Për Esencën e njeriut
(një variacion i përgjigjes së pyetjes “Kush jam unë?”)
Nga Silvana Kola-Loka
Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme, kur bie fjala për rëndësinë e pamjes së jashtme, thuajse të gjithë bien dakord në dy gjëra:
Ne gjykojmë se pamja e jashtme është shumë e rëndësishme për t’u ndjerë mirë me veten.
Dhe sa më mirë të ndjehemi me veten, aq më të relaksuar vendosemi në raporte me të tjerët.
Ekziston një presion i madh i shoqërisë, kryesisht përmes industrisë së modës, asaj kozmetike dhe farmaceutike, për t’u dukur sa më të bukur, sa më të rinj dhe sa më elegantë.
Dhe, nëse nuk jemi të kënaqur me rezultatin, atëherë e kërkojmë ‘dermanin’ tek programet dhe aplikimet për të shtrirë rrudhat dhe për të ulur kilogramët.
A është realisht pamja e jashtme kaq e rëndësishme sa e mendojmë? Deri në ç’masë pamja e jashtme përcakton atë që ne jemi?
***
Legjenda e Sitës
Sita ishte një vajzë indiane. Sipas legjendës, ajo dashuronte dy djem dhe nuk dinte se cilin të zgjidhte për bashkëshort.
Kur djemtë e panë se ajo nuk po vendoste dot, vendosën ta zgjidhnin çështjen me duel.
Sikurse ndodh nëpër legjenda, historia nuk shkoi mirë. Ata vdiqën të dy.
Sita, kur pa se çfarë ndodhi, ca nga dhimbja e madhe dhe ca nga fajësimi i vetes, i kërkoi të falur Zotit dhe iu lut t’i kthente djemtë në jetë sepse ajo do të zgjidhte njërin prej tyre. E kishte vendosur!
Zoti i kësaj legjende kishte një sens të hatashëm humori. Ai i riktheu djemtë në jetë, por me një ‘haraç’ të vogël: trurin e njerit e vendosi në trupin e tjetrit dhe trurin e të dytit e vendosi në trupin e të parit.
Sita i pa të dy djemtë, i përqafoi, i falënderoi për dashurinë e tyre dhe iu tregoi për ‘paktin’ që kishte bërë me Zotin.
Kur djemtë filluan të flisnin, ajo kuptoi çfarë kishte ndodhur. U hutua, u mërzit, u zemërua dhe pastaj e mblodhi mendjen që nuk mund të zgjidhte asnjërin prej tyre. Cili prej tyre ishte kush?!?!
***
Pamja e jashtme është e rëndësishme, shumë e rëndësishme. Mirëpo, ajo që zotërojmë së brendshmi, përbën në vetvete esencën tonë: mendimet tona; kujtimet tona; emocionet tona; talentet tona; sukseset dhe dështimet tona; etj, etj.
Për pamjen e jashtme e fillojmë kujdesin çdo mëngjes, me larjen e dhëmbëve…
Po sikur të provojmë ta përmbysim këtë raport të kujdesit për veten?
Ta fillojmë kujdesin ndaj vetes duke e filluar ditën me përgjigjen ndaj pyetjes: “Çfarë dua unë të bëj sot, për t’u bërë dikush më shumë se dje; dikush më i mirë se dje?”
Dhe ta mbyllim ditën duke iu përgjigjur pyetjes: “Çfarë bëra unë sot, që më bën të jem dikush më shumë dhe më i mirë se ai/ajo që isha sot në mëngjes?”
E kam provuar këtë rutinë. Dhe e kam shijuar pafund. Në fillim është e vështirë, sepse biseda me veten nuk ka ndërmjetës e të duhet t’ia gjesh anën. Por, shumë shpejt, do ta ndjeni lumturinë nga konstatimi se dita nuk ka mbaruar vetëm sepse Toka u rrotullua rreth vetes.
Mund të mos ia dalësh të bëhesh më i mirë. Madje, mund ta katranosësh fare dhe ta zvogëlosh shpirtin disa centimetra në ditë të caktuara.
Por, çdo ditë e re është një mundësi e re për t’ia nisur nga e para.
ObserverKult
Lexo edhe:
SILVANA KOLA-LOKA: KUR S’KE AFËR VETES DIKË QË TA NDASH LUMTURINË…
Vetmia më e madhe sipas meje?
Është ai momenti kur ti kupton se nuk ke pranë vetes dikë me të cilin të ndash lumturinë tënde!
Nga Silvana Kola- Loka
Duket pak e çuditshme, apo jo? Në fakt, dhimbja e ka shumë më të madhe peshën specifike për shpirtin dhe (me të drejtë) mund të mendohet se dhimbja bëhet më e lehtë kur e ndan me të tjerët. Ti e vuan mungesën e të tjerëve sepse do të doje që dikush të ndante barrën me ty! E drejtë kjo!
Lumturia?! Na jep atë ndjesinë se pluskojmë në ajër, se jemi të lehtë si një pupël. Kësisoj, kjo është një ‘peshë’ krejt e përballueshme për ta mbajtur vetëm ndaj, me logjikë të thjeshtë, ne mund ta jetojmë pa patur nevojë për askënd përveç vetes. E megjithatë ne e vuajmë mungesën e të tjerëve, shumë madje. Si është e mundur?
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult