Nga Paulo Coelho
Djaloshi e shtyu atë natë pa pikë gjumi. Dy orë përpara se të gdhihej zgjoi njërin nga djemtë që flinin me të në çadër dhe iu lut që t’i rrëfente se ku banonte Fatima.
Si ranë në ujdi u nisën tok. Me të mbërritur, djaloshi i dha si shpërblim për nderin që i bëri disa të holla, sa për të blerë një dele.
Pastaj iu lut që të gjente se ku flinte Fatima, si edhe të shkonte e ta zgjonte duke i thënë se ai po e priste.
Arabi i kreu punët për bukuri, dhe si shpërblim mori prapë të holla për një tjetër dele.
“Tani, na lër vetëm,” iu lut arabit, i cili u kthye në çadrën e tij tërë qejf që kishte pasur fatin të ndihmonte Këshilltarin e Oazit: veç kësaj ndjehej i lumtur se s’i doli keq, pasi me të hollat mund të blinte ndonje dele.
Fatima u dha tek hyrja e çadrës. Pastaj të dy morën për nga palmat. Djaloshi e dinte se kjo ishte në kundërshtim me Zakonin, por në një rast të tillë nuk kishte pse ta vriste mendjen.
“Unë po nisem,” i tha. “Por do të kthehem përsëri. Unë të dua sepse…
“Të lutem mos fol!” e ndërpreu Fatima. “Dashuria është dashuri. Kjo është e vetmja arsye që njerëzit duhen.”
Por djaloshi nuk e la me aq: “Unë të dua sepse kam parë një ëndërr, se pastaj takova një mbret, sepse ca më vonë shita qelqurina, dhe se kapërceva shkretëtirën në kohën kur fiset i shpallën luftë njëri-tjetrit, dhe se më pas shkova pranë një hauzi, për të pyetur se ku banonte Alkimisti. Unë të dua sepse gjithësia u përpoq deri sa të arrija tek ti.”
Dhe sakaq u përqafuan. Ishte e para herë që trupat e tyre preknin njëri-tjetrin.
“Mos u mërzit, unë do të kthehem,” përsëriti djaloshi.
“Më parë e shihja me dëshirë shkretëtirën,” iu përgjigj Fatima. “Ndërsa tani do ta shikoj duke mbajtur shpresë.
Mbaj në mend se edhe im atë u nis, por u kthye për nënën time. E sa herë që nisej, përsëri kthehej.”
Më pas nuk folën më. Zunë të shëtisnin për pak kohë nëpër pyllin e palmave, pastaj djaloshi e përcolli deri tek hyrja e çadrës.
“Do të shohësh kur të kthehem tamam si yt atë,” i tha.
Vuri re se sytë e Fatimës ishin lagur nga lotët.
“E ç’ke që qan?”
“Unë jam grua shkretëtire,” tha ajo dhe zuri fytyrën me duar. “Por fundja, grua jam.”
(Shkëputur nga romani “Alkimisti” i Paulo Coelho)
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe: