Nga ndërtimi te funksioni e dedikimet… këto ishin kalatë e Ali Pashë Tepelenës

Luan Përzhita rrëfen studimin mbi kalatë e Ali Pashë Tepelenës dhe pasionin e tij për ndërtimtarinë.

Studiuesi rrëfen zbulimin për shtresat më të hershme mbi të cilat këto objekte u ndërtuan, si dhe jep detaje për format, funksionet e nga kush u përdorën

Ka qenë i apasionuar pas ndërtimtarisë, Ali Pashë Tepelena.

La pas objekte arkitektonike si ura, kala, ujësjellës, disa prej të cilave trashëgohen edhe sot, duke u bërë pjesë e atraksionit turistik vendas, ndonëse mbi 2 shekuj larg prej kur  u ndërtuan.

“Ali Pasha ka qenë një i apasionuar pas ndërtimit. Ai kishte rreth vetes arkitektët më të zotë, që vinin nga Franca dhe vendet e tjera.

Dhe paguheshin mjaft mirë nga Ali Pasha”, shprehet arkeologu e historiani Luan Përzhita, Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Studiuesi Luan Përzhita, ka përfunduar hulumtimin e tij mbi Kalatë e Ali Pashë Tepelenës, që së shpejti do të shikojë dritën e botimit.

“Mendova se është një moment që të fillojmë një punë e cila do të përqendrohej kryesisht në rifreskimin e të gjitha të dhënave që lidhen me kalatë e Ali Pashë Tepelenës në territorin shqiptar.

Me vlerësimin e dokumentacionit në radhë të parë, pastaj edhe në një paraqitje, që lidhet jo vetëm me anën arkitektonike, por edhe me pjesët e asaj që futet shkenca e arkeologjisë.

Kështu që duke gërshetuar edhe pjesën e dokumentacionit, mbase krijohet një vizion ndryshe përsa i takon edhe botimit të këtyre kalave”, shton më tej Përzhita.

Ali Pasha ka ndërtuar edhe përtej Shqipërisë, në qytete si Janina gjatë kohës së Pashallëkut të Janinës.

Në Shqipëri, investim i tij, janë Kalaja e Tepelenës, Gjirokastrës, Libohovës, Vivarit, Porto Palermos, Kalaja Trekëndore e Butrintit e ajo e Kardhiqit.

“Kalatë e Ali Pashës janë të fundit kala që u ndërtuan në territorin e Shqipërisë. Po ajo që mua më sjell një lloj ngacmimi të kërkimit shkencor lidhet me bazën që kishin këto kala më të hershme, kryesisht në shek. XIII-XIV”, thotë studiuesi.

Por historiku, i këtyre kalave, siç rrëfen arkeologu është më i kahershëm nga koha prej kur Ali Pasha nisi ndërtimin.

Pasi shumë prej kalave u ndërtuan mbi shtresa të mëparshme objektesh të ngjashme.

“Përshembull në Kalanë e Tepelenës, kemi dhe një kala tjetër më të vogël, e cila ishte e ndërtuar para ardhjes së turqve në territorin tonë, që mendohet, ose sipas teknikës së ndërtimit dhe sondazheve që ne kemi arritur të bëjmë që mbase është një kala shumë më e hershme se sa është dokumentuar deri tani në territorin shqiptar.

E njëjta gjë është përshembull për ndërtimet e ndryshme që Ali Pasha bëri në Kalanë e Vivarit dhe kalanë trekëndore të Butrintit që tregon se ka shtresa të tjera kulturore të cilat ai i përdori për të ndërtuar më pas”, shton më tej.

Forma e kalave u është përshtatur funksionit. Vetë Ali Pasha ka shfrytëzuar kalanë e Porto Palermos.

“Nipat dhe pjesa tjetër e familjes ka shfrytëzuar Libohovën apo kalanë trekëndore të Butrintit. Ndërsa pjesa e Kalasë në Kanalin e Vivarit ka qenë më tepër garnizon ushtarak.

Po ashtu edhe disa qendra të tjera kanë qenë edhe ato me orientim ushtarak. Ndërsa pjesa tjetër si e Porto Palermos ia dedikoi të shoqes, motrës, nënës, etj.”, tregon arkeologu.

Studimi “Kalatë e Ali Pashës”, do të prezantohet këtë të premte gjatë konferencës shkencore që do të mbahet nga Akademia e Studimeve Albanologjike lidhur me Vitin Arkeologjik 2022./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

NDODHI INTERESANTE: SI E ZURI ALI PASHË TEPELENA NJERIUN QË KISHTE VJEDHUR PËR VITE ME RADHË…

“La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit 1817, në faqen n°4, shkrimin biografik të “The litterary Gazette” për Ali Pashë Tepelenën (Janinën), të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

“Gazeta e njohur “The litterary Gazette” boton një shkrim biografik për të famshmin Ali Pasha, zot i Epirit, Thesalisë dhe një pjesë të vendeve bashkangjitur.

Ky pasha nuk ka reshtur kurrë t’i paguajë Portës së Lartë, pjesët e të ardhurave publike.

Normalisht sipas zakoneve të vjetra, i takojnë në pashallikun e tij. Por njëkohësisht ai ka ditur të rrisë të ardhurat e tij personale, në atë pikë sa kanë vajtur në 15 milion ‘livres tournois’ (monedhë e vjetër franceze).

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult