Sokrat Habilaj: Ti je kaq e bukur dhe sikur të qash!

sokrat habilaj
Sokrat Habilaj

Poezi nga Sokrat Habilaj

Unë them, s’duhet të kthehesh pas,
Të shikosh mallin, në është si e le.
Ti je kaq e bukur dhe sikur të qash,
Po s’ke pse ndalesh te një pirg dhè!

Unë them se ti meriton ca më tepër,
Se sa një kufomë të tharë si një dru.
Që të zgjatë dorën nga bregu tjetër,
Zhuritur nga ankthi për gishtat e tu.

Unë them, kjo greminë si terr varri,
Edhe vdekjen më të trishtuar e nxë.
Brenda saj dikur na u mbyt malli,
E tani duhet të biem dhe vetë në të?!

Unë them, ti mos u nis në atë udhë,
Po ah, kjo drithërimë që ty të mbytë?
Dhe të shtyn të shkosh tek një gur,
Ku s’është as emri im, e as emri yt?!

Kot po flas dhe unë se ta njoh kokën,
Kur nis një udhën kurrë se lë në mes.
Edhe të të premtojnë ty gjithë botën,
Thuamë kohën dhe vendin të të pres.

ObserverKult

=================

Lexo edhe:

SA VËSHTIRË THOJA “MË FAL”