Kur forcat mpaken dhe patjetër
Do na tradhtojnë përnjimend
Dhe duhet ne, banorë të vjetër,
Të ardhurve t’u bëjmë vend.
Shpëtona atëherë, o shpirt i mirë,
Nga çdo qortim shpirtvogëlsisht,
Nga shpifjet me inat e cmirë
Për jetën që na la në bisht.
Nga ndjenjë e ligësisë së fshehur
Për botën që ndryshon nga dje,
Ku vijnë të rinj dhe rrinë ngrehur
Në sofrën që e shtruam ne.
Nga vrer i ndjenjës së helmuar,
Që më me rrymën s’ecën dot,
Që plot të tjerë janë ftuar,
Të tjerë shkojnë përpara sot.
Nga çdo pasion që la rinia
Dhe që në zemër thellë rri,
Më i turpshëm është se dashuria,
Pasioni grindavec në pleqëri.
Shqipërimi: Petraq Kolevica
ObserverKult
Lexo edhe:
FJODOR TJUTÇEV: DASHURIA E FUNTME/ PËRKTHYER NGA NOLI
Poezi nga Fjodor Tjutçev
Ah, kur na ngryset jeta, seç’ na tret
M’e nxehtë dhe m’e mprehtë dashuria!
Shkëndrit, moj dritë, që na le shëndet,
Moj dasm’ e funtme, shkrepëti nga zia.
Nga Lindja gjysm’ e qjellit na u –err
Pak vetëm na shkëlqen nga Perëndimi;
Qëndro, qëndro, moj mbrëmë plot me vrer,
Vazhdo, vazhdo, or diell ngazëllimi.
Nga dimr’ i ftohtë gjaku na u-mpi,
Po zëmra ndrit me lul’ e me lëndinë;
Moj nus’ e funtme, helm e lumëri,
Ç’m’a dogje, ç’m’a gëzove pleqërinë!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult