Historia e vërtetë e Shanikos tek filmi “Prita” dhe rrëfimi i regjisorit: Ai film më hëngri kokën, më çuan traktorist

Personi real nga është frymëzuar për krijimin e këtij personazhi, është Shaniko Starja (Jupasi) nga Kolonja. Ajo ishte vrarë në fillim të rrugës Elbasan-Tiranë (sipër Vidhasit) gjatë një beteje me gjermanët në fund të tetorit 1944.

Pra, rreth 2-3 javë para betejës së 15 nëntorit 1944 që tregohet në këtë film.

Kohë më parë regjisori i filmit “Prita”, Mit’hat Fagu e dha këtë intervistë…

-Kishit bërë kryesisht filma dokumentarë, si e realizuat filmin “Prita”?

-Filmi “Prita” për mua ishte një grackë. Tashmë që rishikoj ditarët që mbaja asokohe, për të kuptuar procesin e punës dhe më vonë të ndreqja gabimet e mia, e kuptoj edhe më mirë këtë. Ai film u ishte ofruar dy regjisorëve me emër, por ata e kishin parë skenarin dhe ishin tërhequr. Mua ma caktuan, sepse unë ngulja këmbë të realizoja një film artistik. Atëherë më thanë: “Do të bësh film? Merre këtë!”.

Isha në dilemë të madhe, sepse, nga njëra anë, po të pranoja, rrezikoja të thyeja kokën dhe, nga ana tjetër, nëse nuk do të pranoja, do të thoshin që unë po shkelja parimet. Dhe pranova, por ai film më ka konsumuar shumë nga jeta ime, sepse ishte shumë, shumë i vështirë. Historia e filmit shqiptar njeh dy filma mbi luftën: filmin e realizuar me Bashkimin Sovjetik, “Furtuna”, dhe “Prita”, por ai fliste për fa shizmin, ndërsa ky për periudhën e nazizmit. M’u desh të punoja shumë, ta bëja skenarin nga e para.

-Çështja e Luftës Antifashiste, sot i ka ndarë historianët më dysh, ju si e vlerësoni debatin, por edhe filmin, pas kaq vitesh?

-E kam ndjekur këtë debat dhe është gabim. Duan apo jo historianët, është bërë një luftë, ku kanë marrë pjesë njerëz me pikëpamje të ndryshme politike. Dikush fiton, dikush humb. Filmi “Prita” flet për luftën, për partizanët.

Nuk përmendet as partia, askush. Sigurisht nuk mund të hiqje drejtuesit, komisarë e komandantë, por aty është një luftë popullore. Kam qenë gjithnjë i dashuruar pas popullit im. Si filmat dokumentarë edhe ata artistikë unë ia kam dedikuar njeriut të punës.

-Pse e kishin refuzuar regjisorët e tjerë këtë film, çfarë e bënte të vështirë?

-Problemi i parë ishte se nuk kishte skenar. Skenari është mielli. Ai ishte hi. Gjeta 2-3 kokrra gruri, për ta bluar. Te “Prita”, 90% e punës është e imja, edhe pse emri është vënë i Xhevat Alibalit. Sigurisht që nuk kam pretendime për asgjë. Më vonë u rregullua kjo punë dhe u quajtëm “bashkautorë”. Vështirësia tjetër ishte teknike. Filmi “Furtuna” u bë me dy Kinostudio, nga “Shqipëria e re” dhe ajo Sovjetike. Ndërsa “Prita” është bërë me forcat e Kinostudios, madje më dhanë forcat më të dobëta. Pa asistent, pa drejtor grupi, vetëm me një operator… Pastaj vështirësia ishte se si do të trajtohej ajo luftë. Figurat e komisarit dhe komandantit i kam të zbehta. Po të ishte një kritik filmi, do ta kishte dalluar këtë.

-U kritikua filmi?

-Shumë më pyesin për filmin “Prita”, edhe për faktin që aty kam përdorur një fjalë “banale”, në një kohë që sot dëgjojmë në film një fjalor për të cilin të vjen turp. Ky nuk është modernizëm, por snobizëm. Atë fjalë që unë përdor në film “U të bëfsha nënën”, donin që ta prisnin dhe e ka shpëtuar Pirro Kondi, që tha: “E mo lëre se e kemi thënë të gjithë…”.

Veç kësaj, filmit iu bë një redaktim i palogjikshëm. Kur partizani ndeshet trup më trup me gjermanin, ata ndeshen dhe vdesin e kokat u bien mbi njëri-tjetrin. Ma prenë. Partizani në film vdes me kokën lart. Dhe më vjen shumë keq për këtë falsifikim. Banalitete mediokre… Filmi u diskutua, u kritikua, por dukej se më shumë e kishin me regjisorin, se filmin. I vetmi që më ka mbrojtur ka qenë Dhimitër Anagnosti. Fliste pak. U ngrit dhe tha: “Ky film do t’i rezistojë kohës. Është ndërtuar në mënyrë dokumentareske, që njerëzit që do të vijnë më pas, kur të duan të flasin për luftën, do të shfrytëzojnë këtë film”. Kështu ndodhi. Pas 4-5 vjetësh, shoh që dokumentari francez që fliste për Luftën Nacionalçlirimtare, kishte marrë fragmente nga filmi “Prita”.

-Por goditjen nuk jua dha “Prita”. Në vitin 1973, juve do t’ju hiqnin të drejtën e të bërit filma. Çfarë ndodhi?

-Shpirtërisht mua më pushkatuan. Unë jam i vdekur në vitin 1973. Më groposën të gjallë. Sigurisht që mbijetova, por isha i pandreqshëm dhe më kthyen sërish më vonë në Kinostudio. Në vitin 1973, isha në kulmin e karrierës sime dhe pikërisht atëherë rashë në pritë. Gazetari më i adhuruar nga unë, Vangjush Gambeta, më solli një artikull gazete mbi të cilin unë bëra një skenar e më pas filmin. Më futi në grackë. Prisja të nisesha në Rumani për specializim, por më vunë plumbin ballit. Ishte një harakiri që kisha bërë unë, por me ndërgjegje.

Këtë e kuptoj në ditarët e mi. Në ditarët e punës kam kapur tri momente. Momenti i parë ishte biseda me Vangjush Gambetën, ku jemi betuar se do të bëjmë një film “të tmerrshëm” dhe filmi ishte i tmerrshëm. I dyti është diskutimi i skenarit, ndërsa momenti i tretë tragjik është diskutimi i filmit nga sekretarët e partive të dikastereve. Do të ngrihej dikush e do të thoshte: Mit’hat Fagu edhe Marksin do ta bënte reaksionar, jo më neve ç’na kishte!”. Pra, më vuri përballë Marksit, duke më bërë kryereaksionar.

-Ç’kishte kaq “reaksionare” ky film?

-Te filmi “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor” flitet për katër heronj pune. Dikush mund ta kishte biografinë pak me cen, por unë nuk flas për biografinë e tij, por për punën. I bëj himn punës. Ata gjetën kleçkat nëpër biografi. Këtyre heronjve unë u kundërvë dikasteret, pushtetin, burokratët. Atëherë dhe sot. Madje, sot ka një burokraci edhe më të tmerrshme se atëherë. Atëherë mund t’i bije tavolinës me grusht e të thoshe: “Shok, nëse nuk ma zgjidh ti problemin, unë shkoj në Komitetin Qendror dhe nga frika ai ta zgjidhte”.

Sot, të mbyllet dera që te shkallët dhe për këtë jam tepër i revoltuar. Kur do ngrihet ky popull të kërkojë të drejtat e tij më elementare? Ç’më duhen fjalët, unë shoh veprat. Ai film atëherë godiste burokracinë. Thanë: “Mit’hat, ti ke artileri tokësore, por grykën e ke drejtuar pak si lart”. U akuzova se aludoja për pushtetin dhe këtë e vërteton thënia e një punëtori, i cili më kap e më thotë me egërsi: “E ç’do të thuash ti me këtë, që të rrëzojmë qeverinë e Mehmet Shehut?”. Më erdhi si një grusht i papritur. Nuk e kisha menduar kështu. Unë i drejtohesha burokracisë në administratë. Ishte një kërkesë për demokraci. Ishte një film që kërkonte revolucion në administratë.

-Çfarë kuptonit ju dhe Vangjush Gambeta me “film i tmerrshëm”?

-Vangjush Gambeta më la në baltë. Të gjithë e dinë historinë. Ai i kishte krahët e ngrohta politikisht. Një anëtar të Byrosë e kishte të vetin, vetë ishte zv.kryeredaktor i “Zërit të Popullit” dhe i ndamë gjërat hapur. “Anën ideologjike ma lër mua. Ti bëje filmin nga ana profesionale që të mos ketë kush ku të kapet”, më tha. Por në fakt me anën profesionale nuk u kap askush, por me anën ideologjike.

Duhej të përgjigjej ai për këtë. Por për respektin që kam për të, e kam falur. Kam sakrifikuar për të. Mora idenë dhe e bëra skenar, sepse pashë në të një film, një film të tmerrshëm, ku do të zbuloheshin gjëra jo si i pëlqente lustra e partisë. Madje edhe në procesverbalet e aprovimit të skenarit, Piro Milkani, që ishte nëndrejtor i Kinostudios, më thotë: “Dëgjo, Mit’hat, burokratët nuk do t’i bien gjoksit dhe të thonë që jemi ne, duhet t’i gjesh ata”.

-Këto kohë janë botuar procesverbale nga mbledhjet dhe diskutimet pas shfaqjes së filmave. Ç’ndodhi pas shfaqjes së filmit tuaj?

-Ditën e parë të shfaqjes, kur priteshin vërejtjet, mund të them se ky është i pari film, që, pasi përfundoi, pas 1 orë e gjysmë, e pasoi një heshtje varri. Rreshti i parë, ku ishte sekretari i Byrosë së Partisë, Drejtori i Kinostudios, e të gjithë, u ngritën si një varg indian dhe ikën me kokë ulur. Mbeta pa mend, unë po prisja mendime, ndërsa ata heshtën. Ndërsa në shfaqjen e dytë ndodhi një tjetër paradoks. Ne kishim Sekretarin e Byrosë së Partisë, që ishte Endri Keko, dhe sekretarët e grupeve.

Kishim të prodhimit, Bujar Kolaneci. Ai ishte njeriu i parë që mori flakë, e tha: “Ky film është një revolucion në kinematografinë tonë”. Ndërsa Sekretari i Byrosë së Partisë, që ishte një shkallë më lart, tha me plot ligësi: “Ky është filmi më reaksionar në kinematografinë tonë. Kështu filloi kundërrevolucioni në Poloni!”. Këtu bëri një lapsus se kundërrevolucion kishte ndodhur në Hungari. Mes këtyre dy ekstremeve u zhvillua debati, ku u thanë të 99-at. Donim të më piqnin në hell, por shpëtova, sepse mund të më kishin futur edhe në burg. Nëse do të kishin futur “agjitacion e propagandë” apo të përmendnin faktin që kam studiuar në Bashkimin Sovjetik, mund të kisha përfunduar në burg. Shokët më kanë mbrojtur, që dëshmuan se unë isha njeri i ndershëm dhe punëtor.

-Ju çuan të punonit 12 vjet në prodhim…?

-Po, më çuan të edukohesha pranë klasës punëtore, të punoja në Fermën e Kamzës, ku kam qenë traktorist i dalluar. Madje edhe atje kam luftuar për të drejtat e traktoristëve. Fjalët kishin shkuar te Sekretari i Partisë. Kam dy diploma në shkollën e mesme, për artet figurative, me titullin skulptor dhe për regjisor teatri, e pasi punova si traktorist, më thanë lëre traktorin. Meqë isha skulptor, më çuan në Artistiken “Migjeni”, për të gdhendur gurin. Punova shumë edhe atje. Më pas m’u dha një shenjë e dytë, për t’u rikthyer në Kinostudio. Por Partia nuk mund të përulej. Duhej të bëja unë kërkesë. Pasi u diskutua, u pa e arsyeshme që të kthehesha.

-Kush ju ndihmoi të ktheheshit?

-Në këtë tragjedinë time, u jam mirënjohës dy njerëzve të partishëm, por që unë nuk i vlerësoj në këtë këndvështrim, por në aspektin njerëzor: Manush Myftiun, që e vuri me shpatulla për muri Sekretarin e Byrosë së Partisë së Kinostudios, Endri Keko, pasi e kuptoi që këtë luftë e bënte për pushtet, për karrige, për të eliminuar Drejtorin e Kinostudios dhe regjisorin, duke i thënë: “Ky djalë këtë film ku e bëri? Në shtëpinë e tij? Apo në Kinostudio e bëri. Ti ku ishe më përpara?”.

Pra, i hodhi përgjegjësi edhe atij, sepse, në të vërtetë, kështu ishte. Ndërsa për kthimin në Kinostudio i jam përjetësisht mirënjohës Miti Tonas, që më priti në zyrë. Ai më tha që partia nuk kërkon falje, por ti do të bësh një kërkesë dhe nëse do të të nxjerrin probleme, do t’u thuash të kërkojnë në Komitetin e Partisë shokun Miti Tona.

-U kthyet, por tanimë te filmi i animuar…

-Më 1985 u ktheva në Kinostudio dhe u mora me filmin e animuar. Por edhe kjo e kishte një kleçkë. Unë isha i pasionuar pas filmit artistik, edhe sot vdes për të. Kam një skenar të mrekullueshëm, por nuk kam mundësi ta bëj film. Pra, duke ditur karakterin tim të pakorrigjueshëm, menduan se te filmi artistik do t’u hapja punë, në filmin dokumentar ku isha mjeshtër do t’u hapja edhe më shumë telashe dhe më çuan te filmi i animuar, por edhe atje u hapja punë.

Kam një film “Të mbrojmë pemët”, që flet për vetizolimin, që edhe atë e kanë censuruar. Ndërsa filmi i fundit “Qesh mirë kush qesh i fundit”, me idenë që një ditë hajduti do të futet me këmbët e veta në burg, fatkeqësisht aktualiteti në Shqipëri ma hodhi poshtë. Hajdutët këtu nuk kapen kurrë. Është macja që mund të jetë pushteti, i forti ose dhe njeriu që bën një punë dhe miu, një parazit që të ha gjëra që ti i do më shumë. Nëse në film macja i hedh vetë ushqim miut që të trashet e mos ta zërë brima, këtu “minjtë” hanë e vjedhin aq shumë saqë shpërthejnë muret, ikin e fshihen./vjosa.net

ObserverKult

Aktorja Teuta Rino (Ibrahimaj) në rolin e Shanikos tek filmi “Prita’’ 1968.

Lexo edhe:

HISTORIA TRAGJIKE E “MAMICËS” NGA FILMI SKËNDERBEU: LASHË ZEMRËN ATY, POR MË KANË HEQUR ME DHUNË NGA SKENA

Adivije Alibali Sharofi, gruaja që sfidoi kohën! Të gjithë e njohin si Mamica, motra e Gjergjit në filmin Skënderbeu.

Portreti i saj për këtë rol nuk i shpëtoi syrit të regjisorit të njohur rus Sergei Yutkeviç, i cili mes shumë kinoprovash nguli këmbë pikërisht për Adivijen. Kjo ishte vajza e re që ishte 18 vjeç e cila në atë kohë ishte një balerinë e shkëlqyer.

Filmi Skënderbeu u prit shumë mirë në Shqipëri, Moskë dhe në shumë vende të botës duke filluar që nga Amerika.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult