë më të madh…

ObserverKult


pablo neruda

Lexo edhe:

PABLO NERUDA: A DO TË KTHEHESH, APO DO TË MË LËSH TË VDES?

Poezi nga Pablo Neruda

Mos rri larg meje, qoftë edhe për një ditë, sepse,
sepse nuk di si të ta them: e gjatë është dita
dhe unë do t’jem duke të të pritur si në stacionet boshe,
trenat e të cilëve në ndonjë cep tjetër flenë.

Mos shko, qoftë edhe për një orë, sepse
gjatë kësaj ore pikat e angështisë do të mblidhen
dhe ndoshta, tymi që sillet duke kërkuar shtëpi
vjen për ta vrarë këtë zemrën time të humbur.

Oh, mos u shpërbëftë kurrë silueta jote në plazh!
Oh, mos lëvizshin kurrë qepallat e tua në zbrazëti!
Mos shko qoftë edhe për një minutë, e dashur,
sepse gjatë asaj minute do të kesh ikur aq larg
saqë unë do t’i bie botës rrotull duke pyetur:
A do të kthehesh, apo do të më lësh të vdes?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult