Fjodor Tjutçev: Dashuria e funtme/ përkthyer nga Noli

Poezi nga Fjodor Tjutçev


Ah, kur na ngryset jeta, seç’ na tret
M’e nxehtë dhe m’e mprehtë dashuria!
Shkëndrit, moj dritë, që na le shëndet,
Moj dasm’ e funtme, shkrepëti nga zia.

Nga Lindja gjysm’ e qjellit na u –err
Pak vetëm na shkëlqen nga Perëndimi;
Qëndro, qëndro, moj mbrëmë plot me vrer,
Vazhdo, vazhdo, or diell ngazëllimi.

Nga dimr’ i ftohtë gjaku na u-mpi,
Po zëmra ndrit me lul’ e me lëndinë;
Moj nus’ e funtme, helm e lumëri,
Ç’m’a dogje, ç’m’a gëzove pleqërinë!

Përktheu: Fan S. Noli

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

“DASHURIA E FUNDME” E TJUTÇJEV NË DY VARIANTE PËRKTHIMI, TË TUFËS DHE NOLIT

Poezia “Dashuria e fundme” e F.I. Tjutçjev në përkthim timin dhe Fan Nolit, me origjinalin.

Nga Agron TUFA

Shënime mbi historinë e kësaj poezie.


FJODOR TJUTÇJEV (1803-1873)
DASHURIA E MBRAME


O, si në moshën tonë t’rrëpirtë
Dashurojmë me dhimbë e bestytni.
Shkëlqe, shkëlqe ti dritë e tumirtë –
O muzg i së mbrames dashuri.

Hija e kaploi gjysmën qiellore,
Veç tej perëndimit bredh një feksje.
Ndalo, ndalo o dritë mbrëmësore,
Ti zgjatu, zgjatu pakëz o magjepsje.

Le të mpaket gjaku ndër damarë,
Pa butësi zemra s’do mbesë.
O ti dashuria më e mbrame,
E bekuar je dhe e pashpresë.

Përktheu nga origjinali: Agron Tufa

P.S: Kjo poezi është e njohur për lexuesin shqiptar, sepse është shqipëruar nga Imzot Noli në vitet 1920. Përkthimi, siç mund ta kuptoni, nuk rreh të rivalizojë mjeshtrin, por është një qasje parimore e besnikërisë ndaj origjinalit, duke sjellë si “jallan shahit” vetë tekstin e Tjutçevit.


FJODOR TJUTÇEV
DASHURIA E FUNTME


Ah, kur na ngryset jeta, seç na tret
M’e nxehtë dhe m’e mprehtë dashuria!
Shkëndrit, moj dritë, që na lë shëndenë,
Moj dasmë e funtme, shkrepëti nga zia.

Nga lindja gjysm’ e qiellit na u err,
Pak vetëm na shkëlqen nga perëndimi.
Qëndro, qëndro, moj mbrëmje plot me vrer,
Vazhdo, vazhdo, or diell ngazëllimi!

Nga dimr’ i ftohtë gjaku na u mpi,
Por zemra ndrit me lul’ e me lëndinë.
Moj nus’ e funtme, helm e lumëri,
Ç’ma dogje, ç’ma gëzove pleqërinë!

Shqipëroi: Fan. S. Noli


Федор Тютчев
Последняя любовь

О, как на склоне наших лет
Нежней мы любим и суеверней…
Сияй, сияй, прощальный свет
Любви последней, зари вечерней!

Полнеба обхватила тень,
Лишь там, на западе, бродит сиянье,-
Помедли, помедли, вечерний день,
Продлись, продлись, очарованье.

Пускай скудеет в жилах кровь,
Но в сердце не скудеет нежность…
О ты, последняя любовь!
Ты и блаженство и безнадежность.


Rreth poezisë “Dashuria e fundme” të Tjutçjevit


Është një poezi për ndjenjën më të fortë që pati në jetën e tij Fjodor Ivanoviç Tjutçjevi. Vargjet i kushtohen gruas me të cilën u dashurua kur ishte në një moshë rreth të pesëdhjetave.

I dashuruar pa shpresë me këtë bukuroshe të re, poeti as që shpresonte në ndjenjën e ndërsjelltë; fati e kishte ironizuar me pabarazinë e thellë të moshës, sepse dshuria e tij pati përgjigje. Elegjia “Dashuria e fundme” është një prej poezive më të famshme të autorit, kushtuar edukatores së institutit të vashave aristokrate, Elena Denisjevës.


Historia e krijimit të poezisë

Pa marrë parasysh se diferenca midis të dashuruarve ishte 23 vite, ndjenjat e tyre ishin të sinqerta e të zjarrta. Për këtë roman dashurie plasën thashathemet në shoqërinë e lartë. Nuk mund t’u fshiheshe gjykimeve dhe fshikullimeve të vazhdueshme, sepse poeti i famshëm njihej vazhdimisht si një familjar shembullor. Lidhjen e tij me të dashurën tepër të re të gjithë e quajtën të amoralshme, por çifti vendosi të sakrifikojë reputacionin për hir të dashurisë.

Ky roman dashurie zgjatë më shumë se 14 vjet, derisa Elena Denisjeva vdiq papritur për shkak të një sëmundje të pashërueshme. Gjatë kësaj kohe ajo i lindi poetit 3 fëmijë, pa marrë parasysh fyerjet e rrethit shoqëror dhe vështrimeve të vëngërta përçmuese.
Për të gjithë këto përjetime të fillimit bën fjalë subjekti i poezisë “Dashuria e mbrame”. Në çdo varg ndjehet brishtësia e paskajtë, drithërima ndaj ndaj vashës së re. Flaka e simpatisë ishte jo thjesht pasion dhe dëshirë efemere, por një ndjenjë që e përshkoi dhe dhe trandi poetin deri në fund të shpirtit.

Marrëdhënia e tyre nuk qe e privuar kurrë nga romantika, as nga dëshira për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. Duke qenë në një moshë të pjekur, poeti e kuptonte, çfarë do të thotë të dashurosh me të vërtetë, me thellësi e brishtësi dhe të ndeshësh jehonën e kësaj dashurie që të kthehet me po kaq pasion. Një njeri si Tjutçjevi, me përvojë të madhe në jetë, që po provonte martesën e dytë, e kishte jashtëzakonisht të tmerrshme të humbiste atë që kishte me të çmuarën në shpirt.

Vetë autori e ka konsideruar këtë etapë të jetës së tij si një dhuratë të madhe të fatit. Duke e kujtuar në fillim, që kjo dashuri është e pashpresë, Fjodor Ivanoviçi i ka dhënë poezisë një pikëllim të lehtë me notat e dëshpërimit. Në letrat e tij për mikun më të ngushtë ai pohon se as që ia kishte rrokur mendja ndonjëherë se para do ta priste një ndjenjë kaq e fortë në jetën e tij, të cilën mendonte se e kishte lënë pas shpine.


Veçoritë poetike

Të gjitha ndjenjat e tij Tjutçjevi i shprehu në zhanrin e elegjisë. Kështu quhet një vepër letare me përmbajtje të nginjur me trishtim, pikëllim e nostalgji. Poezia lexohet dhe mbahet mend lehtë, pa marrë parasysh vargun tetrametër jambik me rimë të alternuar. Një truk i tillë përdoret, me qëllim që të vihet akcenti në karakterin konfensional (rrëfimor) të vargjeve, për të nënvizuar intonacionin mirëbesues.
Në secilin varg ndeshen fjalë me domethënie të lartësuar falë pjesëzës «O!». Elegjia nuk është e privuar nga epitete të shumta, që i japin tekstit figurshmëri, shkëlqim, ekspresivitet. Për lehtësinë dhe muzikalitetin e mrekullueshëm autori shfrytëzon përsëritjet leksikore. Ky stil shkrimi, sipas Tjutçjevit, e përshndërron veprën letrare në një dërgesë të sinqertë dashurore.
Poezia konsiderohet një shembull unikal i spikatur i lirikës së dashurisë, pasi ajo nuk i kushtohet as vuajtjeve rinore, as pasionit grafllues, as ndarjes, por është një rrëfim i sinqertë i një burri të urtë, të shtyrë në moshë e tejet të dashuruar.

ObserverKult