Mustafa Kruja, patrioti i mohuar nga diktatura komuniste- ju fshi firma nga Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi firmëtarin, mësuesin, patriotin dhe politikanin Mustafa Merlika-Kruja, një figurë e mohuar dhe anatemuar nga regjimi komunist, të cilit edhe firma në Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë, ju fshi.

Lindi më 15 mars 1887 në qytetin e Krujës. Ndoqi mësimet e para në shkollat turke, respektivisht në Krujë dhe në Durrës.

Vazhdoi studimet e larta në Stamboll, në shkollën e administratës. Si nëpunës, u caktua fillimisht drejtor i arsimit në Elbasan.

Gjithashtu, punoi si mësues matematike e turqishteje në shkolla të ndryshme në Durrës.

Ishte ndër njerëzit që organizuan pritjen e Ismail Qemalit në Durrës pasi vinte nga Trieste dhe e shoqëron drejt Vlorës.

Mori pjesë në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Krujës dhe është një nga firmëtarët e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë.

Me krijimin e qeverisë së re, u caktua sekretar i parë. Më 1913, u vendos si nënprefekt i Vlorës. Ushtroi dhe detyra të tjera të larta në fushën e arsimit.

U rikthye në politikë me anë të Kongresit të Durrësit më 1918. Në kabinetin e Turhan pashë Përmetit, Mustafa Kruja mbante postin e Ministrit të Postë-Telegrafit.

Ishte pjesë e delegacionit qeveritar në Konferencën e Paqes në Paris më 1919. Ndonëse nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, Mustafa Kruja u angazhua në politikë si deputet i prefekturës së Kosovës i zgjedhur më 1921.

Mbështeti Revolucionin e Qershorit të 1924 dhe mbeti një kundërshtar politik i Ahmet Zogut, edhe gjatë kohës kur qëndronte në ekzil në Zara të Dalmacisë.

U rikthye në Shqipëri me pushtimin italian, si një ndër themeluesit e Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare, së bashku me figura të shquara si Ernest Koliqi, Ilo Mitkë Qafëzezi, Eqrem bej Vlora, Aleksandër Xhuvani, Patër Anton Harapi etj.

Më 1941, caktohet kryeministër i Shqipërisë, post të cilin e mbajti deri në vitin 1943.

U largua nga Shqipëria në shtator të 1944 për shkak të sëmundjes të së birit në Austri, për t’u mos u rikthyer më në vendlindje.

Kontributi i Mustafa Krujës në fushën shkencore dhe publicistike është i konsiderueshëm.

Ka botuar dhjetëra artikuj në revistat dhe organet e ndryshme të shtypit si Ora e Maleve, Leka, Përpjekja Shqiptare, Mbrojtja Kombëtare, Shqipëria e Re, Hylli i Dritës etj.

Punoi për 15 vite për “Fjaluerin kritik të Gjuhës Shqipe” si dhe kreu një studim analitik mbi “Fjalorin e Frang Bardhit”.

La shenjën e tij në historiografi duke përpiluar monografinë “Anthologji historike” dhe “Shkrime historike”, si dhe veprën “Aleksandr’i i madh”.

Ka përkthyer veprën voluminoze nga gjermanishtja në shqip “Vëzhgime iliro-shqiptare” nga trio-ja e mirënjohur e albanologëve Thalloczy-Shuflaj-Jireçek.

Ndërroi jetë në Niagara të ShBA-së më 1958./ATSH

ObserverKult


avni rrustemi

Lexo edhe:

AVNI RUSTEMI- HERO APO KRIMINEL? SI E VRAU MULLIXHIU…

A mund ta kishte jetën e sigurt Avni Rustemi, njeriu që vrau Esad Pashë Toptanin?

Ky ankth për Avni Rustemin zgjati 3 vjet, 9 muaj e 7 ditë, kur Isuf Reçi bëri ndaj tij atë që ai vetë kishte bërë ndaj Esad Pashë Toptanit.

Pesë minuta përpara se të shkonte ora 16.00 të dielën e 20 prillit të vitit 1924 në Tiranë, dy plumba të dalë nga e shtëna e pistoletës e lanë të plagosur për të ndërruar jetë dy ditë më vonë. Ishte vrarë vrasësi i Esad Toptanit.

SKENA E KRIMIT

Me hap të shpejtë, i shkujdesur dhe pa asnjë interes për këdo që kalonte në rrugën e varrezave, Avni Rustemi dukej i sigurt teksa pranë ishin dy miqtë e tij. E njëri prej tyre ishte deputeti Hoxhë Kadriu.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult