Silvana Kola-Loka: Kur s’ke afër vetes dikë që ta ndash lumturinë…

përputhen silvana heshtja

Vetmia më e madhe sipas meje?
Është ai momenti kur ti kupton se nuk ke pranë vetes dikë me të cilin të ndash lumturinë tënde!

Nga Silvana Kola- Loka

Duket pak e çuditshme, apo jo? Në fakt, dhimbja e ka shumë më të madhe peshën specifike për shpirtin dhe (me të drejtë) mund të mendohet se dhimbja bëhet më e lehtë kur e ndan me të tjerët. Ti e vuan mungesën e të tjerëve sepse do të doje që dikush të ndante barrën me ty! E drejtë kjo!

Lumturia?! Na jep atë ndjesinë se pluskojmë në ajër, se jemi të lehtë si një pupël. Kësisoj, kjo është një ‘peshë’ krejt e përballueshme për ta mbajtur vetëm ndaj, me logjikë të thjeshtë, ne mund ta jetojmë pa patur nevojë për askënd përveç vetes. E megjithatë ne e vuajmë mungesën e të tjerëve, shumë madje. Si është e mundur?

Në fakt, unë gjykoj se ‘kleçka’ për të kuptuar këtë lloj mospërputhjeje, fshihet në atë që të tjerët e kanë më të lehtë të na japin në të dyja rastet. Po sqarohem!
Në rastin e dhimbjes tonë, tek tjetri aktivizohen automatikisht ndjenja të tilla si dhembshuria dhe keqardhja. Këto, në gjykimin tim, të tjerët e kanë më të lehtë t’i ndjejnë sepse vijnë nga pozita e dikujt që ose nuk ndjehet aq keq sa ne, ose ndjehet më pak keq se ne.

Dhe kjo është një ndjesi që e bën tjetrin të ndjehet mirë. Madjé, edhe nëse ndjehet po aq keq sa ne, dhimbja jonë ia lehtëson dhimbjen e tij sepse ai mendon se nuk është i vetmi që vuan. Ç’lehtësim!!

Ndaj njerëzit e kanë të lehtë të solidarizohen me dikë që vuan. Ndaj, në dhimbje, ne rrallë herë mbetemi vetëm sepse të gjithë njerëzit priren “t’i lajnë hesapet” me dhimbjen e tyre, edhe pse ndonjëherë, pa dashjen e tyre, kjo ndodh përgjatë dhimbjes tonë.

Në rastin e lumturisë tonë? Aaa, këtu ndryshon puna. Përgjithësisht lumturia jonë, në gjykimin tim, aktivizon tek të tjerët (për çudi) të njëjtët mekanizma si në rastin e dhimbjes: njerëzit kujtojnë rastet kur nuk kanë qenë (ose që nuk janë) të lumtur si ne dhe kjo i bën të ndjehen keq për veten. Nuk e bëjnë (le të mendojmë pozitivisht) se nuk na duan, por sepse shmangia e dhimbjes (si nevojë njerëzore), përgjithësisht, është më e rëndësishme sesa përjetimi i lumturisë.

Pse e ndjejmë ne më thellë vetminë kur jemi të lumtur?
Sepse lumturisë tonë mund t’i gëzohen poaq sa edhe ne vetë, vetëm ata njerëz të cilët e kuptojnë me të vërtetë rëndësinë e atij momenti të lumtur për ne; vetëm ata që janë të gatshëm të kapërcejnë çdo kufizim tyrin për të pranuar se ne, në një moment të dhënë, mund të jemi të lumtur edhe nëse ata nuk janë. Edhe nëse kjo tregon se ne jemi më të zotët sesa ata.

A e imagjinoni dot se sa shumë i duhet dikujt të kapërcejë dhimbjen e vet (apo qoftë edhe kotësinë e ditës së vet) për të ndarë me ne lumturinë tonë??
Ja pra! Prandaj, për mua, lumturia që nuk arrin të ndahet me askënd, zbulon ashiqare faktin se ti je vetëm.

Ose, të paktën, nxjerr në dritën e diellit të vërtetën që ty të mungojnë njerëzit e tu, ata që mund të të duan përtej vetes së tyre…

ObserverKult


Lexo edhe:

SILVANA KOLA-LOKA: AJO ÇFARË NUK NA VRET, NUK NA BËN MË TË FORTË!

SILVANA KOLA-LOKA: DO TË TË FAL SËRISH DHE DO TË IKI TUTJE…